- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- INSTAT: Sistemi arsimor humbi 20 mijë nxënës dhe studentë në një vit
INSTAT: Sistemi arsimor humbi 20 mijë nxënës dhe studentë në një vit
Sistemi arsimor humbi mbi 20 mijë nxënës dhe studentë këtë vit shkollor. Perspektiva nuk duket optimiste edhe për të ardhmen. Sipas INSTAT, ndërsa po braktisen shkencat ekzakte në universitete, janë rritur regjistrimet në degët e mjekësisë dhe infermierisë, dy degë që më së shumti po emigrojnë nga Shqipëria. Krahasuar me një vit më parë, viti shkollor 2023-2024 pati një ulje prej 3.7% të nxënësve dhe studentëve të regjistruar në sistemin shkollor.
Sipas të dhënave te INSTAT, numri i nxënësve të regjistruar në arsimin parauniversitar ishte 416, 538 nxënës duke pësuar një ulje prej 3.8% krahasuar me vitin shkollor 2022-2023. Ndërsa, pjesa më e madhe e nxënësve të regjistruar në gjimnaze, rreth 85% ndjek arsimin në institucionet publike.
Ulje të studentëve pësoi edhe arsimi i lartë, ku vijojnë studimet 116,994 studentë, të cilët krahasuar me një vit më herët kanë pësuar një ulje prej 3.6%.
Sipas një hulumtimi të Citizens Channel një vit më parë, shumë nxënës i shkëpusin marrëdhëniet me shkollën pa mbushur 18 vjeç, duke emigruar në Itali për të përfituar nga procedurat e lehtësuara për marrjen e dokumenteve.
Numri i nxënësve për mësues në shkollat publike më i ulët se në shkollat private
Sipas INSTAT viti akademik 2023-2024 ka sjellë edhe ulje të numrit të nxënësve për mësues në shkollat publike. Ndërsa e kundërta vihet re në shkollat private, pasi që ka rritje të numrit të nxënësve për mësues.
Në arsimin publik fillor për vitin akademik 2023-2024 ka pasur mesatarisht 15,1 nxënës për një mësues, ndërsa në arsimin privat fillor ka pasur 15.2 nxënës për një mësues. Në arsimin 9-vjecar një mësues në shkollat publike ka pasur 7,9 nxënës, ndërsa në shkollat private 9 nxënës. Shifër kjo që në arsimin e mesëm vijon ende të qëndrojë më larg njëra-tjetrës, por ende konsiderueshëm.
Në arsimin e mesëm një mësues në shkollat publike ka mesatarisht 11,5 nxënës, ndërsa në arsimin privat ka 9,1 nxënës.
Krahasuar me vitet e shkuara akademike ajo çka vihet re është fakti se në arsimin publik ka ulje të nxënësve, ndërsa në arsimin privat ka rritje të numrit të nxënësve për mësues.
Fushat e studimit: Bie interesi në shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë
Degët më të preferuara për vitin akademik 2023-2024 kanë qenë ato të lidhura me shëndetin dhe mirëqenien, biznes, administrim dhe ligj si dhe inxhinieri, prodhim dhe ndërtim.
Sipas INSTAT, fusha “Shëndet dhe mirëqenie” është njëkohësisht edhe fusha me rritjen më të madhe të studentëve të regjistruar krahasimisht me vitin e kaluar (8,8 %).
Ndërsa vihet re një ulje e interesit për degët sikurse shkencat natyrore, matematikë dhe statistikë, duke e zgjedhur vetëm te 2% të studentëve, bujqësi e veterinari me vetëm 2.6% të studentëve dhe 5.8% të tyre kanë shkuar për shkenca arsimi.
The post INSTAT: Sistemi arsimor humbi 20 mijë nxënës dhe studentë në një vit appeared first on Citizens.al.