- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Elbasan: Muzeu i rrënuar i “babait të gjuhës shqipe”
Elbasan: Muzeu i rrënuar i “babait të gjuhës shqipe”
Muzetë në qytetin e Elbasanit po shkojnë drejt zhdukjes. I vetmi që ka tërësisht një funksion të tillë është muzeu etnografik.
Në qytetin ku lindën dhe zhvilluan veprimtarinë e tyre, Kostandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, Dhimitër Shuteriqi, akademikë të shquar dhe kontribuues në arsim nuk ka asnjë objekt që i përkujton.
”Të gjithë emrat e lavdishëm të kulturës së Elbasanit nuk e meritojnë që do të gjenden në këtë harresë”, tregon Teuta Toska, drejtuese e departamentit të gjuhës në Universitein e Elbasanit.
Lagjja historike e qytetit, bashkë me rrënimin e trashëgimisë materiale po humbet dhe memorien historike. “Këtu kemi edhe shtëpinë ku lindi Simon Shuteriqi, një veprimtar shumë i rëndësishëm dhe ai i periudhës së Pavarësisë, më pas Dhimitër Shuteriqi, një veprimtar i rëndësishëm i kulturës shqiptare pas luftës së dytë botërore, studiues i njohur i letërsisë. Pra kjo shtëpi që duket sikur po bie dhe e kanë mbytur ferrat, duket sikur mezi e përballon peshën e madhe të personaliteteve që përkujton”, përfundon Toska.
E ndërsa godinat e tjera po mbeten në harresë, e njëjta gjë po ndodh edhe me muzetë ekzistues.
Një godinë e vjetër në lagjen “Kala” ka funksionuar dikur si muze i gjuhëtarit të njohur Kostandin Kristoforidhi, por sot aty kanë mbetur vetëm tre pllakate. Burime nga sektori i trashëgimisë kulturore në Elbasan, konfirmojnë se dokumentet e mbetura aty, janë transferuar vite më parë në ambientet e muzeut etnografik.
Bashkia Elbasan nuk pranoi të prononcohej mbi gjendjen aktuale të muzeut të Kristoforidhit, duke iu përgjigjur pjesërisht një kërkese për informacion institucioni vendor deklaroi se nuk ka as pronësinë dhe as përdorimin e këtij objekti.
Prej vitesh pasardhës të Kristoforidhit po përpiqen t’i kërkojnë bashkisë krijimin e muzeut për të ashtuquajturin baba i gjuhës shqipe. Shoqata Normalisti ka bërë përpjekje që një tjetër objekt që përmbush shumë kushte për kthimin në muze të Kristoforidhit të marrë statusin si e tillë.
“Ne kemi fatin shumë të mirë që si shtëpi muze të Kristoforidhit mund të bëjmë shtëpinë e dhëndrit të tij Mim Bibaja. Ajo që është deri tani absolutisht nuk ekziston. Duhet të kemi një muze kombëtar. Sepse ka vlera të jashtëzakonshme sikurse ka dhe materiale kaq të shumta që muzeun e bëjnë shumë të pasur”, tha për Citizens Channel Rudolf Deliana.
Një tjetër pasardhës i Kristoforidhit, Kostandin Deliana deklaron se janë bërë përpjekje që kjo shtëpi, të vlerësohet si monument kulture e të kthehet në muze të arsimit.
“Kemi bërë kërkesa prej disa kohësh pranë organeve kompetente, edhe bashkisë Elbasanit, edhe Ministrisë së Kulturës. Të shpallet fillimisht shtëpi e kategorisë mundësisht të parë që të marrë rëndësinë që duhet e pastaj të kthehet në një shtëpi muze për Kristoforidhin dhe pse jo një muze për arsimin për të gjithë Elbasanin”, tregon Bibaja.
Shtëpia karakteristike, e dokumentuar edhe nga i biri I Kristoforidhit si shtëpia ku ai lindi, po shkon drejt rrënimit, por vullneti i institucioneve vendore për ta rivlerësuar këtë pasuri të traditës elbasanase ka munguar.
Rudolf Deliana thotë se kjo harresë vjen nga mungesa e vullnetit të institucioneve. Dy pasardhësit shpresojnë në një restaurim të shpejtë të objektit, ku Kristoforidhi jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij në Elbasan.
“Nuk ekziston dëshira e njerëzve duke nisur nga bashkia se bashkia është babai I qytetit. Bashkia s’po bën gjë. Deri tani nuk ka bërë gjë. Të shikojmë se çdo bëjë por deri tani nuk ka bërë gjë”, thotë Deliana
“Shteti të vërë dorë ta restaurojë, nuk e di se si do jenë projektet e shtetit për ta rikthyer në godinë normale se ju e shikoni ajo është goxha e pabanueshme në gjendjen që është”, përfundon Bibaja.
Studiuesja Teuta Toska deklaron se i mbetet qytetarëve të ndërmarrin nisma që objektet e fundit të trashëgimisë dhe të vlerave qytetare të mos zhduken.
“Unë besoj se ky qytet po humbet jo vetëm trashëgiminë e vet por po humbet edhe kujtimin e këtyre gjërave. Unë shpresoj që qytetaria në Elbasan të mund të nxitet të organizohen, djemtë e rinj, vajzat e reja, ndoshta edhe ne intelektualët mund të organizohemi… projekte. Që të zgjojmë nga gjumi bashkinë dhe nuk është vetëm kjo bashki. Unë shpresoj që qytetaria në Elbasan, vajza por bashki të majta dhe të djathta që kanë bërë me këtë qytet, me trashëgiminë kulturore të këtij qyteti, unë them një masakër…”
The post Elbasan: Muzeu i rrënuar i “babait të gjuhës shqipe” appeared first on Citizens.al.