“Gjykata dëgjon thirrjen e Thirrës”, pezullohet hidrocentrali dhe fabrika e ujit

Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë vendosi pezullimin e punimeve për hidrocentralin dhe fabrikën e ujit në Thirrë të Mirditës.

Në shkurt të 2023 gjykata Administrative e Shkallës së parë e konsideroi të pavlefshëm vendimin për ndërtimin e hidrocentralit që prekte tre fshatrat Thirrë, Hebë dhe Sang, megjithatë në këtë zonë vijonin punimet dhe shfrytëzimi i ujit.

Sipas avokatit që po ndjek çështjen, Adratik Lapaj, ky është një vendim që nderon sistemin tonë gjyqësor.

Adriatik Lapaj, avokat

“Është një vendim që e ngre gjykatën tonë në nivelin e ligjit, kushtetutës dhe përgjegjësisë për të cilin ai institucion duhet të ekzistojë. Është vendim i drejtë, i bazuar tërësisht në kushtetutën tonë në ligjet tona dhe në praktikën e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”-u shpreh Lapaj për Citizens Channel.

Më 12 maj 2023, 166 banorë të tre fshatrave dorëzuan kërkesën për sigurim padie, ku kërkuan ndalimin e punimeve për ndërtimin e projekteve:

  1. HEC Thirrë, për të cilin janë miratuar Leja për Përdorim të Burimit Ujor, Nr.16, dt.27.04.2017, të Këshillit të Basenit Ujor Mat, dhe VNM paraprake, Nr.103, të miratuar me Vendimin Nr.07, dt.21.02.2017;

  2. Fabrika e ujit me destinacion: “Ambalazhim në shishe ose enë”, për të cilën është miratuar Leja për Përdorim të Burimit Ujor, Nr.03, dt.27.02.2017, të Këshillit të Basenit Ujor Mat, ndryshuar me Vendimin Nr.10, dt.22.12.2017 dhe VNM paraprake, Nr.665, të miratuar me Vendimin Nr.56, dt.07.11.2016.

Sipas avokatit Lapaj kjo është një fitore sa i përket çështjeve mjedisore.

“Me thënë të drejtën, gjykata kanë bërë mirë punën e vet sepse janë procese të ndërlikuara të cilat kërkojnë veprime proceduariale të caktuara me ekspertë, por sigurisht që do të duhej të procedohej më shpejt në raste të tilla kur bëhet fjalë për çështje mjedisore. Gjithsesi, pavarësisht vonesave unë mendoj që kjo është një fitore e madhe e kauzës mjedisore në Shqipëri, por edhe qytetarëve sepse është një model që i shërben shumë të ardhmes”,-përfundon Lapaj.

Përpjekjet e banorëve kundër lejes së shfrytëzimit të burimeve ujore 

Në shkurt të 2023, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë e konsideroi të pavlefshëm vendimin për ndërtimin e hidrocentralit dhe të fabrikës së ujit. Çështja kaloi në apel pas ankimimit nga pala e ndërtueseve të këtyre dy objekteve.

Edhe pse një çështje në proces gjykimi, punimet vijonin dhe si rrjedhojë edhe shfrytëzimi i burimeve ujore të zonës.

Banorët iu drejtuan Gjykatës Administrative për shfuqizimin e lejes për përdorim të burimeve ujore, të dhënë nga Këshilli i Basenit Ujor Mat. Mirëpo, gjatë procesit gjyqësor lejet e shfrytëzimit të burimeve ujore e përfunduan afatin dhe gjykata arsyetoi se nuk mund të shfuqizonte një akt që nuk ka më fuqi.

Arsyetimi i Gjykatës për shfuqizimin e lejes së ujit

“Gjykata ktheu përgjigje që leja e dhënë nga Këshilli i Basenit Ujor Mat, ka mbaruar, është e shfuqizuar dhe gjykata nuk mund të shfuqizojë një leje që i ka mbaruar afati, se quhet juridikisht e shfuqizuar. Dhe gjykata shfuqizoi VNM e dhënë nga Agjencia kombëtare e Mjedisit, e quajti absolutisht të pavlefshëm”, -shprehet për Citizens Channel Besnik Paçi, një ndër banorët më të zëshëm të çështjes.

Në mars të vitit 2022, ata i drejtuan një kërkesë Prefektit të Qarkut Lezhë, Këshillit të Basenit Ujor Mat, Bashkisë Mirditë dhe Njësisë Administrative Fan, ku kërkuan pajisjen e Njësisë Administrative Fan me leje për përdorim të burimit ujor për ujë të pijshëm, për vaditje dhe për blegtori.

Kërkesa e banorëve për leje për shfrytëzimin e burimeve ujore.

Kërkesa e banorëve për leje për shfrytëzimin e burimeve ujore.

Kërkesa e banorëve për leje për shfrytëzimin e burimeve ujore.

Kjo kërkesë sipas banorëve nuk u mor parasysh, pasi institucionet e rinovuan lejen e përdorimit të ujit ndaj shoqërisë “Sang 1 sh.p.k”, gjatë kohës që çështja ishte në gjykim.

“Zbatimi i lejes nuk duhet të pengojë prodhimin dhe furnizimin me ujë të pijshëm të popullatës, plotësimin e nevojave për ujitje, sipas kërkesave të organeve të vetëqeverisjes”,-thuhet në vendimin e Këshillit të Basenit Ujor Mat, për rinovimin e lejes për shoqërinë “Sang 1” sh.p.k.

Banorët e vijuan betejën e tyre duke iu drejtuar përfaqësuesve të pushteteve vendore dhe qëndore, përkatësisht kryeministrit Edi Rama, Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolli dhe Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja. Prej të cilëve nuk morën asnjëherë përgjigje.

“Në mungesë të planit të menaxhimit të Basenit Ujor, në mungesë të një inventari lidhur me nevojat e zonës për ujë të pijshëm dhe ujë për bujqësi e blegtori, nga ana e organeve kompetente nuk duhet të jepet asnjë leje për përdorim të burimeve ujore për destinacione të tjera pa garantuar nevojat jetësore të banorëve të zonës ”,-theksojnë në letrën drejtuar përfaqësuesve shtetërore banorët e zonës.

Ndërsa, Bashkia Mirditë u shpreh se tokat bujqësore në fshatrat Thirrë, Sang dhe Hebë kryhen me rrjedhje të lirë nga përrenjtë, lumenjtë dhe burimet e ndryshme në afërsi të fshatrave, duke vënë në pah nevojën e banorëve të këtyre fshatrave për të shfrytëzuar këto burime ujore.

Përgjgia e bashkisë Mirditë

Dy vite rezistencë ligjore dhe qytetare 

Që prej prillit të vitit 2021, komuniteti i zonës u organizua kundër ndërtimit të hidrocentraleve dhe një fabrike uji.

Sipas banorëve kompania kishte filluar punën me firma të falsifikuara të banorëve. Ata rrëfyen se asokohe u ishte thënë se hidrocentrali do të ndërtohej poshtë zonës së tyre, duke mos u prekur drejtpërdrejt në veprimtarinë e tyre bujqësore dhe agrikulturore.

“Është bërë tinëz mbledhja, siç janë verifiku letrat, një vendim është në mars në këshill të bashkisë, tjetri ka ardh dëgjesa është bërë formale te shkolla e Thirrës, me 7-8 vetë edhe disa të tjerë i kanë rrejt. Kanë thënë do bëhet hidrocentrali poshtë tunelit dhe andej nuk ju prek ju. Edhe ata që kanë firmos, një pjesë e madhe janë tërheq”,- i tha Citizens Channel një nga banorët gjatë protestës së prillit 2021.

Pas protestës së banorëve, policia shoqëroi 33 protestues dhe arrestoi 4 prej tyre për shkak të protestës së paligjshme dhe bllokimit të lëvizjeve të mjeteve në aksin Milot-Morinë.

Kompania që po ndërton HEC-in në Thirrë të Mirditës, me një vendim të 26 qershorit 2019 ka marrë licencën për aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike për një afat 5-vjeçar.

Banorët kanë ndjekur edhe rrugën ligjore. Më 25 shkurt 2023, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë e konsideroi të pavlefshëm vendimin për ndërtimin e hidrocentralit në fshatin Thirrë të Mirditës. Ndërsa së fundmi u pezulluan edhe punimet deri në përfundim të gjykimit.