- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Deklaratat kundër TEC-eve lundruese në Vlorë “padisin” aktivistin mjedisor
Deklaratat kundër TEC-eve lundruese në Vlorë “padisin” aktivistin mjedisor
Kompania “Renco SPA Albania” ka paditur aktivistin dhe ambientalistin Lavdosh Ferruni për veprën penale “Shpifje”.
Në kërkesën për gjykim kompania i referohet një artikulli ku citohet Ferruni ku thuhet: “TEC-i pushtues i Bangladeshit po i afrohet Vlorës- A do e japim Vlorën?”.
Sipas kompanisë, Ferruni ka ngritur akuza të pabaza mbi kompaninë dhe lidhjen e saj me mafian italiane dhe raste të provuara ryshfeti në Afrikë.
Kompania shprehet se përmbajtja e deklaratës “përtej opinionit ku shpreh kundërshtimin nga ana teknike për realizimin e projektit në të cilin dëmtuar akuzues mund të jetë i përfshirë, i akuzuari ka shkuar më tej duke degraduar në shpifje dhe thënie të rreme”.
Ambientalisti Lavdosh Ferruni i është përgjigjur këtij kallëzimi, duke thënë se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje, pasi deklaratat e tij janë të vërteta.
Ferruni shprehet se kjo çështje në rastin më të mirë është gabim nga qeveria dhe në rastin më të keq aferë e madhe korruptive.
“Po shoh këtu që ajo shpifja e parë që paskam bërë unë është që ‘TEC pushtues i Bangladeshit, po i afrohet Vlorës, a do ta japim Vlorën?’. Është e vërtetë që TEC ka ardhur nga Bangladeshi, dhe me parullën a do japim Vlorën, ne bëmë një protestë”, u shpreh Ferruni.
Kompania pretendon se Ferruni ka shpëndarë qëllimisht deklarata të pavërteta për të denigruar imazhin e kompanisë.
Në mbështetje të Ferrunit dhe kundër padisë që i është ngritur atij ka dal edhe grupimi Diaspora për Shqipërinë e Lirë.
Në një deklaratë publike, DSHL shprehen: “Mendojmë se qëndrimet e shprehur prej Z. Ferruni kanë qënë githmonë të mirëargumentuara dhe në mbrojtje të interesave të qytetarëve”.
DSHL thotë se situata aktuale, ku TEC-et janë afruar në gjirin e Vlorës është një gabim i madh si mjedisor ashtu edhe ekonomik.
“Qiraja e dy njësive gjeneruese po i kushton shtetit shqiptar dhjetra mijëra euro humbje në ditë, ndërsa dëmi i tërthortë në ekonominë e Vlorës do ishte shumëfish më i madh nëse termocentralet aktivizohen”, thuhet në njofitmin e DSHL.
Ferruni nga ana tjetër thekson se që nga dita e ankorimit të tyre në Vlorë vitin e kaluar e deri më sot, “këto termocentrale nuk janë vënë asnjëherë në punë, pavarësisht se taksapaguesi shqiptar paguan mbi 94 mijë dollarë në ditë qira, dhe kontrata parashikon që për dy vite kompania Exelerate Energy dhe Renco, që ka fituar tenderin, të fusë në xhep plot 68 milionë dollarë”.
Ai shton se TEC-et në Vlorë nuk janë ndezur, pasi nëse do të ishin ndezur dhe të digjnin aq naftë sa është thënë, do të ishte një katastrofë mjedisore.
“Nuk besoj se do ndizen. Më ngjan si çështja e inceneratorëve edhe kjo me TEC-et lundruese”, tha Ferruni.
Citizens Channel kontaktoi edhe me kompaninë për një koment mbi padinë e ngritur por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë një përgjigje.
Protestat kundër TEC-eve
Në 9 shtator 2022, qytetarë dhe ambientalistë pritën me protestë në Vlorë anijen e parë lundruese të prodhimit të energjisë.
Ata dolën me pankarta afër detit, teksa anija që transportonte termocentralin nuk ishte ankoruar ende por sapo kishte filluar të shihej në gjirin e Vlorës.
Nën sloganin “Nuk e japim Vlorën”, ambientalistët e qytetarët kundërshtuan mbërritjen e dy anijeve që pritet të prodhojnë energji elektrike duke djegur karburant dhe duke shkaktuar dëme mjedisore.
Po pavarësisht zërave kundër dhe protestave, të dyja anijet u ankoruan në portin e Petrolifera Italo Albanese.
Dy termocentralet lundruese janë marrë me qira për një periudhë dy-vjeçare nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) me një kosto prej 46 milionë dollarësh.
Aktivistët sqaruan se anijet e ardhura nga Bangladeshi janë të një teknologjie shumë të vjetër dhe ka 30 vite që janë në funksion, madje në dy vitet e fundit nuk janë përdorur as nga Bangaldeshi.
6 Maj, një grup aktivistësh u mblodhën në Vlorë për të folur mbi TEC-et
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku ka deklaruar se dy anijet do të prodhonin energji 55 megavat-orë secila, pra në total 110 megavat-orë për t’u shpërndarë në sistemin tonë të energjisë elektrike.
Kosto totale e qirasë për dy TEC-et dhe prodhimit të energjisë për dy vite sipas KESH do të jetë rreth 330 milion dollarë, në varësi të çmimit të karburantit të rëndë që do të shërbejë si lëndë djegëse për prodhimin e energjisë.
Qeveria shqiptare këmbëngul se dy anijet termocentral, që do të vendosen vetëm disa qindra metra larg termocentralit të Vlorës,- i cili edhe pse ka kushtuar 130 milionë dollarë për t’u ndërtuar, nuk u vendos në punë-, nuk janë të rrezikshme për mjedisin sikurse thonë ambientalistët. Qeveria po ashtu thekson se anijet termocentral do të sigurojnë energji më të lirë se ajo që Shqipëria mund të blejë në treg.
Qeveria ka deklaruar se puna do të niste në fillim të vitit 2023, pasi anijet të ishin fiksuar dhe lidhur me rrjetin elektrik. Korporata Eletroenergjetike Shqiptare, KESH, që i i ka marrë me qira dy anijet, ka thënë se ato u bënë të nevojshme për shkak të krizës.
Por ende sot në maj të 2023 anijet nuk kanë filluar të prodhojnë energji. Sa i përket krizës energjitike, ambientalistët kanë sugjeruar se mund të përdoren zgjidhje alternative siç është energjia fotovoltaike.
Energjia diellore fotovoltaike është një burim i pastër, i rinovueshëm i energjisë që përdor rrezatimin diellor për të prodhuar energji elektrike. Ajo bazohet në të ashtuquajturin efekt fotoelektrik, me anë të të cilit disa materiale janë në gjendje të thithin fotone (grimcat e dritës) dhe të lëshojnë elektrone, duke gjeneruar një rrymë elektrike.
The post Deklaratat kundër TEC-eve lundruese në Vlorë “padisin” aktivistin mjedisor appeared first on Citizens.al.