Gjykata Kushtetuese: “Qeveria nuk u konsultua me publikun për projektin Skavica”

Gjykata Kushtetuese u shpreh sot në favor të tre organizatave që kundërshtojnë projektin e hidrocentralit Skavica, sa i takon cenimit të së drejtës për informacion për çështjet mjedisore. Megjithatë, ajo nuk e hodhi poshtë ligjin 38/2021, i cili i hap rrugë ndërtimit të hidrocentralit dhe u kundërshtua nga organizatat dhe banorët.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë kryer si duhet konsultimin me publikun dhe nuk kanë garantuar pjesëmarrje efektive te komunitetit në fazën e hartimit të projektligjit.

“Në lidhje me themelin, Gjykata vlerësoi se ligji nr. 38/2021 ka të bëjë dhe sjell ndikim, ndër të tjera, edhe në çështjet e mjedisit. Gjatë procesit gjyqësor nuk u provua se Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave, para miratimit të ligjit, të kenë zbatuar të drejtën e informimit për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Gjykata u shpreh se nuk ka juridiksion për të shqyrtuar vendimin e Këshillit të Ministrave (vendimi nr. 485, datë 30.07.2021) , por mund të shqyrtojë vetëm ligjin nr.38/2021.

Sipas vendimit, meqë ligji ndodhet ende në fazën e parë të zbatimit të tij, këto shkelje mund të riparohen në vijim duke përfshirë publikun në informacion dhe vendimmarrje.

Sipas Ferzileta Gjikës, nga organizata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”, Gjykata Kushtetuese ka dalë jashtë funksionit të saj, duke u bërë një organ këshillimor në funksion të palës dhe jo vendimmarrës siç e ngarkon Kushtetuta.

“Është një rast i paprecedentë me këtë lloj vendimmarrjeje. Nëse do ta quante shkelje procedure të ligjit, do ta kishte shfuqizuar si ligj, ligjin 38/2021 dhe jo të riparohet me fazën e dytë, domethënë me ligjin tjetër. Është një akt i pavlefshëm, mbetet i tillë dhe nuk mund të bëhet i vlefshëm më pas. Fakti që nuk është shprehur për shfuqizim, ligji mbetet në fuqi. Thjesht është një rekomandim për fazën tjetër dhe kjo është një absurditet. Gjithashtu kjo i le hapësirë “Bechtel” ose qeverisë që të manovrojë me taktika të tjera për ta bërë këtë fazë më të lehtë për ta”,– shprehet Ferzileta Gjika për Citizens Channel.

Ndërsa shprehet se do të vijojnë luftën më tej për këtë çështje.

Tre organizata, “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”, shoqata “Për mbrojtjen e pronave dhe mjedisit të pellgut të Drinit të Zi” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit dorëzuan padinë në Gjykatën Kushtetuese kundër ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës.

Ata kundërshtuan ligjin 38/2021, i cili sipas tyre i siguron kompanisë “Bechtel” një fuqi për të ndërtuar Skavicën. Ndërkohë që banorët dhe përfaqësuesit e organizatave shprehen se nuk ka pasur konkurrencë të lirë dhe kjo është në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në korrik të vitit 2021 Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) nënshkroi kontratën me kompaninë amerikane “Bechtel”  për të ndërtuar hidrocentralin Skavica me kapacitet 210 megavat. Sipas KESH-t, kjo vepër do ta kthejë Shqipërinë në vendin lider në rajon të energjisë elektrike.

Banorët e Dibrës dhe organizata mjedisore kanë kundërshtuar këtë projekt, ndërsa janë organizuar në protesta vitet e fundit në Tiranë, Dibër e Londër.

Në prill të vitit 2022, dhjetëra dibranë protestuan përballë kryeministrisë kundër Skavicës, duke e cilësuar si një projekt që fundos Dibrën dhe historinë e këtij rajoni.

Në shtator të vitit 2022, dibranët protestuan në fshatin Fushë-Alie dhe adresuan mungesën e informacionit dhe neglizhimin e komunitetit nga ana e institucioneve shtetërore. Ata pohuan se kanë dëgjuar për këtë projekt vetëm në media, por nuk kishin dijeni rreth planit të zhvendosjes dhe dëmshpërblimet.

Në tetor 2022, anëtarë të grupimit “Opposition to Skavica Dam” protestuan në Londër kundër ndërtimit të hidrocentralit Skavica në lumin Drin i Zi. Tubimi u mbajt përballë ndërtesës ku po zhvillohej një panair për përzgjedhjen e nënkontraktorëve nga kompania Bechtel.