- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Grafiti në Tiranë: “Shkatërruesit e spitaleve kurohen jashtë shtetit”
Grafiti në Tiranë: “Shkatërruesit e spitaleve kurohen jashtë shtetit”
Organizata Politike (OP) ka shkruar disa parulla nëpër muret e Tiranës të cilat japin mesazhe rreth krizës së sistemit shëndetësor dhe përfituesit e këtij shërbimi në Shqipëri.
“Të pasurit kurohen në Turqi, të varfrit vdesin në Shqipëri“; “Shkatërruesit e spitaleve kurohen në Turqi” ishin dy sloganet kryesore.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, OP sqaron se ky aksion u krye duke parë situatën në të cilën ndodhet Shqipëria disa muaj pas rasteve të para të konfirmuara me Covid-19, të cilat nxorën në pah disfunksionin e sistemit shëndetësor dhe disa raste ku politikanë apo persona që kanë përfituar kontrata PPP për shërbime esenciale të shëndetësisë, zgjodhën të kurohen jashtë sistemit që administrojnë.
“Teksa spitalet po mbushen me të sëmurë përtej kapaciteteve të tyre, teksa nuk mjafton stafi mjekësor, barnat për kurim e as rezervat e gjakut, Edi Rama vazhdon me pazaret e nisura prej kohësh për copëtimin e shërbimeve shëndetësore publike për përfitimin e privatëve“.
“Ata të pangopur oligarkë e politikanë që kanë ngrënë më shumë, ata hipin nëpër avionë privatë, ata shtrohen nëpër spitale private përtej kufirit, ata marrin trajtim privat shëndetësor të posaçëm e të specializuar“, shkruhet më tej në deklaratën e bërë.
Sipas Albina Rukos, aktiviste e Organizatës Politike, qytetarët me të ardhura të pakta janë të përjashtuar nga marrja e shërbimeve gjatë pandemisë.
“Padyshim që grupet më të përjashtuara nga aksesi në shërbimet shëndetësore është klasa punëtore, janë gratë e fasonerisë, janë anëtarët e komunitetit LGBTI, janë anëtarët e komunitetit rom, janë me mijëra punëtorë që nuk i kanë mundësitë për të marrë një shërbim mjekësor“.
Aksioni i djeshëm, bën me dije Ruko, ishte për të dhënë mesazhin se politikat e ndërmarra deri tani e kanë përkeqësuar shëndetësinë.
“Ne menduam që të shkruajmë disa grafiti në rrugë, për të dhënë mesazhin se shëndetësia në Shqipëri është duke shkuar drejt fundit“, përfundon Albina Ruko.
Studim: Punonjësit e spitaleve të pambrojtur nga COVID-19
Shoqata “Together for Life” ka kryer një studim rreth gjendjes së sistemit shëndetësor në Shqipëri gjatë periudhës së 6 maj – 3 qershor. Të dhënat e mbledhura nxjerrin në dritë mangësi të shumta që kanë shoqëruar procesin që prej shfaqjes së rasteve të para në Shqipëri.
Gjetjet kryesore:
1/3 e personelit deklaroi se institucionet kanë pasur mjetet mbrojtëse,
1/4 i ka pasur ato në sasi të mjaftueshme.
1/10 e personelit të përfshirë në anketë pohon se nuk kanë pasur fare mjete mbrojtëse
45% e stafit te spitale COVID-19 kanë marrë trajnime në kuadër të pandemisë, krahas të punësuarve në sistemin parësor. Spitale të tjera si ato bashkiake, rajonale, Spitali Universitar i Traumës dhe dy maternitetet “Mbretëresha Geraldinë” apo “Koço Gliozheni” nuk kanë marrë asnjëherë një trajnim të tillë.
3/10 e stafit nuk ndjehen aspak të sigurt e të mbrojtur në vendin e punës.
Shqetësimet kryesore të 306 punonjësve të shëndetësisë të anketuar janë: mungesa e masave mbrojtëse(84%); aplikimi për herë të parë i protokolleve në pandemi (82%); puna me orar të zgjatur (82%); distancimi fizik prej familjarëve si frikë (65%) dhe mundësia se mund të infektojnë të afërmit (94%).
The post Grafiti në Tiranë: “Shkatërruesit e spitaleve kurohen jashtë shtetit” appeared first on Citizens.al.