- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Bulqizë, një tjetër minator pushohet nga puna: “Ju po hakmerreni ndaj veprimtarisë sindikale”
Bulqizë, një tjetër minator pushohet nga puna: “Ju po hakmerreni ndaj veprimtarisë sindikale”
Ditën e sotme , një tjetër minator i Bulqizës është pushuar nga puna. Behar Gjimi, njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Sindikal të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ka marë sot vendimin e prerë nga Kompania Albchrome për largimin nga puna me motivacionin e mungesave të pa arsyeshme.
Ky njoftim erdhi fillimisht nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar me anë të një deklarate, ku e cilësojnë këtë vendim të paligjshëm dhe në kundërshtim me Kodin e Punës.
Citizens Channel kontaktoi me Z.Gjimi për të ditur më shumë rreth situatës së krijuar.
I pyetur si erdhi vendimi për pushimin nga puna, Z.Gjimi thekson se e kanë thërritur për arsye të mungesave.
“Me 25 nëntor më kanë thirrë gjoja për mungesa, mirëpo kjo nuk rezulton, sepse unë jam nga me i rregullti nga gjithë punëtorët. Përgjigja e tyre sot ka ardhur që ti ke shkel rregulloren, ke bërë mungesa në punë, në një kohë që unë sot këtu te administrata lokale, mua me dilte që nga janari e këtej, që unë kam ditë tepër, jo mungesa”.
Behar Gjimi ka 24 vite që punon në minierë, përkatësisht që nga viti 1995, para se miniera e Bulqizës ti kalonte në administrim kompanisë Albchrome në vitin 2011.
Sipas tij pushimi nga puna është një hakmarrje ndaj veprimtarisë së tij sindikaliste.
” Më 25 nëntor kam qenë thirrë në Tiranë edhe u kam thënë, unë mungesa nuk kam, se arsyeja pse më kanë thirrë kanë qenë mungesat pa arsye. Ju po hakmerreni ndaj një veprimtarie sindikale që po bëhet në Bulqizë”.
Vendimi i largimit nga puna i është komunikuar sot, gjatë kohës që ishte në punë.
” Se isha në punë unë, edhe më mori në telefon përgjegjësi i sektorit, tha hajde se të ka ardh një vendim. Thashë ok, isha bile tuj hëngër bukë, thashë a pret puna, se e dijsha unë mo. Thashë a pret puna të ha bukë. Tha ha bukë dhe hajde. Shkova atje, mirëpo kur mora vendimin unë shkova prapë të puna se do merrsha pajisjet e mia që kisha cu. Thashë shokëve mu më pushun.”
Pas krijimit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Behari tregon se ndërrim i pozicionit të punës në minerë ka qenë i shpeshtë.
“Që nga 23 prilli e këtej, kam ndërru për shembull nga sektori në sektor, gjashtë herë. Në prill kam qenë në nivelin e 17-të. Nga atëherë u morën masa ndaj shokëve të mi, që u dhanë paralajmërim, mu më morën masë këtu në administratën lokale, do shkosh vagonist në nivelin 16-të. Edhe kam punu tre muj e gjys në nivelin e 16-të. Masanej, më çuan në 18-tën dhe nga i 18-ti një ditë më kanë çuar tek i 17-ti, ma mrapa, pas asaj dite më çuan tek Qafa e Buallit. Nga Qafa e Buallit më kanë nxjerrë në transport të jashtëm.”
Ai shprehet se ishte i specializuar vetëm për të punuar brenda galerisë, ndërsa kalimi në trasportin e jashtëm të minierës ishte i papritur për të.
“I specializuar, për shembull atje në galeri po se atje kam punu edhe vagonist dhe isha i specializum. Ama këtu, këto kohët e fundit që më nxorën në sipërfaqe nuk kisha punu noj herë dhe këtë e kanë ba për arsye që të më ulet rroga sepse është rroga më e ulët. Atëherë në prill që morën masa ndaj nesh e kam pas rrogën rreth 80.000 lekë, m’ka ra 50.000 lekë”.
I pyetur se cilat do të jenë veprimet e ndërmarra për tu rikthyer në punë, Behari shprehet se e vetmja rrugë është gjykata.
“Ne do e vazhdojmë në gjykatë…”
Lexo intervistën e plotë: Behar Gjimi pushohet pas 24 vitesh punë në minierë
Behari është minatori i tretë që pushohet nga puna brenda një muaji nga kompania Albchrome. Më herët janë pushuar nga minera kreu i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar, Elton Debreshi dhe minatori Beqir Duriçi, njëkohësisht anëtar i Këshillit sindikal.
Lexo më shumë: “Barra e rëndë” e Elton Debreshit, minatori që u shkarkua pasi mori kreun e sindikatës në Bulqizë
Lexo më shumë: Minatori Beqir Duriçi: “Në letër shkruan shkelje etike, por është presion për sindikatën e re të formuar”
*Citizens Channel /E.K/
The post Bulqizë, një tjetër minator pushohet nga puna: “Ju po hakmerreni ndaj veprimtarisë sindikale” appeared first on Citizens.al.