- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Bashkia Tepelenë kërkon 1,200 euro për informacion publik
Bashkia Tepelenë kërkon 1,200 euro për informacion publik
Bashkia Tepelenë i kërkoi Citizens Channel 122,000 lekë për të dhënë informacion mbi projektin e ujësjellësit të ri që po ndërtohet në fshatin Mezhgoran.
Citizens Channel iu drejtua bashkisë Tepelenë me një kërkesë për informacion për të mësuar më shumë mbi procesin e ndjekur për të zbatuar projektin e ujësjellësit në Mezhgoran, që prej muajsh po kundërshtohet nga banorët.
Në përgjigje të kërkesës bashkia u përgjigj se: “Lidhur me vënien në dispozicion të Projektit të miratuar, Vendimin e Këshillit Bashkiak si dhe me dokumentet e kompanive zbatuese (kontraktorit), ju duhet të arkëtoni (nëpërmjet bankave të nivelit të dytë) në llogarinë e Bashkisë Tepelenë, tarifën e përllogaritur të shërbimit 122.000 lekë, sipas mandatit për arkëtim bashkëlidhur kësaj shkrese”.
Të njëjtën përgjigje bashkia ka aplikuar edhe për banorët e fshatit Mezhgoran, të cilët përmes avokatit të tyre kërkuan informacion për projektin. Në përgjigjen e bashkisë, ku përcaktohet pagesa nuk nënvizohet në asnjë pikë një rregullore ku bazohet kjo tarifë.
Sipas nenit 3 të ligjit për të drejtën për informim, çdo person gëzon te drejtën për informacion publik. Edhe në rast se vendoset një rregullore për tarifat e shërbimit, në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë tarifat e referencës së Komisionerit që është pak a shumë 5 lekë për faqe.
Prej disa muajsh banorët janë ngritur në protesta, pasi kundërshtojnë ndërtimin e ujësjellësit që merr ujin e Mezhgoranit për ta çuar në fshatin Peshtan, ku po ndërtohet një resort turistik privat.
Kontrata për projektin e ujësjellësit është lidhur që në vitin 2021, por nuk është zbatuar për shkak të rezistencës së banorëve. Sipas projektit, kohëzgjatja e punimeve do të ishte 4 muaj.
Por tanimë, sipas tabelës së vendosur në hyrje të fshatit projekti do të zgjasë 12 muaj që prej nisjes së punimeve.
Të përfshirë në projekt janë 3 kompani. JV “G.P.G Company” shpk dhe “2T” shpk për kryerjen e punimeve dhe “Invictus “sh.p.k për mbikëqyrjen e punimeve.
Sipas banorëve, pas protestës së datës 6 nëntor para bashkisë Tepelenë, punimet janë ndërprerë, ndërsa banorët janë në proces të nisjes së procesit gjyqësor kundër këtij projekti.
The post Bashkia Tepelenë kërkon 1,200 euro për informacion publik appeared first on Citizens.al.