- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- FMN ngre shqetësime për “flluskën e ndërtimeve”, aministinë fiskale dhe inflacionin
FMN ngre shqetësime për “flluskën e ndërtimeve”, aministinë fiskale dhe inflacionin
Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë ka ngritur shqetësime mbi tregun e pasurive të paluajtshme.
Raporti përmend rritjen e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme si edhe hyrjen e parave të huaja në këtë sektor.
Bordi i Drejtorëve të FMN-së e thekson se është e rëndësishme të rritet vigjilenca ndaj politikave të stabilitetit financiar.
“Për të arritur një ekuilibër primar në vitin 2023 dhe theksuan nevojën për një konsolidim fiskal afatmesëm më ambicioz, i mbështetur nga një strategji e shëndoshë afatmesme e të ardhurave, e cila duhet të finalizohet dhe zbatohet pa vonesa të mëtejshme”, është shprehur bordi drejtues i FMN.
Sektori i ndërtimeve ka ngritur edhe më herët shqetësime për pastrim parash, si nga raporte ndërkobmëtare po ashtu edhe nga ekspert të ekonomisë.
Në 9 muajt e fundit, vetëm Bashkia Tiranë ka dhënë leje ndërtimi për një sipërfaqje 1.46 milionë metër katror.
FMN përmend se “mungesa e të dhënave të besueshme e pengon Bankën Shqiptare të monitorojë siç duhet rritjen me ritme të shpejta në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të zhvillojë politika makroprudenciale përkatëse”.
Një tjetër problem i ngritur në raport është edhe amnistia fiskale. FMN i ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare për të përmirësuar reformat në drejtësi. Po ashtu raporti vë në dukje luftën kundër informalitetit.
Fondi Monetar e vlerëson ekonominë informale me pothuajse 32% të ekonomisë totale, e barabartë me 17 miliardë dollarë të PBB-së. FMN foli sërish kundër amnistisë së propozuar tatimore, duke pasur parasysh rreziqet e qeverisjes dhe pastrimit të parave.
Amnistia fiskale është një nismë e qeverisë shqiptare që ka hasur në kundërshti, pasi parashikon që çdo shtetas i huaj apo shqiptar mund të depozitojë deri në 2 milionë euro para të padeklaruara në sistemin bankar duke përfituar imunitet ligjor mbi burimin e të ardhurave, në këmbim të një takse prej 5-10%. FMN ngre shqetësimin se kjo skemë mund të përdoret për pastrim parash.
Raporti ka ngritur si shqetësimin edhe çështjen e inflacionit. Qytetarët shqiptarë janë përballur këte vit me vlerën më të lartë të inflacionit në dy dekada. Sipas FMN-së, çmimet do të vijojnë të rriten edhe në vitin 2023. Raporti parashikon një rritje të çmimeve me 5.4% në 2023 teksa vlerëson se rritmi i rritjes së çmimeve do të ngadalësohet.
The post FMN ngre shqetësime për “flluskën e ndërtimeve”, aministinë fiskale dhe inflacionin appeared first on Citizens.al.