Kalvari i çështjeve gjyqësore për ndërtimet e HEC-eve në Valbonë

Ditën e djeshme, u ankimua nga shoqata Toka, vendimi i Gjykatës së Tropojës në Gjykatën e Apelit në Shkodër,aktivistë dhe ambientalistë protestuan pranë Ministrisë së Drejtësisë duke dënuar vendimin e paprecedentë të Gjykatës së Tropojës dhe duke kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Shoqata Toka është e fokusuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e alpeve shqiptare dhe ka pasur në fokus të veçantë cështjen e Valbonës, duke kundërshtuar dhe protestuar për ndërtimin e HEC-eve në Valbonë.

“Variantet e përdorimit të procedurave dhe bashkpunimeve okulte për të vazhduar masakrën mbi Valbonë janë të patolerueshme. Boll i keni revoltuar Shqiptarët edhe me rastin e Valbones”, shkrujanë në faqen e Facebook “Friends of Valbona”, mbrojtësit e çështjes së Valbonës.

Kalvari gjyqësor i rezistencës kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë

Në datën 31 korrik 2018 Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tropojës vendosi të rrëzojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë për pezullimin e punimeve për ndërtimin e HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës.

Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit parashikonte pezullimin e ndërtimeve dhe se përmbaruesi shtetëror duhej të ekzekutonte masën e sigurisë. Por përmbaruesi është përballur me vendimin e Gjykatës së Tropojës i cili pezullon vendimin që ndalon punimet. Në këtë mënyrë Gjykata e Tropojës i ka dhënë të drejtën kompanisë koncensionare “Dragobia Energy” të vijojë punimet të paktën deri në 31 janar 2019.

Në mungesë të trupës gjykuese të Gjykatës së Lartë për shkak të procsit të vetting-ut, kompania koncesionare ju drejtua Gjykatës së Tropojës

Gjykata e Tropojës i është referuar argumentave të kompanisë koncesionare për marrjen e këtij vendimi, e cila pretendon se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit është i pavlefshëm pasi i referohet pezullimit të lejes së KKT-së me nr.12, datë 10.11.2017, me një afat prej 5 muajsh. Në datën 21 maj 2018, kjo leje ka skaduar, ndërsa kompania koncesionare ka aplikuar 4 ditë përpara (17 maj) për leje të re zhvillimore.

Në datë 26 korrik 2018, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) është mbledhur për miratimin e 28 lejeve, por nuk ka miratuar lejen për kompaninë “Dragobia Energy”, kompaninë që po ndërton HEC-et në Valbonë. Në argumentin e saj, drejtuar Gjykatës së Tropojës, “Dragobia Energy”, thotë se ka një miratim në heshtje të lejes së KKT-së dhe se punimet po kryhen në bazë të kontratës koncesionare të datës 23.04.2009. Por, kontrata koncesionare nuk parashikon dhënien e asnjë leje, as atë të ndërtimit, pasi vetëm pas lidhjes së kontratës, “Dragobia Energy” pajiset me  të gjitha lejet, edhe atë të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Në vendimin e Gjykates së Tropojës, gjykatësi Sami Ujkashi referohet vetëm argumentave të kompanisë koncesionare “Dragobia Energy”, duke anashkaluar kundër-argumentave të përmbaruesit. Gjithashtu palë në këtë proces gjyqësor duhej të ishin edhe pala paditëse që kundërshton ndërtimin e HEC-eve, Shoqata “Toka” dhe banorët e Dragobisë dhe as nuk janë informuar për vendimin e marrë.

Por, vetëm Gjykata e Lartë mund të rrëzojë një vendim të marrë nga Gjykata Administrative e Apelit të Tiranës sepse Gjykata e Lartë është shkalla më e lartë e pushtetit gjyqësor në Shqipëri dhe misioni i saj kryesor është rishikimi, me kërkesën e palëve, i vendimeve të gjykatave të shkallëve më të ulta.

*Citizens Channel/ F.S