- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Barometri i Lirisë së Medias: “Një mjedis me kërcënime, censurë dhe autocensurë”
Barometri i Lirisë së Medias: “Një mjedis me kërcënime, censurë dhe autocensurë”
Sipas një raporti të publikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, pasiguria në punë, stabilitetit ekonomik, ngacmimet, censura dhe auto censura janë disa nga problematikat të cilat kanë ndikuar në lirinë e medias përgjatë vitit 2020.
Përmes të dhënave të grumbulluara nga 350 gazetarë, një pjesë e madhe e problematikave të pasqyruara në Barometrin Kombëtar të Lirisë së Medias në Shqipëri për vitin 2020, vijojnë të jenë të njëjta sikurse vite më herët.
“Ajo që vlen të theksohet është fakti se të dhënat e Barometrit konfirmojnë gjendjen e përkeqësuar të lirisë së shprehjes gjatë vitit që lamë pas, të matur në raportet vjetore nga Freedom House dhe Reporterë pa Kufij”,-u shpreh Ola Mitre, një nga gazetaret që përgatitën raportin.
Ola Mitre, gazetare
“Përpjekjet për të imponuar paketën e ashtuquajtur anti-shpifje, lajmet e gatshme nga forcat politike dhe ngjarje konkrete si: protesta dhe prishja e teatrit kombëtar dhe pandemia u përmenden veçanërisht në përgjigje si shenja të përkeqësimit të lirisë”,-tha për Citizens Channel, Ola Mitre.
Nga 350 gazetarë dhe punonjës të medias, 30.2% e tyre u shprehën për Barometrin se nuk kanë një kontratë të rregullt pune. Ndërsa 68.8% e të pyeturve kanë pohuar se kanë një kontratë të rregullt pune.
Kodi i Punës i mundëson një grupimi prej te paktën 20 personash të punësuar të angazhohen në sindikatë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Në Shqipëri gazetarët dhe punonjësit e medias nuk janë angazhuar në asnjë sindikatë.
Megjithatë, 98,5% e të anketuarve shprehen se duhet te ketë një sindikatë për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe janë pro ngritjes së kësaj sindikate.
Sondimi u zhvillua anonimisht, duke përfshirë gazetarë nga qytete të ndryshme të vendit.
“Ne synuam që shpërndarja të ishte sa më përfaqësuese, duke marrë në konsideratë elementë si gjinia dhe shpërndarja gjeografike, duke u shtrirë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Gjirokastër, Vlorë, Fier, Shkodr, Elbasan, Durrës, Pogradec, Lezh, Kukës, Kavajë, Librazhd dhe Lushnje”,-u shpreh Ola Mitre.
Sipas raportit, vetë gazetarët pohojnë se një nga arsyet pse nuk ka një organizim sindikalist prej tyre është frika ndaj pronarëve të medias dhe veprimeve hakmarrëse të tyre.
Sipas Barometrit, 59% e të anketuarve deklarojnë se punojnë 6 ditë në javë, ndërsa 18% e të anketuarve deklarojnë se nuk bëjnë asnjë ditë pushim, edhe pse Kodi i Punës e përcakton të drejtën për pushime javore dhe vjetore.
Një numër i konsiderueshëm i gazetarëve dhe punonjësve të medias janë shprehur se gjatë ushtrimit të profesionit të tyre janë ndjerë të kërcënuar fizikisht. 33% e tyre ishin kërcënuar fizikisht ndërsa 51.5% të kërcënuar verbalisht.
Këto kërcënime kanë ardhur nga persona të kategorive të ndryshme duke përfshirë këtu protestues, punonjës policie dhe persona të lidhur me botën e krimit.
Me shqetësim vihet re edhe censura edhe vetë censura. 49.5% e gazetarëve dhe punonjësve të medias të intervistuar pohuan se u ishe kërkuar drejtpërdrejt ose përmes redaktori dhe kryeredaktorit të mos publikonin një lajm të caktuar.
Ndërsa numër më të lartë paraqet rasti i vetë censurës.
“52% e të anketuarve pohuan kishin shmangur raportimin e një lajmi, për shkak se kishin menduar se ai nuk do i pëlqente punëdhënësit. Shumica e të anketuarve që janë vetë-censuruar kanë mohuar se kjo lidhej me pasigurinë për vendin e punës apo zgjidhjes së kontratës nga punëdhënësi”,-thuhet në raport.
Mes të tjerash pothuajse 90% e të anketuarve pohuan se ndërhyrjet e qeverisë apo partive politike konsiderohen si faktor kryesor që cenon lirinë e medias, ndjekur nga interesat e bizneseve të drejtuara nga pronarët e mediave në shifrën prej 80%.
Lexo raportin e plotë: Barometri Kombëtar i Lirisë së Medias
The post Barometri i Lirisë së Medias: “Një mjedis me kërcënime, censurë dhe autocensurë” appeared first on Citizens.al.