- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Izolimi në shtëpi shtoi numrin e thirrjeve për ndihmë nga viktimat e dhunës në familje
Izolimi në shtëpi shtoi numrin e thirrjeve për ndihmë nga viktimat e dhunës në familje
Thirrjet për ndihmë të viktimave të dhunës në familje u trefishuan gjatë periudhës së izolimit për shkak të COVID-19.
Të dhënat e bërë publike nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN) informojnë se në periudhën mars-maj Linja Kombëtare për Gratë dhe Vajzat ka marrë rreth 2000 telefonata (tre herë më shumë krahasuar me vitin e kaluar).
Kërkesat për ndihmë dhe mbështetje kanë shënuar rritje në qarkun e Dibrës (125%), Elbasanit (100%), Shkodrës (76%), Pogradecit (58%) dhe Durrësit (50%).
Nevojat kryesore të individëve që kanë telefonuar këtë linjë lidhen me:
Hapat që mund të ndërmarrin nëse dhuna përsëritet apo shtohet gjatë izolimit
Vërtetim i Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes dhe lëshim i Urdhrit të Mbrojtjes
Zgjatje të Urdhrit të Mbrojtjes
Denoncime të rasteve të dhunës
Mbështetje psikologjike dhe këshillim lidhur me si ta mbajnë nën kontroll situatën
Këshillim lidhur me shëndetin mendor të rënduar
Në qytetin e Durrësit, vetëm gjatë muajit maj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka lëshuar 6 Urdhra të Menjëhershëm Mbrojtjeje në ditë të caktuara, njofton Rrjeti i Fuqizimit të Gruas.
Citizens Channel ka raportuar edhe më herët problematikat e dhunës me bazë gjinore gjatë periudhës së izolimit në Shqipëri ku u evidentua mungesa e strehëzave si një faktorët që i detyron viktimat të qëndrojnë në një hapësirë të përbashkët me dhunuesin.
Policia e Shtetit: Muaji mars shënoi ulje të rasteve të dhunës në familje
Pavarësisht se është shënuar rritje e kërkesës për ndihmë në Linjën e Kombëtare për Vajza dhe Gra, Policia e Shtetit ka deklaruar për Portën Vendore se muaji mars, ku Shqipëria u fut në izolim total prej pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, shënoi ulje të denoncimeve për dhunë në familje në nivel kombëtar.
“Gjatë muajit mars 2020 janë evidentuar gjithsej nga ana e policisë 249 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare. Kurse gjatë muajit mars 2019 janë evidentuar gjithsej nga ana e policisë 390 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare“, pohoi Policia e Shtetit për Portën Vendore.
Në kryeqytet, gjatë muajit mars ka pasur gjithsej 20 denoncime për dhunë në marrëdhënie familjare, numër më i ulët krahasuar me muajin mars të 2019-tës.
Rrjeti i Fuqizimit të Gruas vijëzon se shifrat e raportimeve nuk shkojnë paralel me situatën e vërtetë, pasi viktimat e dhunës janë penguar nga një serë faktorësh për të kërkuar ndihmë ligjore gjatë izolimit, që lidhen me frikën e sanksioneve dhe mungesën e akomodimit alternativ.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pohuar se gjatë çdo lloj emergjencë, dhuna ndaj vajzave dhe grave ka tendencë të rritet, duke lobuar që shtetet të hartojnë politika që u vinë në ndihmë viktimave të dhunës në familje.
The post Izolimi në shtëpi shtoi numrin e thirrjeve për ndihmë nga viktimat e dhunës në familje appeared first on Citizens.al.