- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Emigrantët e rikthyer, mes varfërisë, mungesës së shërbimeve dhe dëshirës për tu larguar sërisht
Emigrantët e rikthyer, mes varfërisë, mungesës së shërbimeve dhe dëshirës për tu larguar sërisht
Luan Idrizi, ka katër fëmijë, aktualisht punon në të zezë, së bashku me bashkëshorten duke siguruar të ardhura përmes mbledhjes së materialeve të riciklueshme në Tiranë. Në vitin 2016, ai u nis drejt Gjermanisë për të kërkuar azil, ku qëndroi në kamp për rreth gjashtë muaj.
“Në Tetor ka ardhur Edi Rama në Berlin dhe foli për të gjithë azilantët se Shqipëria është e sigurt dhe ka 10 mijë vende punë. Pa kaluar muaji na morën të gjithëve, rreth 140 veta, na kthyen në Rinas. Erdhëm këtu, pa asnjë lloj shprese, pa përkrahje sociale, edhe kur dalim të punojmë me frikë, se nuk na lejon bashkia” tregon ai.
Luani është vetëm një nga mijëra, personat që ju është refuzuar kërkesa për azil apo janë kthyer nga emigrimi në vendet e BE-së, situata e të cilëve është vështirësuar më tej pas rikthimit në Shqipëri.
Një studim i “World Vision Albania” dhe Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike tregon se 69 % e emigrantëve të rikthyer janë pa punë, ndërsa 58% e tyre do të ri emigronin nëse do ju jepej mundësia.
Në total në 13 bashki të Shqipërisë e marra në vëzhgim nga studimi rezultojnë 1434 individë të rikthyer, nga të cilët 190 kanë marrë pjesë në studim.
“Vështirësitë e ri-integrimit në Shqipëri”
Edisona Xhani, koordinatore lokale e projektit “Reinvest” tregon se mungesa e shërbimeve mbështetëse dhe mundësive të punësimit e bën të vështirë ri-fillimin e jetës në Shqipëri për familjet e rikthyera.
“Kur ata kthehen në Shqipëri, gjendja ekonomike është akoma më e vështirë sesa situata në të cilën ata kanë jetuar para se të largoheshin, kjo për faktin se të gjitha të ardhurat që kanë pasur, i kanë investuar për tu larguar”, tregon Xhani.
Info-grafikë: Gjetjet e studimit mbi shërbimet dhe asistencën e ofruar ndaj personave të rikthyer nga emigrimi
Sipas studimit 3 në 4 e persona të rikthyer nga emigracioni janë në moshë të re dhe të martuar, ndërkohë që 59% e tyre aktualisht punojnë në të zezë dhe një pjesë madhe kanë të ardhura që nuk i kalojnë 25 mijë lekët në muaj.
“Kur familjet riatdhesohen, situata e tyre ekonomike është goxha e vështirë, së pari sepse ata janë kapur të pa përgatitur dhe nuk kanë kursime që mund t’i përdorin në momentin kur kthehen dhe së dyti mungesa e arsimit dhe formimit profesional ja bën shumë të vështirë gjetjen e një vendi punë”, thekson Edisona Xhani.
Petrit Gjonpjetra është një tjetër person i rikthyer nga emigrimi në vitin 2016, pas një vit qëndrimi në Osterberg, mes lotësh ai rrëfen se prej tre muajsh mbijeton vetëm me ndihmat ushqimore që i ka ofruar organizata World Vision. Ai vuan nga disa sëmundje si tension i syrit dhe shtrembërim të kolonës, është i paaftë për punë, aktualisht punon vetëm e shoqja e cila mundëson pagesën e qerasë.
“240 mijë lekë gruas nuk i dalin për vete, aq e ka rrogën mujore. Po ne të katërt ca hamë? Ma shkëputën ndihmën ekonomike. Atje të paktën dy, tre orë punon, me gjelbërimin, e merr një ditë pune, ose një orë pune, ose dy orë pune, mban familjen, kalamajtë. Tani, këtu dobët, shumë dobët, se kam një lek tash në xhep”,tregon Petriti për Citizens Channel.
“Të gatshëm për ta provuar edhe një herë emigrimin”
Më shumë se gjysma e personave të rikthyer ne vendin tone nuk e përjashtojnë mundësinë për të ri emigruar përsëri jashtë vendit. Ndër arsyet kryesore që i shtyjnë ata drejt këtij vendimi, përmendin:
Papunësinë (50%),
Mundësi më të mira punësimi në emigracion (36.8%)
E ardhme më e sigurt për fëmijët (33.2%)
Fidane Begu është larguar në 2014 dhe ka qëndruar një vit e gjysme në Heidelberg të Gjermanisë. Ajo tregon se fëmijët u detyruan të rifillonin klasën e parë kur u rikthyen në Shqipëri pasi atje ishin përshtatur aq mirë me gjuhën gjermane duke u krijuar vështirësi me gjuhën shqipe.
“Jeta atje është shumë më mirë se këtu, sidomos për fëmijët është shumë më mirë. Dëshira për tu rikthyer është shumë e madhe, nuk do doja asgjë tjetër vetëm të rikthehesha aty ku isha. Për fëmijët më shumë se për çdo gjë” thotë Begu.
“Pasojat psikologjike të rikthimit të detyruar”
Edisona Xhani, koordinatore lokale e projektit, pranon se përballjen me faktin që duhet të ktheheshin në Shqipëri një pjesë e personave e përjetojnë shumë keq rikthimin, në një intensitet që shpesh varet edhe nga periudha e qëndrimit jashtë vendit.
Edisona Xhani, koordinatore lokale e projektit, pranon se përballjen me faktin që duhet të ktheheshin në Shqipëri një pjesë e personave e përjetojnë shumë keq rikthimin, në një intensitet që shpesh varet edhe nga periudha e qëndrimit jashtë vendit.
“Personat që kanë jetuar dy ose tre vite andej , të cilët janë integruar në një lloj mënyre, kanë mësuar gjuhën, fëmijët janë bërë pjesë e sistemit arsimor atje, janë ata që hasin më shumë vështirësi” përfundon ajo.
Shqipëria – “Vendi i sigurt” me shifra rekord azilkërkuesish
Shqipëria mbetet një nga vendet me numrin më të lartë të kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Evropian. Një raport i Zyrës Evropiane të Azilantëve tregon se në vitin 2019 30,020 shqiptarë aplikuan për azil në vendet e BE-së dhe Norvegji apo Zvicër.
Madje sipas një përllogaritje të kryer nga Revista Monitor, vendi ynë është i pari për numrin e azilkërkuesve në raport me popullsinë (59 për 10 mijë banorë), duke lënë pas shtete si Siria apo Afganistani.
Të dhënat ndër vite tregojnë se 90% e aplikimeve për azil refuzohen pasi Shqipëria konsiderohet si vend i sigurt, duke i detyruar personat që kanë aplikuar të kthehen në vendin e tyre të origjinës.
The post Emigrantët e rikthyer, mes varfërisë, mungesës së shërbimeve dhe dëshirës për tu larguar sërisht appeared first on Citizens.al.