- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- BE rekomandon krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës në progres-raportin e 2021 për Shqipërinë
BE rekomandon krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës në progres-raportin e 2021 për Shqipërinë
Komisioni i Parlamentit Evropian për Punët e Jashtme ka votuar për përfshirjen e çështjes së Vjosës në Progres Raportin e Shqipërisë për vitin 2021.
Në draft raportin e shkruar nga takimi i 22 shkurtit të 2021, në paragrafin 42, Bashkimi Evropian i kërkon autoriteteve shqiptare të shpallin luginën e Vjosës Park Kombëtar.
“…Nxisim autoritetet të minimizojnë ndikimin në biodiversitet duke kufizuar zhvillimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, veçanërisht lumenjtë Valbona dhe Vjosa, dhe të krijojnë sa më shpejt të jetë e mundur Parkun Kombëtar Vjosa që mbulon tërë gjatësinë e lumit, në përputhje me njoftimin e qeverisë shqiptare”, -thuhet në draft raport.
“Vjosa u përfshi! Le ta ruajmë këtë bukuri”,– ishte mesazhi i deputetit të Parlamentit Evropian, Thomas Waitz në platformën Twitter.
“Komisioni i Parlamentit Evropian për Punët e Jashtme votoi Progres Raportin për Shqipërinë dhe amendamentin tim për një mbrojtje të fortë të lumit Vjosa, ndalimin e të gjitha projekteve të ndërtimit të hidrocentraleve dhe thirrjen për krijimin e Parkut Kombëtar”
Good news: the @EP_ForeignAff voted on the #Albania Progress Report and my amendment for a strong protection of the #vjosa river, the stop of all hydropower plant construction projects and the call to establish the Vjosa National Park was included! Let’s save this beauty! pic.twitter.com/K2T7lVJov5
— Thomas Waitz (@thomaswaitz) March 5, 2021
Për Eco Albania, organizatë e angazhuar në mbrojtje të lumit Vjosa, ky është një lajm i mirë, ndërsa ka etiketuar në postim edhe liderët politikë në vend.
“Shpresoj që liderët politikë në Shqipëri, Edi Rama, Lulzim Basha dhe Ilir Meta ta dëgjojnë këtë mesazh”,- u shpreh ekologjisti dhe drejtuesi i organizatës ndërkombëtare “Riverwatch”, Ulrich Eichelmann, i cili vazhdon të lobojë për ruajten e Vjosës si lumi i parë i egër në Evropë.
Important support to save the Vjosa river. I really hope the political leaders in Albania @ediramaal @lulzimbasha_al and @ilirmetazyrtar hear the message. A Vjosa National Park would be a great gift go European community. https://t.co/jlIPJRc1JV
— Ulrich Eichelmann (@UlrichEichelman) March 5, 2021
Më 25 shtator 2020, Kryeministri Rama u shpreh në Twitter se Vjosa e sipërme është shpallur Park Kombëtar dhe po punohet për ta shpallur të gjithë zonën e mbrojtur. Ndërsa tre muaj më pas, më 28 janar, Ministri i Turizmit Blendi Klosi u shpreh se lumi Vjosa do te mbrohet nga kufiri i sipërm me Greqinë deri në derdhjen e saj në det, në kategorinë “Peizazh i Mbrojtur”.
“Vendimi i fundit i Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit e përcakton në bazë të propozimit të ardhur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe e mbrojtur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë Parkun e Vjosës të gjithë nga kufiri i sipërm me Greqinë deri në derdhjen e saj në det një peizazh i mbrojtur, një zonë e mbrojtur një vlerë unikale të mjedisit shqiptar”, – thuhet në deklaratën për shtyp të Klosit.
Organizatat në mbrojtje të Vjosës kanë ngritur dyshime mbi këtë deklaratë, duke qenë se Ministri Klosi përdor termin “Peizazh të Mbrojtur” që është i ndryshëm nga termi “Park Kombëtar”. Sipas ligjit nr.81/2017 ndërtimi i hidrocentraleve në një zonë të shpallur “Peizazh i Mbrojtur” është i lejuar.
Maratona e Vjosës me vendimet për hidrocentrale
Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtarë: “RiverWatch”, “EuroNatur”, “Save the blue heart of Europe” dhe organizatës “EcoAlbania”, në Vjosë janë planifikuar të ndërtohen 31 hidrocentrale.
Hidrocentrali i parë ishte ai i Kalivaçit, leja e të cilit u dha në vitin 1997, por ndërtimet filluan në vitin 2007. Punimet u ndërprenë për shkak të problemeve të likuidimit me kompaninë nënkontraktore.
Më 2017, Qeveria Shqiptare anuloi kontratën e koncensionit dhe rihapi tenderin për përfundimin e digës në Kalivaç.
Hidrocentrali i Poçemit është një tjetër projekt i shumëdiskutuar. Leja për ndërtimin e një dige iu dha kompanisë turke “Kovlu Energy” në vitin 2016, por pas kërkesash të shumta për informacion, u zbulua se firma private kishte kryer konsultime për këtë hidrocentral me banorë të Fierit.
HEC-et e tjera janë planifikuar të ndërtohen në Luginën e Shushicës, në Luginën e Drinos, në Luginën e Bënçës dhe në Langaricë.
Me angazhimin e komuniteteve që jetojnë në zonat pranë rrjedhës së Vjosës në protesta dhe lobimit të organizatave ndërkombëtare deri më tani asnjë hidrocentral nuk është përfunduar. Ndërsa është kërkuar shpallja e të gjithë rrjedhës së Vjosës Park Kombëtar, me qëllimin mos lejimin e ndërtimit të hidrocentraleve.
The post BE rekomandon krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës në progres-raportin e 2021 për Shqipërinë appeared first on Citizens.al.