- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Banorët e Porto Romanos kundërshtojnë ndotjen që shkakton porti industrial
Banorët e Porto Romanos kundërshtojnë ndotjen që shkakton porti industrial
Më 17 korrik rreth 200 qytetarë të lagjes 17 në Durrës protestuan kundër ndotjes që shkakton kalimi i makinave të tonazhit të rëndë që transportojnë qymyr në zonën e Porto – Romanos.
“Të na vinë të na thonë nuk është vend i banueshëm, të na çojnë në një vend tjetër, jemi dakord, por të paktën aq sa rrimë këtu, ato ditë të marrim atë ajër që na e ka dhënë zoti, jo të na bllokojnë frymën “,- tha Sadik Nezha, banor i zonës prej 25 vitesh.
Sadik Nezha me duart me qymyr ne zonen e Porto Romanos
Ata pretendojnë se për shkak të presioneve protesta nuk u transmetua në media e as nuk pati vijimësi. Can Gjeta, një prej banorëve i tha Citizens Channel se gjatë ditës së protestës u është premtuar nga Policia e Shtetit se do të vendosen tabela e ndalim qarkullimit të makinave të tonazhit të rëndë, por ende në terren asgjë s’ka ndryshuar.
Policia rrugore dështon në kontrollin rrugor
Citizens Channel kontaktoi menaxherin e “Kastrati Group”, kompani e cila udhëheq shoqërinë koncesionare MBM, që po menaxhon portin industrial. Ahmet Kastrati thekson se kompania që ai përfaqëson nuk është ent rregullator qarkullimi, dhe është Policia Rrugore që duhet të rregullojë itenerarin e klientëve të kompanisë së tij.
“Ne kemi njoftuar Policinë e Shtetit shqiptar që të vendosen disa tabela ndalim – qarkullimi për mjetet e rënda në zonat e banuara, në mënyrë që të drejtohen të gjithë kamionët në rrugën e re të kryer, por që është akoma e papërfunduar, është në fazën përfundimtare, në fazën finale”,- shpjegon Kastrati për Citizens Channel.
Ndërsa banorët pohojnë se i janë drejtuar Bashkisë Durrës për këtë problematikë, Bashkia i ka ridrejtuar te Policia, e cila ka vendosur një polic në survejim në zonë për disa ditë, që pas “monitorimit” është larguar.
“Rruga e dytë dytësore ka filluar para tetë muajsh, ndjemë për disa muaj një lehtësim, tani nuk e dimë arsyen pse është bllokuar”,- tha Leonard Hodo.
Ai kujton se dikur zona ishte tërësisht ndryshe, banorët dilnin shtëtitje nga “Muret e Portës” (monument kulture i kategorisë I) dhe kishte një lapidar që nuk ekziston më. Një investigim i medias Amfora, provoi se muri Monument Kulture, pasi u shemb pjesërisht nga koncensionari që po ndërton portin e hidrokarbureve në Porto-Romano, ka mbetur brenda rrethimit portual dhe përdoret si një shesh magazinimi.
“Nuk jetohet këtu, si e kanë nisur këta. Në rradhë të parë është njeriu, mbrapa janë firmat e qymyret”,- thekson Hodo.
Banorët ndjehen të rrezikuar nga aspekti shëndetësor gjithashtu ndjejnë frikën e kalimit të rrugës nga fëmijët e tyre për shkak të shpejtësisë së lartë të kamionëve.
“I kemi çuar fëmijët në spitale na kanë thënë a pinë duhan a ça bëjnë, janë bllokuar nga mushkëritë. E dyta, maunet kalojnë me shpejtësi 100 km në orë, kemi frikë me çu fëmijët në shkollë”,- përfundon Flutur Lushi.
The post Banorët e Porto Romanos kundërshtojnë ndotjen që shkakton porti industrial appeared first on Citizens.al.