- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Këshilli i Europës dërgon në Komisionin e Venecias paketën “Anti-shpifje”
Këshilli i Europës dërgon në Komisionin e Venecias paketën “Anti-shpifje”
Këshilli i Europës (KiE) nëpërmjet Komitetit të Monitorimit të Asamblesë parlamentare i ka drejtuar një letër Komisionit të Venecias, për të kërkuar opinion mbi “Paketën anti-shpifje”, që u miratua nga Parlamenti në dhjetor.
Kërkesa për opinionin e Komisionit të Venecias erdhi pas vendimit të parlamentit për t’i kthyer Presidentit Meta dekretin e tij pa rishikuar ndryshimet që ai propozoi. Presidenti e ktheu ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive” për disa arsye.
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla përmes një reagimi në “Facebook” deklaroi se do ta rrëzojë dekretin e Presidentit (çka nënkupton se ligji do të votohet i pandryshuar në Parlament), por njëkohësisht shprehu falenderime për KiE, duke shtuar se mezi i pret sugjerimet e vyera të Venecias.
Deklarata vjen në një kohë kur numri i organizmave kombëtare dhe ndërkombëtare që po e adresojnë “Paketën Antishpifje” si problematike sa vjen e rritet.
Ndonëse Kryeministri Rama tha se OSBE mbështet 100% paketën e miratuar nga parlamenti. Përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e shtypit, Harlem Desir përmes një deklaratë u shpreh se: “Rivotimi i ligjit do t’u hapë rrugën sqarimeve dhe përmirësimeve të mëtejshme të këtij ligji në mënyrë që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”. Sipas tij asnjë pjesë e legjislacionit të ri nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit.
In view of the new examination of #Albania media laws in Parliament, I confirm I stand ready to continue working with Authorities to improve legislation including on level of fines and respect of proportionality principle enshrined in international law https://t.co/yannJxf3NR
— OSCE media freedom (@OSCE_RFoM) January 13, 2020
Rishqyrtimi i ligjit në Parlament pas vërejtjeve të Presidentit është mbështetur edhe nga Komisioni Europian përmes një deklarate të zëdhënëses Ana Pistolero për ABC News: “Fakti që Presidenti i Shqipërisë ka kthyer ligjin në Parlament e shohim si një mundësi për t’i pranuar ato. Ne shpresojmë që kjo të realizohet”.
VIDEO: Protesta e gazetarëve përpara Parlamentit:
Paketa “Anti-Shpifje” është kritikuar prej muajsh nga një aleancë e gjerë e organizatave dhe mediave shqiptare, si edhe mbi 20 organizma ndërkombëtar.
*Citizens Channel /Th.M/
The post Këshilli i Europës dërgon në Komisionin e Venecias paketën “Anti-shpifje” appeared first on Citizens.al.