Ftuan Kryeministrin në protestë, katër aktivistë shoqërohen në komisariat

Katër aktivistë u shoqëruan sot në Komisariatin numër 4 në Tiranë, pasi tentuan të ftojnë Kryeministrin Rama në protestën kundër skandalit në spitalin Onkologjik.

Aktivistët i kujtuan Kryeministrit Rama premtimet e vitit 2013 për shëndetësi falas, duke vendosur fjalët e tij në megafon, në momentin kur doli nga takimi me drejtuesit e pavioneve në QSUT.

Avokati Gentjan Serjani nuk u lejua të takonte aktivistët në komisariat.

“Si avokat i tyre shkova dhe kërkova që të kontaktoja me të katërt të ndaluarit, Edison Lika, Sidorela Vatnikaj, Igli Llapaj dhe Erli Lama, por nuk u pranova si avokat i tyre për të pasur një kontakt me ta, duke arsyetuar që do të kryhen veprimet dhe do të dalin shumë shpejt”,-deklaroi Serjani.

Sipas tij ata nuk kanë kryer asnjë vepër penale.

“Ata thjesht donin që t’i jepnin njoftimin Kryeministrit tonë shqiptar për çfarë ka ndodhur dhe për të reaguar bashkë me qytetarët, por fatkeqësisht ne pamë që ashtu siç ka ndodhur edhe herë të tjera kryeministri nuk lejon askënd nga qytetarët shqiptarë që të reagojë apo kundërshtojë veprimet e tij edhe kur bëhet fjalë që janë veprime të padrejta dhe veprime të paligjshme”.

Pas më shumë se dy orësh aktivistët u liruan nga Komisariati, ndërsa u shprehën për Citizens, se janë shoqëruar në Komisariat për pengim të aktivitetit të Kryeministrit.

“Mesa na kanë thënë jemi shoqëruar për llogari të krimeve. Aty është marrë urdhri për shoqërimin tonë për shkak se kemi penguar aktivietetin e Kryeministrit Rama. Na është marrë deklarimi pse ne kemi qenë aty. Kemi përsëritur faktin që qëllimi ynë ka qenë vetëm ftues kundër kryeministrit Rama për të potestuar bashkë me ne kundër mjekëve të korruptuar dhe pushtetit të korruptuar”,-u shpreh Sidorela Vatnikaj, një nga të rejat e shoqëruara në Komisariat.

Për Edison Likën, aktivistin tjetër të shoqëruar në Komisariat, ky akt ishte për t’ë’i kërkuar institucioneve dhe Kryeministrit të mbajë përgjegjësis për situatën e krijuar në spitalin Onkologjik.

“Ishim të vetëdijshmë se kjo do të ishte thjesht farsa e rradhës, ku ai do të bënte moral dhe gjyq popullor para mjekësve për të shpëtuar edhe njëherë veten nga të gjitha skandalet e mundshme. Ne ishim aty për ti thënë që ai që e krijoi këtë sistem kryekëput të korruptuar dhe krijoi këtë njeriun e ri, mjekun e ri në këtë sistem është vetë kryeministri dhe sigurisht që duhet të mbajë përgjegjësi për secilin prej këtyre ngjarjeve që kanë ndodhur”,– u shpreh Edison Lika.

Përfaqësues të shoqërisë civile deklaruan se kjo qasje e institucioneve policore është e padrejtë, për aq kohë sa mjekët që kanë bërë terror në Onkologjik janë ende të lirë.

“Ndërkohë ata të cilët ju është marrë liria dhe ndodhen brenda qelive janë katër të rinj që kërkuan llogari ndaj kryeministrit për ti thënë që Onkologjiku ka mungesë pajisjesh, Onkologjiku ka mungesë mjekimesh dhe është kaq e pamundur të flasësh me Kryeministrin e këtij vendi sa të rinjtë të cilët ju afrohen qoftë edhe në mënyrë ironike për ti bërë pjesë të aktivitetet dhe të protestës pasi kryeministri aty nuk mbajti asnjë përgjegjësi për veten e vet, por e shkarkoi të gjithën te mjekët që sigurisht kanë pjesën e tyre të fajit, por nuk mundet që askush të distancohet dhe t’ia hedhë paq kësaj situate”,- tha Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare.

Në orën 19:00 të kësaj të hëne aktivistët kanë thirrur sërish protestë para Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ata kërkojnë marrjen e përgjegjësisë nga institucionet dhe shkarkimin e ministres së shëndetësisë. Pak ditë më parë pas një hetimit nga Prokuroria e Tiranës shtatë mjekë dhe specialistë të spitalit Onkologjik dyshohet se janë përfshirë në një skemë korrupsioni në kurriz të të sëmurëve me kancer.

Sipas Prokurorisë ilaçet nxirreshin jashtë spitalit publik dhe shiteshin në disa farmaci në Tiranë. Disa prej pacientëve nuk ju ofrohej shërbimi dhe drejtoheshin te klinikat private të onkologut Edmond Gashi, por edhe biseda ku mjekët planifikonin pushime në destinacione turistike në varësi të operacioneve që kryenin çdo ditë.