Gjashtë ditë më pak pushime; Lëvizja Bashkë denoncon kushtet e punës gjatë verës

Pa u konsultuar me asnjë grup interesi dhe krejt në heshtje, Kuvendi ka ndërhyrë në Kodin e Punës duke reduktuar pushimet vjetore. Në seancën parlamentare të së enjtes, më 25 korrik, Kuvendi i Shqipërisë vendosi të ndryshojë nenin 92, pika 2 të Kodit të Punës duke zvogëluar me gjashtë ditë, numrin e ditëve të pushimeve vjetore për të punësuarit.

“Në nenin 92, pika 2, togfjalëshi “4 javë kalendarike” zëvendësohet me togfjalëshin “22 ditë kalendarike”,-thuhet në ndryshimet e propozuara.

Sindikata e call-centerave (SKOT) e denoncoi këtë ndryshim, duke theksuar se heq edhe të drejtën e marrjes së lejes javore.

“Duke ju dhënë mundësi pronarëve të call- centerave që ditët që ata nuk kanë punë të na thonë merre leje të zakonshme sot. Pra ju jepet e drejta që të na japin këtë leje të zakonshme qoftë edhe për një ditë. Këtë ditë mund ta paguajnë me pagën më të ulët që ata kanë, pra nëse një ditë para ke punuar 4 orë, ditën e nesërme që ke leje të zakonshme ta paguan prapë me 4 orë pavarësisht se e ke kontratën 6 apo 8 orarëshe”- u shpreh Ilir Xhemalaj nga SKOT.

Sipas tij, ky ndryshim ligjor ka kaluar në heshtje, pa asnjë konsultim me sindikatat.

Edhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë e konsideron këtë ndërhyrje si “plotësim oreksi për drejtuesit e bizneseve në kurriz të punëmarrësve dhe justifikim për të zgjatur kthetrat e pronarëve për të shkurtuar më shumë të drejtat e punonjësve”.

Tani fillon arbitrariteti i punëdhënësit për të dërguar punonjësit me pushime të detyruara sa herë që ata duan, pa marrë parasysh nevojat, shqetësimet apo dëshirat e tyre”, – thotë KSSH.

Të njëjtin shqetësim ndau edhe Arlind Qori, i cili u shpreh se një masë e tillë prek sidomos punëtorët e fasonerisë dhe punëtorët e hoteleri-turizmi.

“Një masë e tillë prek sidomos punëtorët e fasonerisë dhe punëtorët e hoteleri-turizmit të cilët nuk e kanë të shtunën pushim.të cilët nuk e kanë të shtunën pushim. Madje në shumicën e rasteve nuk e kanë as të dielën pushim”.

Lëvizja Bashkë denoncon kushtet e punës

Aktivistë të Lëvizjes Bashkë, përmes një deklarate para Kryeministrisë denoncuan kushtet në të cilat punojnë punëtorët në ditët e nxehta të verës.

Sipas tyre qëndrimi jashtë në orët e nxehta të verës për punëtorët e ndërtimit sjell probleme shëndetësore deri në humbje jete.

 “Sot punëtorët e ndërtimit janë të detyruar të punojnë në majë të skelave, të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre sepse qeveria jonë, atë të drejtë që jua ka njohur punonjësve të administratës, punën me orare të reduktuara gjatë ditëve të nxehta, nuk jua njeh punëtorëve të sektorit privat”, – u shpreh Arlind Qori, përfaqësues i Lëvizjes Bashkë.

Përpos sektorit të ndërtimit, ata sollën në pah edhe kushtet e punëtorëve të hoteleri-turizmit dhe fasonerive të cilët kanë mungesë të kontratave të punës, punojnë në orare të zgjatura dhe nuk ju paguhen orët shtesë.

“Shumica e punëtorëve sidomos të sektorit të hoteleri-turizmit nuk kanë kontratë pune, punojnë me orare të zgjatura. Nuk ju paguhen 25% shtesë orët e punës mbi tetë orëshin. Nuk ju paguhet shtesë puna në turnit e dytë që duhet të jetë e paguar mbi 20% të orës së punës normale. Ashtu sikundër nuk ju paguhet 50% shtesë puna në turnin e tretë”, – shtoi më tej Qori.

Ai ngriti nevojën për tu organizuar sindikalisht, ndërsa theksoi se kjo deri më tani ka sjellë kosto për punëtorët.

“Punëtorët ndihen të kërcënuar në qoftë se ngrejnë zërin. Nëse marrin guximin për të themeluar një sindikatë pronari i tyre do ti pushojë menjëherë nga puna, ndonëse kjo është e paligjshme”, -theksoi Qori.

Ndërsa i bënë thirrje qeverisë të veprojë për situatën dhe Inspektoriatit të Shtetit që të kryejë monitorime të shkeljes së të drejtave në punë.

“Bëj thirrje që qeveria e Republikës së Shqipërisë të marrë të njëjtat masa që kanë marrë qeveritë e rajonit. Të kufizojë orët e punës gjatë ditëve të nxehta të verës, pa ulje page për punëtorët. Ne i bëjmë thirrje Inspektoriatit të Punës që të bëjë punën për të cilën paguhet dhe jo të flejë gjumë”,-përfundoi Arlind Qori.