- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Gripi i shpendëve prek pelikanin kaçurrel të Prespës
Gripi i shpendëve prek pelikanin kaçurrel të Prespës
Tre pelikanë kaçurrel, specie e rrezikuar, kanë ngordhur në Prespën shqiptare si pasojë e gripit të shpendëve. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, virusi ka prekur mbi 340.000 shpendë deri tani, të cilat janë asgjesuar.
Pelikanët e gjetur në kufirin shqiptar, konstatojnë ekspertët, janë në fakt koloni e Prespës në anën greke që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë.
“Në Prespën e vogël, deri para tre ditësh që morëm informacionin kanë ngordhur rreth 1200. Te ne nuk kemi asnjë rast të konstatuar”, – pohon për Citizens Channel Ardian Koci nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Fier.
Numri i lartë i këtyre ngordhjeve në zonën e Greqisë është rast i paprecedentë dhe mjaft shqetësues, pasi mund të çojë në zhdukjen e kolonive, pohon Zydjon Vorpsi nga organizata mjedisore PPNEA (Protection and Preservation of Natural Environment in Albania) në Shqipëri.
Pelikanët e ngordhur lëvizin drejt territorit shqiptar pasi gjejnë habitat për të pushuar dhe për t’u ushqyer. Lëvizja e pelikanëve të infektuar rrezikon koloninë shqiptare. Sa i përket parandalimit, Ardian Koci shpjegon se e vetmja mënyrë është asgjësimi i trupave të shpendëve të ngordhur.
“Duhet heqja e karkasave si dhe asgjësimi i tyre. Kjo është një punë shumë voluminoze sepse karkasat mund të jenë të shpërndara në zona që nuk arrihet nga njeriu”.
Çfarë ka çuar në ngordhjen masive të pelikanëve?
Sipas ekspertit Zydjon Vorpsi, shkatërrimi i habitateve është një faktor madhor që ka çuar në shifra kaq të larta të ngordhjes së pelikanëve.
“Prishja e zonave të folezimit me zhvillim apo duke degraduar habitatin çon në grumbullime më të mëdhaja të pelikanëve. Në rastin e një virusi, dëmi është shumë më i madh sepse përhapet shumë më shpejt, ngarkesa virale është më e madhe”, – shpjegon Vorpsi për Citizens Channel.
Pelikanët i vizitojnë vazhdimisht kolonitë në vendet fqinje dhe kjo mund të çojë në përhapjen e virusit të shpendëve.
“Pelikani është lloj që folezon në koloni. Nuk është si shqiponja që është territoriale. Këto viruse mund të jenë shumë fatale, mund të çojnë deri në zhdukje të kolonive”, – përfundon ai.
The post Gripi i shpendëve prek pelikanin kaçurrel të Prespës appeared first on Citizens.al.