- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- “Dita e Rinisë në qytetin pa të rinj”
“Dita e Rinisë në qytetin pa të rinj”
Flori Palushi dhe Besmir Muslia, organizuan sot një protestë simbolike, për të kujtuar edhe një herë plagën e emigrimit masiv që ka prekur qytetin e Kukësit, në Ditën e Rinisë.
“E vërteta është që nuk ka më të rinj dhe qyteti po boshatiset dita – ditës“- tha për Citizens Channel Flori Palushi.
Ai tregon se emigrimi ka prekur të moshuarit që mbesin vetëm, bizneset që nuk gjejnë punëtorë e klientë, si edhe banorët në fshatra të izoluar, ku ka mungesë të shërbimeve në shëndetësi dhe arsim.
“Jam kthyer tani për festat, si të gjithë kuksianët, pasi këtu është e pamundur që të krijosh një jetë“- tregon Palushi.
Flori ka punuar në shumë vende të Evropës si Belgjikë, Greqi por pas Vitit të Ri do të rikthehet për të punuar në Podgoricë.
“Kosto e jetesës atje është më e ulët se këtu në raport me pagën, p.sh. atje një punëtor merr rreth 50 euro dita, këtu do merrte 15 mijë lekë“- tha Flori Palushi.
Ndërsa Besmir Muslia, mësues biologjie në shkollën “Hamdi Pelivani“ thotë se nga Kukësi po largohen të gjithë. Ai thekson se pasoja më e dukshme e emigrimit është boshatisja e shkollave nga nxënësit.
“Nga faktorët që ndikon në këtë largim të të rinjve është edhe politika që ndiqet sidomos në këto punësimet shtetërore, i kanë kthyer në punësime familjare këtej dhe nuk i japin mundësi fare shtresave të ndryshme që të kenë mundësi të punësohen, edhe pse shkollohen“- shpjegon Mulia.
Gëzim Hilaj është një tjetër i ri nga Kukësi i cili ka reaguar gjithashtu sot, në ditën e rinisë me pankartën : “Edhe sa ditë rinie n’dhe t’huj“.
Emigrimi boshatis bankat e shkollave në Kukës
Të dhënat e fundit zyrtare mbi numrin e banorëve në bashkinë Kukës janë ato të censit të vitit 2011. Më shumë se një dekadë më parë, Kukësi kishte 47.985 banorë, shifër e cila sot është tkurrur si pasojë e emigrimit masiv të të rinjve.
Raportet e siguruara nga Citizens Channel, tregojnë se në katër vitet e fundit në Kukës janë mbyllur gjashtë shkolla 9-vjeçare. Emigrimi masiv e ka tkurrur sistemin arsimor me 17% në vetëm pesë vite.
Shifrat po ashtu tregojnë se numri i nxënësve bie drastikisht pas mbarimit të shkollës 9-vjeçare. Prej viteve 2019-2023, në total në shkollat 9-vjeçare kanë ndjekur studimet 22.027 nxënës, ndërsa shifrat e nxënësve në total për ato vite në arsimin e mesëm bie në 7.340 nxënës.
“Pezull” një seri podcastesh mbi emigrimin e të rinjve shqiptarë
Citizens Channel ka realizuar një seri podcastesh me të rinj të cilët kanë tentuar të ikin në perëndim, janë rikthyer dhe po tentojnë serish të largohen nga vendi. Përmes historive të tyre personale të rrëfyera në “Pezull”, ata detajojnë arsyet që po i shtyjnë drejt migrimit.
“I ngecur… mes rrugëve të emigrimit të paligjshëm”
Mungesa e perspektivës, kushtet ekonomike dhe dëshira për të qenë afër miqve dhe familjarëve e shtynë Gjergjin që të braktisë shkollën dhe të emigrojë. Ai është 23 vjeç, ka lindur në Dibër dhe aktualisht jeton në Kamëz. Në tre vitet e fundit, ai ka tentuar të gjitha mënyrat për të mbërritur ilegalisht në Angli.
“Tranzit, jeta përballë kufirit të ndaluar”
Florini ishte 16 vjeç kur braktisi shkollën dhe vendin e tij për të shkuar në Britaninë e Madhe. Edhe pse minoren, vështirësitë ekonomike të familjes përgjegjësia për t’i parë familjarët më mirë, mori një rrugë aspak të lehtë, duke kaluar nga Italia në Francë me qëllimin përfundimtar Anglinë.
“I rikthyeri… i huaj në vend të vet”
Fatlumi është një djalë i ri me origjinë nga Kukësi. Ai është kthyer nga Britania e Madhe me vullnetin e tij, por tashmë sërish është me sytë drejt migrimit. Fatlumi provoi të përshtatej me realitetin shqiptar, sërish ndjehet i huaj në vendin e tij.
Po ashtu Citizens Channel është fokusuar jo vetëm tek të rinjtë që kanë emigruar, por edhe te pasojat psiko – emocionale të atyre që kanë vendosur të qëndrojnë apo të kthehen.
Sabri Sopi një 45 vjeçar nga Kukësi, ka një histori të veçantë. Teksa të gjithë duan të largohen, ai ka vendosur që të kthehet në vendin e tij. Pas vitesh emigrim në Londër, ai hapi restorantin me emrin e kryeqytetit Britanik në Kukës.
Besmir Muslia është mësues biologjie në fshatin Orgjost të Kukësit. Ai druhet se për shkak të emigrimit masiv, nuk do të ketë mundësi ta ushtrojë më mësimdhënien në këtë zonë.
“Kemi frikë se shumë shpejt s’do gjejmë më një njeri me pi një kafe”, tregon Musa Hila nga fshati Shëmri, ku kanë mbetur vetëm të moshuarit. Në këtë zonë shtëpitë po braktisen dhe tokat mbeten të pa punuara. Musai shpreson që një ditë të rinjtë do të kthehen për të siguruar vazhdimësinë e krahinës, por për këtë është emergjente ndërhyrja shtetërore për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe rritjen e pagave.
The post “Dita e Rinisë në qytetin pa të rinj” appeared first on Citizens.al.