- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- “Kërcënim ndaj zërave kritikë”, ndërkombëtarët kritikojnë Veliajn për akuzat ndaj Lolita dhe JOQ
“Kërcënim ndaj zërave kritikë”, ndërkombëtarët kritikojnë Veliajn për akuzat ndaj Lolita dhe JOQ
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) ka dënuar sulmin e kreut të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj kundrejt portalit JOQ dhe faqes satirike Lolita.
Ne një dalje për mediat, Veliaj publikoi emrat dhe informacione private për dy persona që sipas tij janë drejtuesit e këtyre dy faqeve online.
Ai pretendoi se këto dy persona i kanë vënë gjobë kompanive të autobuzëve urbane dhe kanë kritikuat shërbimin e tyre.
Përmes një reagimi publik, ECMPF thekson se kjo është një shkelje e sigurisë për personat e përmendur nga Veliaj.
“Jemi të shokuar që kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj identifikoi individë të dyshuar pas dy faqeve satirike anonime Lolita dhe faqeve të tjera, duke shkaktuar shqetësime sigurie. Veliaj duhet të kërkojë menjëherë falje dhe të sigurojë që identitetet e individëve privatë të mbrohen siç duhet”, thuhet në reagimin e ECMPF-së.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Ricardo Gutiérrez, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve.
“Jam shumë i zemëruar nga sjellja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, në publikimin e identitetit të administratorëve të faqeve satirike në Facebook në Shqipëri, Lolita dhe JOQ. Këto faqe, megjithëse jo rreptësisht gazetareske, ndihmojnë për të mbajtur përgjegjës ata në pushtet përmes humorit (pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo)”, deklaroi Gutiérrez.
Ai ka kujtuar ngjarjen e ndodhur ne Top Channel ku mbeti i vrarë roja i godinës si pasojë e një sulmi me armë.
“Unë i rikujtoj z. Veliaj se pak ditë më parë një person u vra në mjediset e Top Channel në Shqipëri dhe se ai nuk duhet të kontribuojë në përkeqësim të mëtejshëm të sigurisë së komentatorëve publikë,” tha ai.
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt e cilësoi të paprecedentë dhe shqetësues sulmin e Veliajt.
Delarata e Veliajt u regjistrua edhe në hartën e karcënimeve ndaj lirisë së medias.
Mapping Media Freedom e cilësoi deklaratën e Veliajt si përpjekje e paprecedentë si dhe shqetësuese për sigurinë fizike të personave të përmendur nga ai.
Në projektrezolutën e fundit të BE-së liria e medias në Shqipëri u kritikua.
Raporti i fundit për Lirinë e Medias tregoi se Shqipëria ka shënuar një rritje të rasteve të dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve gjatë vitit 2022.
Vitin e kaluar u regjistruan 813 shkelje të lirisë së medias në shtetet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate, ku janë përfshirë 1,339 individë ose media.
Sipas hartëzimit të rasteve të dhunës, Shqipëria ka 17 alarme drejt 30 personave, teksa një vit më parë kishte 14.
Edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit theksoi se nuk ka pasur përmirësim në fushën e lirisë së medias. Shqipëria kosniderohet një ambient jo i sigurt për gazetarët, teska pronësia e medias vijon të mbetet e përqëndruar duke përkeqësuar pluralizmin e medias.
The post “Kërcënim ndaj zërave kritikë”, ndërkombëtarët kritikojnë Veliajn për akuzat ndaj Lolita dhe JOQ appeared first on Citizens.al.