HRW: “Marrëveshja për emigrantët është abuzive, krijon vakum ligjor dhe rrezik për të drejtat e njeriut”

Organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch” ka kritikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët që do të vendosen në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës.

Më 29 Janar, Kushtetuesja vendosi me 5 vota pro dhe 4 kundër pro kësaj marrëveshjeje, e cila u dërgua për shqyrtim nga një grup deputetësh të opozitës.

Organizata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut “Human Rights Watch” (HRW), thekson se kjo marrëveshje është abuzive në shumë aspekte dhe krijon vakum ligjor si edhe rrezikon emigrantët. HRW shprehet se marrëveshja shkel ligjin ndërkombëtar, që qëndron më lartë se Kushtetuta e Shqipërisë.

Marrëveshja i jep të drejtë Italinë të krijojë dy qendra me kapacitet për 3 mijë persona në muaj, ku do të trajtohen azilkërkuesit e kapur në det nga anijet bregdetare dhe ushtarake italiane.

Gratë, fëmijët dhe çdo person i kategorizuar si “i rrezikuar” do të jenë të përjashtuar nga ky trajtim.

“Sipas disa vlerësimeve, plani mund të kushtojë 700 milionë euro gjatë pesë viteve të para”, shprehet organizata ndërkombëtare.

Shkelja e të drejtave të njeriut, e cila ishte një ndër kundërshtitë e aktivistëve që protestuan, e thekson dhe organizata ndërkombëtare HRW.

“Përpjekja e fundit e Italisë për të larguar përgjegjësitë e saj ka gjasa të shkelë të drejtat e njeriut. Pas marrëveshjes abuzive me Libinë, Italia do të dërgojë njerëz që kanë arritur në Itali, jashtë BE-së”, thuhet në deklaratë.

Organizata e të drejtave të njeriut, shprehet se ky plan ka ngritur shumë pikëpyetje:

“Si do të ndikojë drejtimi i anijeve të shpëtimit italiane për të zbritur në Shqipëri, në vend të portave italianë më të afërt dhe të sigurta? A do të ndahen familjet? Ku, si dhe nga kush do të njihen burrat “të rrezikuar”? Si do të garantojë autoriteti italian procedurat e drejta të azilit ose shqyrtimin gjyqësor të ndalimit në Shqipëri?

Po ashtu reagimi rithekson paqartësinë ligjore, një problem i artikuluar dhe nga ekspertët në Shqipëri.

“Nuk është e qartë edhe çfarë ligji do aplikohet”, thotë organizata, pasi Italia është shprehur se do të zbatohet ligji italian dhe i BE-së, ndërsa Komisioni Evropian fillimisht tha se plani është “jashtë ligjit të BE-së”.

“Më pas ndryshoi qëndrim, duke thënë se do të monitorojë zbatimin për të vlerësuar ‘përshtatshmërinë me ligjin e BE-së’. Gjykata Kushtetuese shqiptare tha se do të aplikohet edhe ligji shqiptar në qendrat e ndalimit”, thuhet në reagimin e HEW, duke shprehur shqetësim për paqartësinë ligjore.

Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut paralajmëroi se “mungesa e sigurisë ligjore do të ndikojë me siguri në mbrojtjen e thelbësore të të drejtave të njeriut”. Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut tha javën e kaluar se marrëveshjet e ngjashme ekstra-territoriale kanë “shkaktuar vuajtje dhe dëm të madh“.

Ekstra-territorialiteti si dhe të drejtat e njeriut kanë qenë ndër pikat kryesore të argumentuara gjatë protestave të mbajtura për 3 javë, ku aktivistë të të drejtave të njeriut kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që ta rrëzonte këtë marrëveshje.

Organizata Humans Rights  Watch rekomandon që Komisioni Evropian të ndërhyjë, “si për të vlerësuar nëse plani është i përputhshëm me detyrimet e Italisë nën Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së dhe ligjin e azilit të BE-së, ashtu edhe për të dërguar një mesazh të qartë Shqipërisë që anëtarësimi në BE kërkon respektimin e këtyre standardeve”.