Gjashtë familje në Bërxullë në qiell të hapur, presin bonusin e qirasë

“Pavarësisht se shtëpitë kanë qenë të pa legalizuara, gjashtë shtëpitë e fundit, kanë marrë bonusin e qirasë për t’u sistemuar fillimisht” – tha një javë më parë ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë inspektimit të aksit rrugor Thumanë – Kashar,  pjesë e korridorit Blu. Por duket se jo të gjithë banorët e prekur kanë përfituar nga skemat e mbështetjes.

Citizens, i kontaktuar nga një grup banorësh që tashmë ndodhen në qiell të hapur, ishte në terren për të konfirmuar gjendjen e tyre të strehimit.

Gjashtë familje, me rreth 40 anëtarë, në Bërxullë, konkretisht pranë “Urës së Limuthit”, po flenë dhe po kalojnë ditët në disa kontejnerë dhe çadra plastmasi, që kanë vendosur në oborret e shtëpive tashmë të shembura.

“Propozimi që kanë bërë këta është qesharak, më duket absurde! D.m.th. thjesht një bonus qiraje, deri në tre vjet, pastaj për punën e shtëpisë sociale thotë kur të dali, kur ta nxjerri shteti si vendim, me anë të VKM – së” – tha për Citizens Edmond Haka.

Përsa i përket shtëpive sociale, Balluku ka theksuar gjatë inspektimit se është detyrim i Bashkisë së Vorës. Vetë banorët kanë pranuar për Citizens së kanë qenë të detyruar dhe kanë firmosur nën presion për të pranuar bonusin e qirasë.

“E kemi firmosur me imponim, jo nën dëshirën tonë, se ngaqë shteti nuk u përgjigj në asnjë mënyrë, as Bashkia jo” – thekson Haka.

Ndërsa ende e kanë të paqartë se kur do të nisë bonusi i qirasë, Sara Haka, studente e drejtësisë i duhet të studiojë për sezonin e provimeve nën rrënojat e banesës së shembur.

“Kemi mbetur këtu në mes të katër rrugëve, në qiellin e hapur ku flemë, për të mësuar, për tu larë, për tu pastruar, nuk kemi asnjë kusht të vetëm, përveçse të flemë natën këtu nën hijen e çadrës, ku kemi mbetur vetëm, pa asnjë përkrahje nga shteti, nga askush” – rrëfen Sara.

I parashikuar të jetë i hapur më 30 qershor aksi “Thumanë – Fushë Krujë – Vorë – Kashar”  ka kushtuar plot 226 miliardë lekë. Kohëzgjatja e kontratës së koncesionit është parashikuar 13 vjet dhe operatori ekonomik zbatues është komapnia “Gener 2 shpk”.

Kalimi në këtë rrugë do të jetë me pagesë, vlera e të cilës do varet nga lloji i mjetit, por që nuk do të jetë më poshtë se 2.1 euro. Ndërsa për banorët kalimi do të jetë pa pagesë, por do ketë edhe rrugë alternative.

Thumanë-Kashar, është aksi i dytë në vend pas asaj të rrugës së Kombit, që bëhet me pagesë.

Autostrada e re do të kalojë në zonat urbane dhe gjysmë-urbane të Thumanës, Fushë Krujës, Rinasit dhe Vorës dhe do të lidhë 2 pika: segmentin me katër korsi në Thumanë në veri (fillimi i projektit) me autostradën Tiranë-Durrës në jug (fundi i projektit).