KLSH konfirmon “falimentimin” e Hekurudhës; Mbahet me subvencion nga ministritë

Financat e Hekurudhës Shqiptare po dobësohen çdo vit. Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), për treguesit ekonomik dhe financiar për vitet 2019-2022 dëshmon një krizë dhe detyrime të prapambetura, si kredi afatgjata dhe afatshkurtër.

“Në opinionin e grupit të auditimit Shoqëria “Hekurudha Shqiptare” sh.a Durrës, është në gjendje falimentimi”, thuhet në raportin i cili ka treguar se detyrimet janë rreth 3.8 milionë lekë.

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës (MEI) dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), e kanë përdorur subvecionin si të vetmin instrument për të mos shpallur procedurat e falimentimit të Shoqërisë HSH sha.

Aduituesit e KLSH vlerësojnë në raport se “veprimet sa më sipër janë jo në përputhje me ligjet për buxhetin e viteve përkatëse”. Kjo pasi institucionet përkatëse si MFE, Dega e Thesarit Durrës, MIE, me veprimet apo mosveprimet e tyre, kanë krijuar një situatë konfuze për alokimin dhe përdorimin e subvencionit nga Hekurudha Shqiptare.

Kësisoj, këto institucione i kanë krijuar mundësinë Hekurudhës Shqiptare  që ta përdor këtë subvencion për paga dhe sigurime shoqërore, duke ndryshuar qëllimin e këtij shpenzimi. Kështu HSH nuk ka shpallur falimentin për sa kohë ky buxhet është përdorur për pagat.

KLSH rekomandon që Administratori dhe Këshilli Mbikëqyrës, ti kërkojnë në rrugë institucionale Ministrisë̈ së Financave dhe Ekonomisë̈ dhe Ministrisë̈ së Infrastrukturës dhe Energjisë̈ “që të ndërmarrin veprime urgjente ligjore, për korrigjimin e menjëhershëm të veprimtarisë̈ së kësaj shoqërie, dhe konkretisht për subvencionin“.

Raporti i KLSH tregon se në pasqyrat financiare të mbyllura më 31 dhjetor 2022, huatë afatgjata dhe detyrimet e tjera afatgjata kanë vlerën 1,438,887 mijë lekë.

Detyrimet e papaguara të shoqërisë HSH cilësohet shumë e rënduar nga KLSH, “pavarësisht se nga organet drejtuese të saj është analizuar dhe shqyrtuar me përgjegjësi, si dhe janë marrë masat e duhura për reduktimin e tyre”.  Konkretisht gjendja debitore për vitin 2022 është në vlerën 594,825,000 lekë.

Auditimi përmend tek gjetjet dhe kredinë e marrë për ndërtimin e linjës hekurudhorë Tiranë-Durrës.

Shuma e kredisë për këtë projekt është në vlerën 3,098,741.39 euro, me datë fillimi 17.01.2008, datë mbarimi 17.07.2025.

“Situata e vështirë ekonomike e shoqërisë është thelluar akoma më shumë në vitet e fundit duke e bërë të pamundur kthimin e detyrimit duke lënë këtë barrë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Vlera prej 2,657,170.76 euro është efekt financiar negativ për “Hekurudha Shqiptare” SHA”, thuhet në raport.

KLSH rekomandon që Hekurudha Shqiptare të marrë masat e duhura për sistemimin e detyrimit nga pasqyrat financiare të HSH sha në likuiduesin e kësaj kredie.

“Hekurudha e degraduar”

Degradimi i linjave hekurudhore në vend ka bërë që vit pas viti të bjerë numri i pasagjerëve që përdorin këtë mjet transporti. Teksa shifrat e udhëtarëve që përdorin transportin detar dhe ajror rriten çdo vit, transporti hekurudhor është në rënie si pasojë e gjendjes së tij.

Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë periudhës prill-qershor 2023 kanë udhëtuar gjithsej 3,290 pasagjerë duke shënuar ulje me 34,5 %, krahasuar me 3-mujorin e dytë 2022.

Bëhet fjalë për 3 linjat e shfrytëzueshme Kufi- Gjorm, Durrës–Elbasan dhe Fier-Vlorë. Gjatë kësaj periudhe  u transportuan 139 mijë ton mallra, 0,9 % më pak në krahasim me tremujorin e dytë 2022.

Në vitin 1982 ku Shqipëria kishte një rrjet hekurudhor prej 443 km, ku numëroheshin rreth 13 milion udhëtime me tren dhe kishte një popullsi prej 2.8 milion banorësh.

Teksa sot Shqipëria ka pothuajse të njëjtën popullsi, brenda vitit 2023 e kanë përdorur trenin vetëm 4.951 udhëtarë.

Pas dekadave degradimit dhe lënie në harresë, ka nisur puna në terren për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, por edhe pse afati për përfundimin e projektit ishte shtatori 2023, në terren janë kryer vetëm 45% e totalit të punimeve.

Hekurudha Shqiptare në një përgjigje të datës 1 Qershor 2023, tha për Citizens Channel tha se afati për përfundimin e punimeve është shtyrë në mars 2024, pra me 8 muaj nga afati i përcaktuar në kontratë.

Harresa e hekurudhës

Citizens Channel ka realizuar një cikël me tre dokumentarëve “Hekur, Pluhur dhe Frikë”, i cili trajton pikërisht boshllëkun që ka lënë harresa e publikes në transportin publik. Hekur është dokumentari i parë i këtij cikli. Hekuri i shinave që dikur lidhnin njerëzit sot është kthyer në ndryshk. Më shumë se gjysma e 447 kilometrave hekurudhë është tërësisht jashtë funksionit, e ajo që ka mbetur është thuajse e pa përdorshme.

Dokumentari i parë i këtij cikli trajton “Rrugën e gjatë nga Tirana për në Durrës” duke sjellë histori nga sytë e ekspertëve, përdoruesve dhe ish-punonjësve të hekurudhës. Rrjeti hekurudhor shqiptar sot i ngjan vetëm një kujtimi të largët të asaj çka ishte gjatë viteve 1980. Me ndryshimin e regjimit, shinat u ndryshkën dhe trenat u shkatërruan, ndërsa qeveritë u përqendruan në ndërtimin e rrugëve dhe qytetarët iu drejtuan makinave private. Kjo përmbysje e prioriteteve i la në harresë të gjitha format e transportit publik duke izoluar veçanërisht shtresat më të disavantazhuara të shoqërisë.

Pluhur është dokumentari i dytë, i këtij cikli. Pluhur është një rrugëtim në këtë infrastrukturë të harruar dhe një bisedë me njerëzit që e ndërtuan atë. Rrjeti hekurudhor shqiptar sot i ngjan vetëm një kujtimi të largët të asaj çka ishte gjatë viteve 1980.

Me ndryshimin e regjimit, shinat u ndryshkën dhe trenat u shkatërruan, ndërsa qeveritë u përqendruan në ndërtimin e rrugëve dhe qytetarët iu drejtuan makinave private. Kjo përmbysje e prioriteteve i la në harresë të gjitha format e transportit publik duke izoluar veçanërisht shtresat më të disavantazhuara të shoqërisë.