Bashkia Tiranë mbjell pemë dhe gënjeshtra

Me nisjen e vitit 2024 në Bashkinë Tiranë filloi sezoni i mbjelljeve. Që prej janarit, kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, ka postuar pothuajse çdo ditë fotografi ose video duke mbjellë pemë.

Kjo fushatë intensive mbjelljesh i ngjan një gare me kohën për të mbërritur në objektivin final: “2 milionë pemë deri në fund të mandatit të tretë”.  

Fundi i çdo muaji shoqërohet me bilancin e mbjelljeve, në janar 26,273 pemë, në shkurt 15,100 dhe 25,176 në mars. 

Sezoni i mbjelljeve u finalizua me një ceremoni pranë Liqenit të Farkës, në 1 Maj. Kryebashkiaku Erion Veliaj falenderoi gjithë donatorët që dhuruan pemë dhe deklaroi se për 4 muaj qytetit iu shtuan 104,475 pemë. Kjo shifër është e barabartë me 870 pemë çdo ditë.

Numri kaq i lartë i mbjelljeve edhe fakti se Bashkia Tiranë ka gënjyer edhe më parë për numrin e pemëve, na nxiti të bëjmë verifikime.

Citizens.al iu drejtua Bashkisë Tiranë, për të mësuar zyrtarisht sa pemë janë mbjellë në Tiranë gjatë periudhës janar-prill 2024.

Nga përgjigja e institucionit rezulton në këto katër muaj janë mbjellë vetëm 5,283 drurë, dhe jo 104,475 pemë sikurse deklaron Veliaj.

Veç drurëve, institucioni deklaron se janë mbjellë 24,581 shkurre dhe 12,109 lule sezonale. Nëse do të llogarisnim si pemë edhe lulet dhe shkurret, sërish kjo shifër përbën rreth 1/3 e asaj që u deklarua zyrtarisht.

Nga verifikimet rezulton se rreth 62,000 nga pemët që deklaron Veliaj, nuk dihet se ku janë mbjellë.

Pylli Orbital i Tiranës është 200 vite larg

Një vit më parë Citizens hulumtoi mbi ecurinë e Pyllit Orbital, nisur nga një deklaratë propagandistike e kryebashkiakut, ku tha se janë mbjellë 1 milion pemë. 

“Në 2015 thamë se do të mbjellim 2 milionë pemë deri në 2030 dhe jemi vetëm në gjysmë të këtij misioni të jashtëzakonshëm”, tha Veliaj.

Projekti strategjik “Metrobosco”, i njohur si pylli orbital është pjesë e planit urbanistik Tirana 2030, përgatitur nga arkitekti italian Stefano Boeri. Ky plan parashikon ngritjen e një “kufiri-hijebërës” prej 2 milionë pemësh frutore e parqesh rreth qytetit, që do të shërbente për të kufizuar ndërtimet dhe konsumin e tokës.

Citizens Channel e ka ndjekur në vazhdimësi ecurinë e punës për krijimin e pyllit orbital. Në një investigim të publikuar dy vite më parë, u zbulua se Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit (APR), në katër vite kishte mbjellë në total 58,000 pemë, pra një mesatare prej 1,208 pemësh në muaj.

Në një përgjigje për Citizens Channel, Bashkia Tiranë tha se nga fillimi i aplikimit të planit e deri më prill 2023 ishin mbjellë gjithsej 60,987 dru dhe shkurre. Citizens përllogariti ritmin me të cilin jane mbjellë pemët në gjashtë vitet e fundit, dhe rezultoi se për të mbjellë 2 milion pemë, Bashkisë Tiranë do i duheshin 200 vjet.

Dështimi për realizimin e projektit të “Pyllit Orbital”, konfirmohet edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Një auditim i bërë në vitin 2022 theksoi se ky projekt rezulton me nivel shumë të ulët realizimi, për shkak të pamundësive financiare dhe mungesës së hapësirës së nevojshme për mbjellje.

Gjelbërimi i Tiranës ka qenë kryefjala e Bashkisë Tiranë në 8 vitet e fundit. Zotimi për mbjelljen e 2 milion pemëve dhe kthimin e Tiranës në një qytet me parqe, ka mbetur vetëm në deklarata. 

Madje këtë deklaratë e përsëriti edhe në 1 maj kur deklaroi numrin e rremë prej 104 mijë pemësh. 

Teksa vrulli i ndërtimeve shtohet, Tirana është duke humbur hapësirat e gjelbëra.

Një sutdim i Co-Plan në 2021 tregoi se humbja e sipërfaqeve natyrore brenda Unazës së Madhe të Tiranës shkonte në 526,000 m2.

Hapësira e gjelbër ndër të tjera është hequr edhe me ligj. Në Planin e Përgjithshëm Vendor TR 2030, termi sipërfaqe e gjelbër nuk ekziston, aty përcaktohet vetëm hapësira publike. Brenda kësaj hapësire publike përfshihet edhe ajo e gjelbër.