BE konfirmon abuzimin me 33 milionë euro me fondet e IPARD, pezullon 112 milionë euro të tjera

Qeveria shqiptare ka keqpërdorur 33 milionë euro fonde që janë dhënë nga Bashkimi Evropian për bujqësinë nëpërmjet programit IPARD.

Ky program u krijua për të ndihmuar në modernizimin e sektorit bujqësor shqiptar, në përputhje me standardet e BE-së dhe arritjen e progresit drejt anëtarësimit në BE.

Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve OLAF e konfirmoi këtë përmes një njoftimi zyrtar ku thuhet se BE ka kërkuar bllokimin e fondeve për Shqipërinë.

Në njoftimin zyrtar citohet se pas një sërë hapash hetimore, përfshirë kërkimet mjeko-ligjore dixhitale të dokumenteve të lidhura me marrësit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve.

Parregullsitë e gjetura përfshijnë kontrata pa konkurrencë dhe çmime të fryra si dhe shkelje të rregullave kontraktuale. Po ashtu OLAF nënvizon se aplikantëve u kërkohej të paguanin një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale.

OLAF rekomandoi që BE të ndalojë financimin prej 112 milionë euro që ishte parashikuar për IPARD III. 

“Nisur nga aktivitetet e mundshme kriminale të zbuluara gjatë hetimit, OLAF i dërgoi edhe një kopje të gjetjeve të saj autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë”, – thuhet në njoftim.

Një vit më parë Komisioni Evropian pezulloi fondet e IPARD për Shqipërinë, pas dyshimeve për korrupsion.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i mohoi akuzat asokohe, duke dekalruar se janë procedura normale të Bashkimit Evropian, dhe se nuk kishte të bënte me dyshime për korrupsion.

IPARD është një nga programet më të rëndësishëm dhe mbështetës për Shqipërinë në fushën e bujqësisë. 

IPARD II u zbatua në vitet 2014 dhe 2020, duke i dhënë Shqipërisë mbi 71 milionë euro teksa IPARD III pritej të shkonte në 146 milionë euro.

Në janar të 2022 IPARD II hapi thirrjet për aplikime për fermerët vendas dhe emigrantët për të përfituar mbështetje në agroturizëm.

Një auditim i KLSH zbuloi se agroturizmi ka pasur një mungesë strategjie dhe zhvillimi. Po ashtu raporti theksonte se ka mungesë të dhënash mbi produktivitetin e këtij sektori. Kësisoj nuk ka një matje konkrete mbi efektivitetin e nismave për mbështjen e agroturizmit.

Në janar të 2022 u hap një thirrje e dedikuar në fondet e IPARD vetëm për agroturizëm, duke dyfishuar dhe buxhetin.

Teksa qeveria ka promovuar mbështetjen e IPARD për agroturizëm, rezulton se përfituesit e thirrjes nuk ofrojnë ushqime vendase dhe fermerët e zonës nuk përfitojnë.