- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Dyshohet për pastrim parash, sekuestrohet kompania “5D Konstruksion”
Dyshohet për pastrim parash, sekuestrohet kompania “5D Konstruksion”
Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi sot vendosjen e marrjes së masës sekuestro preventive për shoqërinë tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k., aksionerë të së cilës janë ish – drejtorët e Bashkisë Tiranë, Mariglen Qato dhe Redi Molla. Po ashtu janë vënë nën sekuestro edhe kompani të tjera, dy apartamente dhe 2 garazhe, të lidhura me kompaninë “5D”.
Nën sekuestro preventive është vendosur shoqëria tregtare “Restur” që zotërohet nga Redi Molla, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, por edhe 24% e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k. Kjo e fundit po ndërton një hotel me pesë yje në Durrës, një investim prej 15 milionë eurosh, ku njëri prej aksionerëve me 24% ishte Redi Molla.
Përmes një njoftimi Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se është duke hetuar për të përcaktuar se sa para ka fituar kompania “5D Konstruksion” sh.p.k nga fitimi i tenderave publik.
Sipas SPAK, mënyra e qarkullimit të shumave monetare përbën “produkt” të veprës penale, duke përfshirë veprimet financiare të kryera nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k brenda aktivitetit të saj tregtar, si dhe destinacionin e shumave monetare të transferuara nga shoqëria tregtare në drejtim të subjekteve të tjera tregtare apo në drejtim të personave të tretë.
“Janë mbledhur provat e nevojshme nga të cilat krijohen dyshime të arsyeshme se, shumat monetare të përfituara në mënyrë të parregullt nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k që përbëjnë “produkt” të veprës penale, pjesërisht janë nxjerrë jashtë sistemit bankar nëpërmjet skemës së pagesave për punime fiktike duke u disponuar në gjendje “cash” nga pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare, si dhe pjesërisht janë ri-investuar në aktivitetin tregtar të shoqërisë tregtare të mësipërme”- thuhet në njoftim.
Tre nga drejtorët e kompanisë 5D, njëkohësisht edhe ish drejtorët të Bashkisë Tiranë, Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tusha janë tashmë të arrestuar me kërkese të SPAK. Kjo kompani, sipas SPAK ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi, një ndër to edhe projekti i lënë përgjysmë në Liqenin e Thatë.
Citizens ka raportuar më përpara për pedonalen dhe korsin e biçikletave të lëna përgjysmë në Liqenin e Thatë, ku Bashkia e Tiranës e justifikoi ngecjen e projektit me problemet e pronësisë.
Më 30 maj të 2024, anëtari i Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi denoncoi projektin te Liqeni i Thatë duke pohuar se kjo kompani vijon të marrë lekë edhe pse pa asnjë punë të kryer, sipas disa faturave të dërguara më 14 maj dhe ekzekutuar më 28 maj.
The post Dyshohet për pastrim parash, sekuestrohet kompania “5D Konstruksion” appeared first on Citizens.al.