- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Gjykata Kushtetuese pezullon ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar
Gjykata Kushtetuese pezullon ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot vendimin e qeverisë për të kaluar në pronësi të Bashkisë Tiranë Teatrin Kombëtar, duke e konsideruar këtë vendim si të papajtueshëm me kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
“Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën”,-thuhet në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.
Po ashtu Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë ligjin që i hapi rrugë ndërtimit të godinës së re të Teatrit Kombëtar, duke e konsideruar po ashtu të papajtueshëm me kushtetutën.
“Gjykata Kushtetuese vendosi: Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën”.
Mes të tjerash Gjykata ka lënë në fuqi vendimin e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar më 17 maj 2020.
“Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën“,-u shpreh Gjykata.
Vendimet e sotme të Gjykatës vijnë pak ditë nga momenti kur kreu i Bashkisë Tiranë Veliaj bëri me dije miratimin e lejes nga Këshilli Kombëtar i Territorit për nisjen e punimeve për Teatrin e Ri Kombëtar.
The post Gjykata Kushtetuese pezullon ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar appeared first on Citizens.al.