- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Biznesi agroushqimor: 70% lundron në informalitet, të ketë strategji me bazë sektoriale
Biznesi agroushqimor: 70% lundron në informalitet, të ketë strategji me bazë sektoriale
Në Ditën Ndërkombëtare kundër Informalitetit në Biznes (12.10), sipërmarrësit e sektorit agroushqimor kërkojnë nga qeveria një strategji të qartë me bazë sektoriale për të luftuar informalitetin në këtë sektor. Për këtë qëllim Albanian Food Industry (AFI) dhe Qendra e Eksporteve Shqiptare (Alb Export) i janë bashkuar nismës së Bashkimit Tregtar të Shqipërisë (BTSH) në një marshim ditën e enjte, (12.10) në orën 14:30, nga Piramida tek Pallati i Kongreseve.
Sipas Alban Zusit është shumë shqetësuese dhe vdekjeprurëse për ekonominë që ky sektor në masën 70% lundron në informalitet.
“Informaliteti është imponuar nga sistemi fiskal krejtësisht i papërshtatshëm për bujqësinë. Mjafton fakti se nëse një fermer do të pajiset me nipt edhe do të regjistrohet në zyrën e tatim- taksave, ai duhet t’i nënshtrohet të njëjtave rregullave dhe proçedurave tatimore si një kompani ndërtimi apo si një rrjet supermarketesh, ndërkohë që në bujqësi ka krejtësisht specifika të tjera, si: sezonaliteti, piku i punës, emergjenca, punësimi ditor, varësia nga kushtet atmosferike etj”, shprehet për Citizen Channel Kreu i Albanian Food Industry, Alban Zusi.
Sipas tij, mungesa e kontrollit tatimor në terren dhe sistemi i deformuar fiskal përmes subjekteve fizike me xhiro të pataksueshme deri në 5 milion lekë është burimi tjetër i informalitetit. Gjithashtu Zusi thekson se edhe institucionet e dobëta të kontrollit të sistemit të sigurisë ushqimore janë tjetër burim i rëndësishëm i informalitetit.
Përfaqësuesit e sektorit agroushqimor sugjerojnë krijimin e strategjisë për luftën ndaj informalitetit në bazë sektoriale, si psh;
Alban Zusi sqaron për Citizens Channel se “vendosja e detyrimit për të shënuar në faturë tatimore lotin e prodhimit (kërkesë e ligjit për ushqimin që garanton gjurmueshmërinë e produktit në treg) do evitonte atë që ndodh sot rëndom, që njësitë e vogla tregtare marrin një faturë për 10 kg produkt në janar dhe me të justifikohen para kontrolleve tatimore për së paku 10 furnizime pasardhëse”.
Sondazhi
Albanian Food Industry ka bërë një sondazh me anëtarët e saj që janë importues dhe përpunues të mishit për të vlerësuar sipas rëndësisë problematikat reale që has kjo industri.
Nga sondazhi rezultoi se problematika më shqetësuese lidhet me bizneset e vogla të cilat nuk pranojnë shitjen me TVSH. Pas saj vjen nevoja për formalizim të sektorit dhe më tej renditet shqetësimi se ky sektor në Shqipëri ka taksat më të larta në rajon.
Ky sektor i kërkon qeverisë:
TVSH për biznesin e vogël
Duke nisur nga muaji janar 2018 as biznesi i vogël i sektorit bujqësor nuk do t‘i shpëtojë regjimit të TVSH-së. Në fakt vetë biznesi po e kërkon formalizimin e ekonomisë e sidomos të këtij sektori që në masën 70% operon kundër ligjit.
Por në fakt në lidhje me këtë nismë fiskale që do jetë pjesë e paketës fiskale 2018, qeveria me sa duket nuk ka menduar për fermerët e vegjël, për ata që prodhojnë në bahçen e shtëpisë, apo kanë disa lopë për mbijetesë.
Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, thotë për Citizens Channel se qeveria duhet të mendojë edhe për këtë kategori. “Fermerët e vegjël, ata që mbjellin në oborrin e shtëpisë dhe kanë 5 lopë për përdorim vetjak apo për të bërë një tregti minimaliste për mbijetesë, nuk kanë akses në informacion, nuk mund të kenë një plan a strategji për t‘ia bërë me dije qeverisë. Zëri i tyre nuk dëgjohet dhe qeveria nuk mund të mos mendojë për këtë kategori. Unë jam kundër vendosjes së TVSh-së për këtë kategori. Të bëhet i konkurueshëm prodhimi vendas. Të formalizohen fabrikat dhe fermat e mëdha. Jo kategoria e mbijetesës”, thotë Jaka për Citizens Channel.
Autor: Sabina Veizaj
The post Biznesi agroushqimor: 70% lundron në informalitet, të ketë strategji me bazë sektoriale appeared first on Citizens.al.