- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Hetimet e Prokurorisë zbuluan se mjekët e Onkologjikut shisnin ilaçet, pacientët pa kurën e duhur
Hetimet e Prokurorisë zbuluan se mjekët e Onkologjikut shisnin ilaçet, pacientët pa kurën e duhur
Operacioni “Rrugëtimi” i prokurorisë së Tiranës ka zbuluar skemën se si mjekët e Onkologjikut abuzonin me të sëmurët me tumor. Nga hetimet ka rezultuar se mjekët e Onkologjikut i transferonin pacientët drejt spitaleve private për qëllime përfitimi ekonomik. Si pasojë ajo lëshoi të martën 7 urdhër arresti për mjekët dhe specialistët e Onkologjikut, pasi këta të fundit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën.
Prokuroria ka lëshuar urdhër arresti për mjekun Edmond Gashi dhe Florian Markun, ndërsa detyrim paraqitje për Emiljano Lelën koordinator, Alketa Ymerin mjeke, Brikena Qirjazi, ish zv. drejtoreshë, Driona Kishta, ish specialiste dhe Halil Gashin.
Mbi ta rëndojnë veprat penale “Shpërdorim detyre”, “fshehje e të ardhurave” si dhe “tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
Ishin denoncimet e pacientëve që kanë çuar në zbulimin e kësaj skeme.
Operacioni ka ndaluar 16 shtetas, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, ku ndër të tjera bën me dije se “gjatë sekuestrimit të barnave personave të ndaluar, u zbulua se disa prej barnave janë medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e onkologjisë”. Referuar hetimeve, ka rezultuar se medikamentet i shisnin në farmacitë jashtë spitalit.
Hetimet zbuluan rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.
Ndër të tjera hetimi ka zbuluar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci, të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.
Prokuroria bën me dije se në vijim të hetimeve, ka gjetur se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tomorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.
Për përdorimin e kësaj aparature, duhet të krijohet një bunker, antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjensia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA.
Sipas hetimeve, ky bunker jo vetëm, nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.
“Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar, por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje”, njofton Prokuroria.
Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se janë shitur medikamentet në dy farmaci në Tiranë.
Një medikament për kimion është më shumë i kushtueshëm dhe flakoni varion nga 250 euro deri në 1500 euro.
The post Hetimet e Prokurorisë zbuluan se mjekët e Onkologjikut shisnin ilaçet, pacientët pa kurën e duhur appeared first on Citizens.al.