Emigrimi boshatis bankat e shkollave në Kukës

Të dhënat e fundit zyrtare mbi numrin e banorëve në bashkinë Kukës janë ato të censit të vitit 2011. Më shumë se një dekadë më parë, Kukësi kishte 47.985 banorë, shifër e cila sot është tkurrur si pasojë e emigrimit masiv të të rinjve.

Emigrimi masiv ka prekur veçanërisht shkollat. “Nuk e mendoja që do të kishte këtë zbrazje”, – thotë për Citizens Channel Besmir Muslia, mësues biologjie në fshatin Orgjost të Kukësit. “Pas disa vitesh unë do të mendoj për profesionin, ku do jem mësues”, – vijon ai.

Besmir Muslia, mësues biologjie në shkollën “Hamdi Pelivani”

Të dhënat nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, të siguruara nga Citizens Channel, tregojnë se përgjatë katër viteve të fundit në Kukës janë mbyllur gjashtë shkolla 9-vjeçare. Emigrimi masiv e ka tkurrur sistemin arsimor me 17% në vetëm pesë vite.

Shifrat po ashtu tregojnë se numri i nxënësve bie drastikisht pas mbarimit të shkollës 9-vjeçare. Prej viteve 2019-2023, në total në shkollat 9-vjeçare kanë ndjekur studimet 22.027 nxënës, ndërsa shifrat e nxënësve në total për ato vite në arsimin e mesëm bie në 7.340 nxënës.

Besmir Muslia mendon se shkaku kryesor që po i shtyn të rinjtë drejt emigrimit dhe që çon në një neglizhim të plotë të arsimi, janë kushte ekonomike.

Arsimin nuk e shohin më si një vlerë me anë të të cilit ata mund të ndërtojnë ekonominë, të ardhmen e tyre. Fëmijët jetojnë në vështirësi të mëdha, sidomos në fshatrat e veriut. Emigracioni është që i ka dhënë një frymë”, - shton ai.

Sociologia Eris Dhamo sqaron se ndonëse emigrimi është një proces natyral i çdo shoqërie, në Shqipëri mbetet një fenomen shqetësues cili nuk është adresuar me hartim politikash që kanë si synim parandalimin e ikjes së pjesës më vitale të shoqërisë.

Këtu do mbeten ose këta të vegjlit fare, ose këta të moshuarit; baza e piramidës dhe maja e piramidës. Kjo është një shqetësim”, - shtjellon ajo për Citizens Channel.

Unë mendoj se jemi të vonuar është çështja e politikave familjare. Ne duhet të targetojmë drejtpërdrejtë familjen: çfarë nevojash kanë, si t’i asistojmë familjet jo vetëm që këto të jenë më të shëndetshme, por të jenë të sigurta në mënyrë që të mos kemi këtë kërkesë për t’u larguar”.

Eris Dhamo, sociologe

Sociologia Dhamo shtjellon se emigrimi do të ketë pasoja në shumë fusha, ndaj është e nevojshme që të ketë bashkëpunime mes institucionesh në mënyrë që të prodhohet rezultati i dëshiruar që është parandalimi i ikjes së të rinjve.

Emigrimit është një shqetësim politik, një shqetësim ekonomik, një shqetësim teknologjik, një shqetësim social çka do të thotë që duhet një kooperim ndërsektorial kur diskutojmë politikat e emigrimit dhe pikërisht se është kaq e vështirë çështja, asnjë politikë e segmentuar nuk do të prodhonte rezultatin e dëshiruar”.

“Pezull” një seri podcastesh mbi emigrimin e të rinjve shqiptarë

Citizens Channel ka realizuar një seri podcastesh me të rinj të cilët kanë tentuar të ikin në perëndim, janë rikthyer dhe po tentojnë serish të largohen nga vendi. Përmes historive të tyre personale të rrëfyera në “Pezull”, ata detajojnë arsyet që po i shtyjnë drejt migrimit.

“I ngecur... mes rrugëve të emigrimit të paligjshëm”

Mungesa e perspektivës, kushtet ekonomike dhe dëshira për të qenë afër miqve dhe familjarëve e shtynë Gjergjin që të braktisë shkollën dhe të emigrojë. Ai është 23 vjeç, ka lindur në Dibër dhe aktualisht jeton në Kamëz. Në tre vitet e fundit, ai ka tentuar të gjitha mënyrat për të mbërritur ilegalisht në Angli.

“Tranzit, jeta përballë kufirit të ndaluar”

Florini ishte 16 vjeç kur braktisi shkollën dhe vendin e tij për të shkuar në Britaninë e Madhe. Edhe pse minoren, vështirësitë ekonomike të familjes përgjegjësia për t’i parë familjarët më mirë, mori një rrugë aspak të lehtë, duke kaluar nga Italia në Francë me qëllimin përfundimtar Anglinë.

“I rikthyeri… i huaj në vend të vet”

Fatlumi është një djalë i ri me origjinë nga Kukësi. Ai është kthyer nga Britania e Madhe me vullnetin e tij, por tashmë sërish është me sytë drejt migrimit. Fatlumi provoi të përshtatej me realitetin shqiptar, sërish ndjehet i huaj në vendin e tij.