Dibranët protestojnë kundër hidrocentralit Skavica

Banorë të Dibrës dhe aktivistë të çështjeve mjedisore protestuan dje para Kryeministrisë kundër ndërtimit të hidrocentralit Skavica në lumin Drin.

Marshimi u nis nga sheshi “Skënderbej” për të vijuar në Bulevard drejt Kryeministrisë nën thirrjet “Jo Skavica! Rroftë Dibra!”

Banorët u shprehën se ndërtimi i hidrocentralit do të sjellë përmbytjen e dhjetëra fshatrave të zonës së Dibrës.

“Nuk duhet lejuar, është vendi i Skënderbeut, vendi ynë që jemi rritur, aty kemi varret e të parëve. Do të bëjmë çmos që Skavica mos të ndërtohet”,- u shpreh Qemal Laci nga fshati Kastriot.

Edhe për Besnik Këbej nga fshati Fushë Muhurr ky hidrocentral do të thotë zhdukje të pronave dhe shtëpive.

“Edhe shtëpiat që janë bërë, edhe tokat që punohen, ato mbyten nga uji. Kështu që nuk kemi si jetojmë më atje. Nuk kemi ku jetojmë më, mbyten shtëpiat edhe varrezat mbyten…”.

Sipas banorëve, ndërtimi i hidrocentralit sjell zhdukjen e të gjithë historisë dhe kulturës dibrane.

“Mbulojnë 35 fshatra me ujë. Shkatërrohet historia, kultura dhe zhdukemi si dibranë. Skavica e ndan Dibrën në dy pjesë dhe të gjithë fshatrat e tjera izolohen komplet. Ndërkohë sot kemi mënyra të tjera për të siguruar energjinë në vend. Ne i themi jo ndërtimit të Skavicës, pasi ka mënyra të tjera si panelet diellore për të siguruara energjinë në vend”,- u shpreh për Citizens Channel Ferzileta Gjika, pëfaqësuese e grupimit “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”.

Sipas banorëve edhe vlerësimi i tokës nga ana e qeverisë është i papërfillshëm, dhe i detyron t’i japin tokat pothuajse falas.

“Përmbyt të gjithë varret, përmbyt traditën, përmbyt trojet dhe problemi më i madh që mendoj unë është që qeveria bën një vlerësim minimal, që është turp, mënyra se si vlerëson një dynym tokë, 1000 metra katrorë e vlerëson me 600 mijë lek të vjetra ose 60 mijë lek. Që i bie një metër katror 600 lek. Ndër më të parat kjo është, mos vlerësimi që i bën qeveria trojeve, tokës që përmbytet”,- tha Përparim Prenci, nga fshati Zall Reç.

Banorët kërkuan që qeveria të zbatojë forma të tjera të prodhimit të energjisë, dhe jo atë të përftimit përmes hidrocentraleve.

“Nuk jemi kundër investimit, kërkojmë investim në Dibër, por jo në këtë mënyrë, jo me përmbytje. Dibra ju jep mundësinë pa kushte për të ndërtuar gjithçka që ka lidhje me energjetiken. Ka vargmale, varg kodra pafund. Mund të ndërtojnë helika ere sa të duan. Ka kodra e kullota sa të duash që nuk zhvillohen, le të mbushen me panele diellore, jo ujë. Jo Skavicë, duam Dibrën!”– u shpreh përmes megafonit një nga qytetarët.

Aktivistët mjedisorë u shprehën para Kryeministrisë se ky projekt do të ndikojë negativisht edhe për turizmin.

Që ta kuptoni, e ardhmja e luginës së Drinit është turizmi dhe ju e keni venë re shumë që në 2023 lëvizjen e madhe që ka pasur. Por duhet te kuptoni që përgjatë 30 viteve ka qenë klasa politike ajo që i ka lenë në harresë dhe braktisur këto fshatra, sepse në këtë krahinë unë kam kaluar për herë të parë në 1993 për emigrant në Maqedoni dhe nga ajo kohë nuk ka ndryshuar asgjë përgjatë Drinit të Zi. Janë lënë fshatrat në harresë, është përzënë rinia, është përzënë pjesa më energjike që do ti duhej Dibrës. Prandaj ju bëj thirrje dibranëve, ashti siç kanë ardhur këta nga mërgata, Zgjohuni! Mos Heshti! Mos kini frikë!”,- u shpreh aktivisti Arben Kola.

Protestës iu bashkuan edhe aktivistë të çështjes së Zall Gjoçaj, të cilët treguan mbështetje për banorët e Dibrës.

“Ju jeni mbledhur sot për një çështje shumë të shenjtë. Për të mbrojtur tokat, për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e Dibrës. Unë kam edhe një arsye të fortë për të qenë në këtë protestë, pë të përkrahur dibranët në betejën e tyre për jetë a vdekje. Gjyshi im është vrarë në ’43 në Dibër dhe as nuk ka një varr që ti çojmë një lule. Gjaku dhe kockat e gjyshit tim do të mbulohen nga llumi i Skavicës që këta zotërinjtë do ta ndërtojnë në kurriz të Dibranëve, në kurriz të jetës dhe të dinjitetit të tyre”,- u shpreh Dhimitër Koleci.

Banorët kanë ngritur padi në Gjykatën Kushtetuese kundër ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës. Ndërsa presin nesër të zhvillojnë seancën e radhës.

“Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës” të cilin unë përfaqësoj, do të përballet në Kushtetuese kundër ligjit 38/2021, i cili i siguron “Bechtel-it” një fuqi për të ndërtuar Skavicën. Ndërkohë që nuk ka pasur konkurrencë të lirë dhe kjo është në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare për sa i përket konkurrencës së lirë”,– përfundoi Ferzileta Gjika.

Në korrik të vitit 2021 Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) nënshkroi kontratën me kompaninë amerikane “Bechtel”  për të ndërtuar hidrocentralin Skavica me kapacitet 210 megavat. Sipas KESH-t, kjo vepër do ta kthejë Shqipërinë në vendin lider në rajon të energjisë elektrike.

Banorët e Dibrës dhe organizata mjedisore kanë kundërshtuar këtë projekt, ndërsa janë organizuar në protesta vitet e fundit në Tiranë, Dibër e Londër.

Në prill të vitit 2022, dhjetëra dibranë protestuan përballë kryeministrisë kundër Skavicës, duke e cilësuar si një projekt që fundos Dibrën dhe historinë e këtij rajoni.

Në shtator të vitit 2022, dibranët protestuan në fshatin Fushë-Alie dhe adresuan mungesën e informacionit dhe neglizhimin e komunitetit nga ana e institucioneve shtetërore. Ata pohuan se kanë dëgjuar për këtë projekt vetëm në media, por nuk kishin dijeni rreth planit të zhvendosjes dhe dëmshpërblimet.

Në tetor 2022, anëtarë të grupimit “Opposition to Skavica Dam” protestuan në Londër kundër ndërtimit të hidrocentralit Skavica në lumin Drin i Zi. Tubimi u mbajt përballë ndërtesës ku po zhvillohej një panair për përzgjedhjen e nënkontraktorëve nga kompania Bechtel.