- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Instalacion artistik për rezistencën katër-vjeçare të komunitetit të Zall-Gjoçaj në mbrojtje të lumenjve
Instalacion artistik për rezistencën katër-vjeçare të komunitetit të Zall-Gjoçaj në mbrojtje të lumenjve
Instalacioni artistik “Edhe ëndrrat i shoh atje” dokumentoi përmes simbolikës, imazheve, tingujve dhe materialeve filmike betejën katër-vjeçare të komunitetit të Zall-Gjoçaj për mbrojtjen e lumenjve nga hidrocentralet.
“Edhe ëndrrat i shoh atje” është një pasazh i shkëputur nga rrëfimi i një aktivisti, i cili është lindur dhe rritur në Zall-Gjoçaj. Ai tregoi në vitin 2020, në një nga protestat e shumta të zhvilluara, si i shfaqet vendlindja në çdo ëndërr që sheh.
Për disa ditë radhazi, në këtë ekspozite u paraqiten simbolikisht disa tuba, teksa tingulli i lumit të lirë dhe zëra nga protestat përsëriteshin papushim.
“Pjesa tjetër ka qenë dokumentimi, mbledhja e gjithë sloganeve që janë krijuar nga vetë banorët. Ndërhyrja e fundit ka qenë regjistrimi i zërit të lumit që është futur në tuba, regjistrimi i zërave të banorëve për të dhënë më tepër idenë se ku ka shkuar ai zë edhe ajo protestë deri më tani”, – thotë për Citizens Channel kuratorja e ekspozitës Donika Çina.
Pjesë e kësaj ekspozite ishin dhe fotografi që dokumentojnë rezistencën e banorëve, të bëra nga grupi ATA, duke filluar nga protestat në terren, përballë gjykatave dhe në sheshe.
“Kjo është thjeshtë një riformulim në një gjuhe vizuale i kauzës, është një bashkim elementësh që vetë banorët dhe vetë aktivistët kanë prodhuar për këto katër vite”, shpjegon më tej kuratorja Çina.
Banorë dhe aktivistë që e vizituan këtë ekspozitë u shprehën të prekur nga imazhet vizuale dhe filmike të një proteste që ende vijon.
“Njëherë, mu më bëhet qejfi shumë, sepse kjo ekspozitë është një realitet i gjallë që justifikon përpjekjet që kemi ba ne. Është një realitet që kushdo që ta shikojë, ajo zonë e ata banorë do t’i dhimbsen”, – shprehet për Citizens Channel 70-vjeçari Sali Koleci, i cili ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në Zall-Gjoçaj.
“Kjo ekspozitë na ka sjellë shumë emocione dhe na ka rrugëtuar në shumë beteja që kemi zhvilluar dhe ndoshta i ishim harruar. Kjo na solli prapë, na freskoi prapë gjithë lodhjen, sakrificat”, – thotë më tej aktivisti Dhimitër Koleci.
Ekspozita qëndroi e hapur për disa ditë dhe u vizitua nga aktivistë të rinj, që u njohën më në detaje me protestën e komunitetit.
“Është frymëzuese qëndresa dhe sesi mund të që një problem i një komuniteti që në fakt është i vogël, mund të bëhet një kauzë tashmë e njohur në nivel kombëtar dhe duke pasur një qëndresë”, – tha Glen Mebelli, një ndër personat që e ndoqi këtë ekspozitë.
“Në fakt, nga realiteti ishte shumë i dhimbshëm sepse është e padrejtë, por komuniteti është i fortë, po lufton çdo ditë dhe po mendoja që t’i bashkohemi edhe ne si grup aktivistësh në protestën e radhës”, – u shpreh një tjetër vizitore e kësaj ekspozite, Ilva Methasanaj.
The post Instalacion artistik për rezistencën katër-vjeçare të komunitetit të Zall-Gjoçaj në mbrojtje të lumenjve appeared first on Citizens.al.