“Dua të votoj 2025”- Diaspora kërkon të drejtën e votës para Kuvendit

Ndërsa në Kuvend po zhvillohej seanca e radhës parlamentare, duke i paraprirë mbylljes së punimeve para pushimeve të verës, një grup aktivistësh dhe shqiptarë të diasporës shpalosën pankartën “Dua të votoj 2025”.

Duke përbërë gjysmën e shqiptarëve që ndodhen jashtë kufijve të vendit, ata kërkuan nga kuvendi të drejtën për të votuar në zgjedhjet e vitit 2025, e cila deri më tani iu është mohuar.

Gjatë gjithë kësaj kohe kam parë se si vendi ynë ka kaluar nëpër momente të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale, pa mundur të jap kontributin tim përmes votës. Kam parë se si politika ka ndryshuar jetën e brezit të prindërve dhe gjyshërve të mi në Shqipëri dhe rrjedhimisht bashkë me ta edhe timen. Ndërsa unë dhe qindra, mijëra të tjerë kemi mbetur të padëgjuar dhe të papërfillur nga shteti ynë, pra të lënë jetimë’,- u shpreh nga megafoni Julian Kruja, banues në Itali.

Pjesë e protestës ishin edhe shqiptarë që kishin ikur shumë herët nga Shqipëria, megjithatë ruanin lidhjet me vendin e tyre amë.

“Kam ikur nga Shqipëria 3 vjeçe, kam ndërtuar një jetë tjetër bashkë me familjen time në një shtet tjetër, por gjithmonë kemi mbajtur sytë nga Shqipëria, gjithmonë jemi munduar të mbajmë lidhjet gjallë me kulturën dhe traditat e saj”,- u shpreh Alda Noka.

Mes të tjerash Alda tha se ndodhet para Kuvendit për ata shqiptarë që nuk kanë të drejtë vote as në vendin ku kanë emigruar dhe as në Shqipëri.

“Shqiptarët sot janë si fantazma që enden nëpër botë, pa asnjë pikë përfaqësimi dhe kjo gjë duhet të ndryshojë sa më shpejt”.  

Kjo protestë, është e radhës nga aksionet që janë ndërmarrë nga aktivistët dhe shqiptarët e Diasporës kohët e fundit. Kjo edhe për shkak të detyrimit që Gjykata Kushtetuese i vendosi Kuvendit për të mbushur boshllëkun ligjor që pengonte votën e emigrantëve. Afat i cili përfundoi më 9 janar 2024 nga ana e Kuvendit, duke mos ndërmarrë asnjë veprim konkret.

“Në vitin 2016, në Samitin e Diasporës, të gjithë i mbani mend fjalët e kryeministrit që tha vota e Diasporës do të bëhet ose do të bëhet. Erdhi viti 2020, u fut në kodin zgjedhor vetëm një nen, ku thuhej që KQZ-ja tashmë e ka përgjegjësinë për mundësimin e votës së Diasporës. Në vitin 2022 ne vendosëm që kësaj i ka ardhur fundi dhe ka nevojë që një Gjykatë, mundësisht më e larta në këtë vend, të marri një vendim për votën e Diasporës”, – u shpreh Nador Bakalli nga “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”.

Në shtator të vitit 2023, ky grupim dorëzoi projektligjin për votën e diasporës elektronikisht, që u protokollua në Kuvend në muajin tetor të vitit që lamë pas.

Edhe lëvizja politike ‘Shqipëria Bëhet” dorëzoi në kuvend në dhjetor 2023 një draft propozim për votën e emigrantëve.

Elio Shyti, aktivist e banues në Gjermani prej vitit 2016, u shpreh se çdo shqiptar, pavarësisht vendodhjes duhet të ketë të njëjtën të drejtë për të votuar. Ndërsa ia faturoi situatën mos dëshirës së politikës shqiptare.

“Njëherë ishte PS-ja që kërkonte regjistrimin e adresave të shqiptarëve jashtë vendit, diçka që nuk kishte asnjë arsye teknike për tu bërë dhe që përjashtonte një pjesë të shqiptarëve. Siç e dimë shumë prej nesh nuk kanë një adresë të regjistruar banimi jashtë shtetit. Këtë e kundërshtoi PD-ja. Më pas PD-ja kërkoi që në mënyrë që të binte dakord me propozimet e PS-së do të duhej që PS-ja të pranonte koalicionet parazgjedhore”,-u shpreh Elio.

Të njëjtën qasje ndau edhe aktivistja Arilda Lleshi, ndërsa solli në kujtesë edhe ngritjen e një ministrie Diaspore vite më parë, por pa realizuar asgjë për shqiptarët e Diasporës.

Njerëzit thotë, po mirë çfarë do Diaspora? Në listat e zgjedhësve është. Nëse do, të marrë avionin edhe të vijë këtu. Po mirë, një familje që jeton në Amerikë, një familje shqiptare a ka të drejtë reale të votojë nëse i duhet të ndërrojë tre avionë dhe të shpenzojë mijëra dollarë për të ardhur në Shqipëri? Nuk ka”,-argumentoi Lleshi.

Sipas qytetarëve, emigracioni është një plagë ende e hapur për shqiptarët, pasi janë pikërisht kushtet në të cilat ndodhen në Shqipëri që i detyrojnë të largohen.

“Shqiptarët janë larguar pikërisht se ky vend është bërë ekonomikisht, socialisht i pabanueshëm. Njerëzit nuk gjejnë punë, nuk kanë përkrahje sociale, nuk kanë përkrahje shëndetësore. Njerëzit shkojnë në spital dhe ju duhet të paguajnë për jetën e tyre”,- u shpreh Arbër Lleshi.

Aktivistët tentuan të ndalonin deputetët të dilnin nga godina, por u penguan nga policia të rreshtoheshin para hyrjes së Kuvendit. Kjo çoi në përplasje fizike mes aktivistëve dhe policëve.

“Dua të votoj 2025”

Në mars të 2024, në rrjetet sociale të rinj shqiptarë të diasporës ndërmorën nismën “#DuaTëVotoj2025”. Nismë e cila u përqafua nga të tjerë banues në vende të tjera jashtë Shqipërisë.

Edhe pse në numër të konsiderueshëm jashtë kufijve të vendit, rreth 37% e shqiptarëve sipas INSTAT, ata nuk gëzojnë të drejtën për të votuar për zgjedhjet në Shqipëri nga vendet ku jetojnë.

Në maj 2024, grupimi i aktivistëve u fut në parlament ku hapën banderolën “Dua të votoj 2025 (nga Diaspora)”. Ndërsa protesta e grumbullime të shqiptarëve janë kryer edhe në të tjera qytete evropiane e jo vetëm, sikurse në Milano, Bruksel, Hagë etj.

Pak ditë më parë, duke tërhequr pas vetes valixhet, të rinjtë aktivistë qëndruan para Parlamentit në formë proteste për të kërkuar të drejtën e votës.