- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Banorët e Lumasit protestojnë në mbrojtje të burimit të Sinecit
Banorët e Lumasit protestojnë në mbrojtje të burimit të Sinecit
Banorët e zonës së Lumasit kanë më shumë se një vit që kundërshtojnë projektin e Bashkisë Kuçovë për ndërtimin e një ujësjellësi që do të furnizojë me ujë shtatë fshatra.
“Nevojë fshatrat për ujë janë Belesova dhe Luzaj, që këta nuk i kanë futur në projekt fare, kjo është më e lezeçmja e tyre, kurse fshatrat e tjera janë tërë me ujësjellësa“, shpjegon Resul Sulanaku.
Resul Sulanaku
Burimi dhe kanioni i Sinecit është zonë e mbrojtur me vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2002, fakt ky i cili nuk e ka ndaluar kompaninë që po zbaton projektin të ndërhyjë në zonë me ndryshime të infrastrukturës. Banorët shprehen të shqetësuar se në maj të vitit të shkuar është betonizuar një pjesë e rrugës duke e shpyllëzuar atë, por edhe pranë burimit është ndërtuar një godinë e cila do të shërbejë për klorifikimin e ujit.
Godina e ndertuar ne zonen buferike
Bashkia Kucovë i tha Citizens Channel se godina është ndërtuar larg zonës së mbrojtur, konfirmuar kjo dhe me aktin e ekspertimit i cili i është dorëzuar gjykatë. Por sipas avokatit Arben Llangozi godina është ndërtuar brenda zonës buferike.
Sipas nenit 17 për zonat e mbrojtura, ligji 87/2017 monumnetet natyrore rrethohen nga zona buferike me gjerësi deri në 200 metra nga perimetri i monumentit.
“Fillimisht shkulën shkurret,; prishën strukturën, kanë hedhur beton deri te godina që kanë bërë ata, me qëllim që të shtrijnë tubacionin, për ta lidhur me burimin”- , shton Resul Sulanaku.
Agjencia Kombëtare të Zonave të Mbrojtura e ka njohur ndërhyrjen e paligjshme në zonën e mbrojtur. Vëzhgimi në terren tregon se vendimi nuk është zbatuar dhe punimet nuk janë ndërprerë.
“Kallëzime janë bërë gjithashtu ndaj funksionarëve të policisë që kanë ushtruar dhunë ndaj këtyre banorëve“,- ka përfundua Llangozi.
Ujësjellësi pa konsultime dhe me ujë të papijshëm?
Banorët tregojnë se që nga e kaluara prindërit paralajmëronin se uji i burimit është i papijshëm, ndryshe konfirmon për Citizens Channel Bashkia e Kuçovës.
Ndërsa Bashkia pohon se uji është me vlera të përshtatshme fizike, kimike për konsum njerëzor sipas Drejtorisë së Shëndetit Publik Kuçovë.
“Është i papijshëm, ata le të bëjnë çfarëdolloj manipulimi dhe ta çojnë në çfarëdolloj laboratori, ky del i papijshëm“,- thotë Asqeri Shuaipi.
Banorët pohojnë se kurrë nuk i është komunikuar asnjë informacion në lidhje me projektin dhe cdo hap të zhvilluar e kanë marrë me mend.
“Po pam se na prunë skrepat pastaj, na bllokuan rrugën, na prishën tokat, arat, u vetëkuptua pastaj ajo se ca do bënin. Prunë tubat, prunë tubat, ata vijnë natën, ne s’na thotë gjë njeri se çfarë …për të plaçkitur banorët, kështu i bie… “,- përfundon një prej banoreve.
Çështja tashmë është në proces në Prokurorinë e Beratit ku pritet të merret edhe vendimi mbi fatin e këtij monumenti natyror.
The post Banorët e Lumasit protestojnë në mbrojtje të burimit të Sinecit appeared first on Citizens.al.