- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- KLSH: Qeveria dhe autoritetet lokale nuk kanë zbatuar detyrimet për përmirësimin e cilësisë së ajrit
KLSH: Qeveria dhe autoritetet lokale nuk kanë zbatuar detyrimet për përmirësimin e cilësisë së ajrit
Masat e marra nga qeverisja qendrore dhe autoritetet lokale nuk kanë qenë efektive në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Ky është një nga përfundimet e raportit të përpiluar pas auditimit që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zhvilluar në disa institucione kombëtare dhe lokale, për të parë se sa efektive kanë qenë masat e marra për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Auditimi është zhvilluar në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Institutin e Shëndetit Publik, Agjencinë Rajonale të Mjedisit Berat, Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve Berat dhe Drejtorinë Rajonale Shëndetësore Berat.
Sipas raportit të përpiluar nga KLSH, Strategjia Kombëtare për Cilësinë e Ajrit (SKCA) e miratuar në vitin 2014, ende nuk është zbatuar.
“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka raportuar asnjëherë mbi zbatimin e SKCA – së. Plani Kombëtar i Veprimit për Cilësinë e Ajrit nuk është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe si rrjedhojë asnjë Bashki në Shqipëri nuk ka miratuar Planet Vendore të Veprimit të Cilësisë së Ajrit”, thuhet në raport.
Audituesit e KLSH theksojnë gjithashtu se “monitorimi i cilësisë së ajrit nuk i përmbush plotësisht standardet e vendosura nga direktivat përkatëse të BE-së”.
“Aktualisht, vlerat e cilësisë së ajrit në vendin tonë nuk janë reale pasi ato nuk janë gjithëpërfshirëse. Sot, në të gjithë Shqipërinë kemi vetëm 7 stacione monitorimi të cilësisë së ajrit, të cilat monitorojnë pa ndërprerje, por 2 prej tyre për një periudhë 2 vjeçare nuk kanë qenë në gjendje pune. Të gjitha këto stacione janë të pa akredituara, një pjesë e tyre të pakalibruara çka dëshmon qartë për nivelin e ulët të besueshmërisë së të dhënave që ato paraqesin”, thuhet në raport.
Numri i stacioneve fikse të monitorimit të cilësisë së ajrit në Shqipëri nuk është i mjaftueshëm për të prodhuar të dhëna përfaqësuese dhe të besueshme për qytetet përkatëse.
“Vlerat e publikuara për Tiranën, ashtu si edhe për qytetet e tjera të Shqipërisë nga stacioni i lëvizshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit nuk janë përfaqësuese si vlera mesatare të tyre” thuhet në raport.
Audituesit e KLSH dalin në konkluzionin se “raportimi nuk është i besueshëm. Ka mospërputhje midis Programeve Vjetore të Monitorimit të Mjedisit dhe Raporteve të Gjendjes së Mjedisit. Nuk respektohet dhe nuk përshkruhet saktë metodologjia e ndjekur për raportimin e rezultateve të monitorimit të cilësisë së ajrit.”
Në raport nxirret në pah edhe mungesa e komunikimit mes institucioneve përgjegjeëse për moniotrimin e ajrit, AKM dhe ISHP, ku kjo e fundit “nuk ka akses në të dhënat e treguesve të cilësisë së ajrit që monitorohen nga AKM”.
Nga auditimi i bërë në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit se ministria “nuk i ka të përcaktuara shpenzimet buxhetore në lidhje me monitorimin e cilësisë së ajrit. MTM nuk ka parashikuar fonde buxhetore për akreditimin dhe kalibrimin jashtë vendit të stacioneve të monitorimit të cilësisë së ajrit në vitet 2014 – 2016. Fondi i mjedisit ende nuk është krijuar.”
Pra pavarësisht se kjo ministri është në dijeni të plotë të situatës nuk ka marrë asnjë masë për të planifikuar një pjesë të buxhetit të saj për akredtimin dhe kalibrimin e pajisjve që masin cilësinë e ajrit.
Pajisja e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit që mat përqendrimin e PM1O e nxjerrë në dritaren e një prej zyrave të AKM-së. Foto: Amarildo Topi
Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve ‘fle gjumë’
Ndëshkimi i ndotësve të mjedisit në tërësi dhe ajrit është në përgegjësinë e Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve. Por nga auditimi i zhvilluar në këtë institucion ka rezultuar se “ISHMP nuk kryen inspektime sa i përket tejkalimit të normave të shkarkimeve të elementëve ndotës të ajrit, sepse nuk zotëron asnjë mjet/laborator për matjen e këtyre shkarkimeve në terren”.
Gjithashtu audituesitkanë dalë në përfundimin se “ISHMP nuk përdor portalin e inspektime “on line” (e-inspection) pavarësisht faktit se është trajnuar për përdorimin e tij nga Inspektoriati Qendror. Inspektoriati Qendror ka shpërndarë 62 paketa portabël për kryerjen e inspektimeve on line të cilat nuk janë përdorur asnjëherë nga ISHMP”.
Ndërsa një nga përfundimet më të rënda sa i përket Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve është se “nuk ka kërkuar dhe as nuk i janë akorduar fonde për blerjen e pajisjeve matëse laboratorike”.
Pasojat e ajrit të ndotur
Nga auditimi është nxjerr në pah edhe problemi se qeveria shqiptare nuk ka të dhëna konkrete mbi pasojat që ka ndotja e ajrit në shëndetin e njerëzve dhe në mjedis ashtu si edhe nuk është kryer asnjë analizë mbi pritshmëritë e politikave të cilësisë së ajrit lidhur me përfitimet ekonomike, sociale e mjedisore.
ISHP, gjithashtu, “nuk ka kryer asnjë studim epidemiologjik që të vlerësojë lidhjen shkak pasojë mbi ndikimin e cilësisë së ajrit në shëndetin e populates”.
Të dhënat e cilësisë së ajrit janë në dispozicion të qytetarëve vetëm në formën e Raporteve të Gjendjes së Mjedisit të cilat janë vjetore. Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk i siguron akses “on line” qytetarëve të Shqipërisë për të patur të dhënat e gjendjes së cilësisë së ajrit në kohë reale (p.sh. çdo 1 orë etj).
Edhe pse kjo e fundit ka miratuar Programin e Transparencës në përputhje me ligjin “Për të drejtën e informimit”, neni 7, “nuk është reflektuar detyrimi për informimin e qytetarëve nëse ndodh një problem lidhur me cilësinë e ajrit”.
Autor: Amarildo Topi
The post KLSH: Qeveria dhe autoritetet lokale nuk kanë zbatuar detyrimet për përmirësimin e cilësisë së ajrit appeared first on Citizens.al.