- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- “Gratë në STEM”- Jetmira Ymeralilaj:”Mungojnë hapësirat për kërkime shkencore”
“Gratë në STEM”- Jetmira Ymeralilaj:”Mungojnë hapësirat për kërkime shkencore”
Pasioni i saj për fizikën lindi që në fëmijëri. E joshte fakti që mund t’i jepte shpjegim çfarëdolloj procesi në natyrë, sesi ndodhte. Më pas, e ndikuar edhe nga mësuesi në gjimnaz, Fizika ishte zgjedhja e parë për studimet në universitet. Sot, ndjen keqardhje, kur mendon se kjo degë edhe mund të mbyllet.
“Si një person që e dua fizikën, kam frikë se shumë shpejt do humbasë si degë dhe besoj se do kalojmë te një bashkim i matematikës me fizikën, siç ka qenë” – thotë Jetmira Ymeralilaj, mësuese e fizikës në shkollën “Drita e Dijes”, në Berat.
Ymeralilaj tregon se aktualisht ajo nuk ka një licencë për të dhënë mësim në fizikë, pasi është e diplomuar në nivelin e masterit shkencor, por për arsye së në vend mungojnë strukturat për kërkime shkencore, u detyrua të përqafojë një zgjedhje të tillë.
“Jam në tentativë për të lëvizur, po analizoj tregun për ofertat jashtë! “- rrëfen Ymeralilaj, e cila është pjesë e një serie bisedash me gratë në STEM (Shkencë, Matematikë, Inxhinieri dhe Teknologji), te realizuar nga SCiDEV.
Fizika dhe kimia janë degët më problematike që rrezikojnë mbylljen në Universitetin e Shkencave të Natyrës. Vetëm 10 studentë janë regjistruar për fizikë në vitin 2022.
Sipas Qëndresës Qytetare bazuar tek te dhënat e portalit U-Albania, i cili ka detyrimin të publikojë dhe bëjë transparent regjistrimet në universitetet e vendit, 71.6% e programeve prioritare rrezikojnë të mbyllen pasi nuk plotësojnë numrin minimal prej 10 studentesh.
“Nga gjashtë vite arsim që punoj unë, asnjë nga nxënësit e mi nuk ka vijuar të studiojë për fizikë në universitet”- shpjegon Jetmira.
Sipas saj interesi për lëndën e fizikës ka rënë shumë për shkak edhe të metodave tradicionale të mësimdhënies.
“P.sh. ushtrimet që ne i punojmë duhen shoqëruar me ambiente laboratorike, për ti parë konkretisht proceset të cilat ne studiojmë. Kjo ndikon pastaj edhe te kërkesa për universitet sepse që të gjithë janë duke zgjedhur profesione të cilat do ti sigurojnë të ardhura të larta, p.sh. mjekësinë, përtej pjesës që e kanë pasion, pjesa dërrmuese e zgjedhin sepse siguron të ardhura të mira”, – analizon ajo.
Ymeralilaj pohon se nxënësit janë jo optimistë pasi shohin mundësi të pakta në tregun e punës nëse diplomohen për fizikë, edhe pse me një specializim shtesë me një diplomë të tillë mund të punosh edhe në bankë, si “IT”, në kompani që merren me përpunim materialesh etj.
“Sot kur bëhen diskutime në klasë qoftë për këshillimin e karrierës, se çfarë do zgjedhësh, ku i ke prirjet, janë që të gjithë të fokusuar në pjesën e inxhinierisë, financës, pra degë që kanë më shumë stabilitet në të ardhmen e afërt”- shton ajo.
Ymeralilaj thekson se edhe ajo vetë përveç kurseve që janë ndihmuese në periudha sezoni apo testimesh dhe mësimdhënien që po e ushtron tani, nuk ka pasur eksperienca në fushën shkencore pasi institucionet kërkimore në vendin tonë mungojnë.
“Nuk mund të quhesh dot fizikante këtu. Nuk po flas për flas për statsistika, apo matje për monitorimin e ajrit, ndotjes, apo të antenave, por studime të mirëfillta në shkencë, janë në mungesë totale në vend”- përfundon ajo.
Podcast: Jetmira Ymeralilaj në “STEMspressoxMuc”
The post “Gratë në STEM”- Jetmira Ymeralilaj:”Mungojnë hapësirat për kërkime shkencore” appeared first on Citizens.al.