- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Inflacioni kap shifrën 7.4%, ushqimet dhe nafta pësojnë rritje të ndjeshme çmimi
Inflacioni kap shifrën 7.4%, ushqimet dhe nafta pësojnë rritje të ndjeshme çmimi
Në muajin qershor inflacioni u rrit sërish duke kapur nivelin 7.4%, shifra më e lartë që nga viti 1998.
Sipas të dhënave të INSTAT indeksi i çmimeve në qershor u rrit me 7.4%, në krahasim me një vit më parë, ku ndryshimi ishte 1,6 %.
Ushqimet dhe nafta janë kategoria që kanë ndikuar më shumë në rritjet e çmimeve, duke u ndjekur më pas nga veshjet, transporti dhe kujdesi shëndetësor.
Sipas të dhënave të INSTAT, qytetarët shqiptarë shpenzuan 13% më shumë në ushqime dhe 27% në transport, krahasuar me një vit më parë. Buka dhe drithrat u shtrenjtuan me 20%, ndërsa vaji dhe yndyrnat me 30%. Më pak u shtrenjtua bulmeti me 19%, sheqeri me 14% dhe mishi me 9%.
Ndërkohë që vendi përballet me nivel të lartë inflacioni, Banka Botërore ka parashikuar ulje ekonomike dhe një situatë të mundshme stagflacioni jo vetëm në Shqipëri.
Banka e Shqipërisë rriti pak ditë më parë normën bazë, për të dytën herë brenda pak muajsh që kur vendi ka shënuar rritje të inflacionit. Ky vendim i Bankës Shqiptare vjen si përpjekje për të luftuar inflacionin.
Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë e normën bazë të interesit, nga niveli 1.0% në nivelin 1.25%. Po ashtu rriti normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 1.9% në nivelin 2.25%; si dhe normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 0.1% në nivelin 0.25%.
“Rritja e çmimeve të produkteve, shtrëngimi i kushteve financiare dhe rritja e pasigurisë, kanë sjellë një rritje të fortë të inflacionit dhe kanë filluar të frenojnë ritmet e rritjes ekonomike”, u shpreh guvernatori i bankës së Shqiperisë Gent Sjeko në një njoftim për shtyp ditën e djeshme.
Guvernatori tha se analiza e kryer nga Banka e Shqipërisë dhe përditësimi i projeksioneve sugjeron se inflacioni në vend do të vijojë të mbetet i lartë gjatë vitit 2022.
“Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se rritja e inflacionit është rreziku kryesor që kërcënon rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të vijojë procesin e normalizimit të politikës monetare”, tha Sejko.
The post Inflacioni kap shifrën 7.4%, ushqimet dhe nafta pësojnë rritje të ndjeshme çmimi appeared first on Citizens.al.