Gjykata Kushtetuese shfuqizon ligjin që ndalon zhvillimin e protestave pa lejen e policisë

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur të shfuqizojë nenin 262 të Kodit Penal, që ndalon protestat të cilat nuk marrin më parë leje nga Policia e Shtetit. Ky vendim vjen pas kërkesës së dërguar nga Gjykata e Apelit Shkodër.

Kushtetuesja kërkon: “Shfuqizimin e togfjalëshit “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, si i papajtueshëm me nenet 17, pika 1 dhe 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.

Kontradikta mes marrjes së lejes dhe njoftimit të policisë për të gjithë qytetarët që zgjedhin të protestojnë vjen pasi në fuqi ishin dy ligje, ligji nr.8773, datë 23.4.2001 dhe neni 262 i Kodit Penal.

Ligji nr. 8773 “Për tubimet” pohon se kushdo ka të drejtë të organizoje apo të marrë pjesë në protesta paqësore, duke paraqitur thjesht një njoftim tek Policia e Shtetit.

Ndërsa neni 262 i Kodit Penal, i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, thotë se qytetarët duhet të marrin leje në organet kompetente. Shkelja e këtij neni dënohet me gjobë deri në një vit burgim. Pjesëmarrja në këto tubime ishin po ashtu të dënueshme.

Komiteti teknik i ekspertëve lë në fuqi ndalimin e grumbullimeve

Komitet teknik ka vendosur të mbajë në fuqi masën që ndalon grumbullimet dhe lëvizjen pas orës 22:00-6:00. Ndërkohë, ka përfunduar karantina e detyruar për emigrantët që erdhën nga Maqedonia e Verit apo Greqia. Auditorët e universiteteve janë hapur për konsultime dhe provime.

Data pesë maj shënon 416 ditë të ndalimit të tubimeve dhe grumbullimeve në vend. Ky vendim u mor përmes një akti normativ të datës 15 mars, 2020 dhe shkelja e tij u dënua me 50 milion lekë të vjetra gjobë.

Gjatë kësaj periudhe, vendimi është shkelur nga vetë deputetët e të gjitha kaheve politike, duke kulmuar me mbledhjen e datës 27 prill, ku Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje patronazhistëve, koordinatorëve, deputetëve të bashkohen në shesh për të festuar mandatin e tret.

Thirrjes së Kryeministrit iu përgjigjën qindra qytetarë të cilët mbushën sheshin “Skënderbej”, pa ruajtur distancën fizike dhe pa mbajtur maskë.

Rama kërkoi publikisht falje për këtë veprim, por ende nuk dihet nëse Policia e Shtetit ka marrë masë administrative ndaj organizatorëve të Partisë Socialiste.

Standardet nuk kanë qenë të njëjta për qytetarët e tjerë, apo kandidatët e pavarur. Kandidati i pavarur i qarkut Lezhë, Iljaz Shehu dhe kandidati i pavarur i qarkut Dibër, Elton Debreshi janë gjobitur përkatësisht me 50 milion lekë gjobë për organizim të grumbullimeve të paligjshme.