Gjykata Kushtetuese miraton marrëveshjen Rama-Meloni

Me 5 vota pro dhe 4 kundër, Gjykata Kushtetuese u shpreh në favor të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, duke i dhënë të drejtë qeverisë.

Gjykata e ka cilësuar kështu marrëveshjen në përputhje më Kushtetutën, pavarësisht kundërshtive të qytetarëve, opozitës dhe organizatave ndërkombëtare.

Gjatë seancës një grup qytetarësh u mblodhën përpara Gjykatës Kushtetuese për të tretën herë duke bërë thirrje që kjo marrëveshje të mos kalojë.

Ata përsëritën argumentet kundër dhe u shprehën se vendimi që do të marrë Gjykata mbi këtë rast “do të tregojë dhe seriozitetin e këtij institucioni”.

“Kjo marrëveshje është thelbësisht e gabuar dhe kundër interesit të këtij vendi”, u shpreh aktivitsja Arlinda Lleshi.

E pranishme ishte dhe një aktiviste nga Italia që merret me çështjet e emigrimit. Ajo u shpreh se “kjo marrëveshje nuk i jep të drejta dinjitoze emigrantëve dhe as popullit shqiptar”. 

Ajo u shpreh se edhe qendrat në Itali që trajtojnë emigrantët janë në kushte shumë të këqija dhe mungojnë shërbimet.

Kësisoj, nisur nga ky fakt ajo shprehur shqetësimin e saj se si mund të trajtohen këta emigrantë edhe në Shqipëri.

Marrëveshja parashikon ngritjen e dy kampeve, një në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të emigrantëve dhe një qendër në Gjadër, ku personat do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit.

Edhe Dhoma e Deputetëve në Itali miratoi dy projektligje për ratifikimit të marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët, që parashikon hapjen e dy CPR-ve në territorin shqiptar, për të pritur 3000 emigrantë

Më 18 janar, 31 organizata lokale dhe ndërkombëtare hartuan një opinion miqësor për gjykimin e kësaj marrëveshje, duke renditur disa pika ku shkelet Kushtetuta.

Edhe organizata ndërkombëtare Amnesty International (AI) theksoi përmes një deklarate se kjo marrëveshje i tejkalon kufijtë ligjorë.

Po ashtu,  ekspertët e ligjit dhe të emigracionit janë shprehur kundër kësaj marrëveshje, duke u thënë se autoritetet italiane nuk garantojnë në terma praktikë zbatimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen nga diskriminimi i emigrantëve.