Dhomat e tregtisë kritikojnë klimën e biznesit, FMN zbeh parashikimet për ekonominë

Pesë dhoma të tregtisë kanë mbajtur një deklaratë të përbashket për gjendjen e biznesit në Shqipëri. 

Ato shprehen se klima e biznesit është një nga tre sifdat kryesore të sipërmarrjes në Shqipëri.

“Ne besojmë se mjedisi aktual është joefektiv dhe ka nevojë për përmirësim të konsiderueshëm. Si një vend aspirant për anëtarësimin në BE, ne i bëjmë thirrje Qeverisë Shqiptare, Parlamentit dhe Agjencive të tjera publike përgjegjëse që të angazhohen me reforma gjithëpërfshirëse ekonomike”, thuhet në deklaratën e tyre.

Dhomat e biznesit kërkojnë miratimin e një strategjie investimi, zbatimin e një pakete kundër korrupsionit, rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë të sistemit të Prokurorimit Publik.

Po ashtu ato shprehen se është i neojshëm një proces efektiv i Konsultimit Publik “duke ngritur mekanizma zbatimi në legjislacionin ekzistues dhe duke përfshirë në këtë proces edhe Vendimet e Këshillit të Ministrave”.

Kërkesa tjetër është modernizimi i sistemit të taksave në përputhje me standartet ndërkombëtare. 

“Na inkurajon aktivizimi i mundshëm i një Këshilli të ri Ekonomik Kombëtar (KEK) dhe sugjerojmë që ai të vendosë në mënyrë të veçantë në fokus investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe aktiviteti i tij të përcaktohet në legjislacion, si një institucion zyrtar nëpërmjet një mekanizmi të përbashkët të administrimit publik dhe sektorit privat”, thuhet në deklaratë.

Së fundmi ato shprehen përmes deklaratës se reformat e mësipërme do të krijojnë një mjedis më të faforshëm për biznesin në Shqipëri si dhe do të terheqein investime të huaja.

“FMN zbeh parashikimet për rritjen ekonomike në Shqipëri” 

Parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për rritjen e ekonomisë shqiptare në vitin 2023 është ulur.

Raporti i tetorit i FMN parashikonte një rritje ekonomike me 2.5%, teksa raporti i fundit  flet për një rritje me 2.2%.

Sipas FMN-së, ekonomia shqiptare pritet që deri në 2024 të rritet me 3.3% dhe pritet të mbajë këtë nivel deri në 2028.

Për inflacionin, FMN parashikon që do të vijojë të mbetet i lartë deri në 2023, nga 5 deri në 6.7% që ishte në 2022. Sipas parashikimeve, inflacioni do të ulet në vazhdim në 3%.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja e ngadaltë e ekonomisë është e pranishme në të githë botën dhe është e lidhur me luftën në Ukrainë.

“Rreziqet në të ardhmen janë shtuar , pasi stresi i sistemit financiar mund të përhapet, duke dobësuar ekonominë reale”, thotë raporti.