- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA) gjobit televizionet për gjuhë urrejtjeje dhe reklamë te fshehur
Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA) gjobit televizionet për gjuhë urrejtjeje dhe reklamë te fshehur
Bordi i Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA), ka gjobitur televizionet Ora News, News 24, TV Klan dhe Report TV për shkelje të ligjit të Medias Audiovizuale sa i përket gjuhës së urrejtes, transmetimin e reklamave të padeklaruara dhe dhunimin e të drejtave të fëmijëve.
Në njoftimin për shtyp, AMA ka deklaruar se ka gjobitur me vlerën 400,000 lekë, RTV “Ora News” për emisionin “Ju flet Moska”, me temën “Skënderbeu dhe vrasjet në Zelandën e Re”. Në këtë emision ka pasur deklarime të cilat nxisin intolerancën mes shtetasve, justifikojnë dhunën, nuk respektojnë gjuhën dhe larminë e traditave, besimeve fetare, kulturës dhe moralit të qytetarëve.
Çfarë është gjuha e urrejtjes?
Gjuha e urrejtjes shprehet me anë të gjesteve, shkrimit apo shfaqjeve që nxisin dhunë ose veprime paragjykuese ndaj një individi apo grupi në bazë të atributeve si raca, feja, origjina etnike, origjina kombëtare, gjinia, aftësia e kufizuar, orientimi seksual ose identiteti gjinor.
Tërheqja e vemendjes për këtë televizion vjen edhe për emisionin “Why Not”, të datës 07.04.2019 për shkelje të normave ligjore dhe etike. Fjalori i përdorur gjatë bashkëbisedimit në këtë emision dhe përgatitja e cigareve në studio promovon përdorimin e duhanit dhe nxit fëmijët në përdorimin e këtyre produkteve.
Me vlerën 200.000 lekë, është gjobitur televizioni “Report” Tv, pasi në emisionin “Pa gjurmë” janë dhunuar të drejtat e një fëmije, duke cënuar privatësinë dhe dinjitetin e tij.
E drejta për privatësi për të miturit në transmetimet audiovizive
OSHMA-të, në të gjitha programet e tyre, duhet të respektojnë me rigorozitet dhe përparësi të drejtat e privatësisë së të miturve, të dhënat personale të të cilëve janë objekt i një mbrojtjeje të veçantë.
Transmetimi, publikimi dhe përhapja e detajeve, me çdo mjet, i lajmeve apo pamjeve që identifikojnë një të mitur të përfshirë në një krim është i ndaluar.
OSHMA-të duhet të shmangin çdo raportim apo transmetim, që çon direkt apo indirekt në identifikimin me pamje dhe zë, me gjeneralitete, adresë apo përshkrues të çdo fëmije që mund të jetë ose është viktimë, dëshmitar, i hetuar, i akuzuar apo deklaruar fajtor për kryerjen e një vepre penale.
AMA ka gjobitur televizionin “News 24” me vlerën 120,000 lekë për shfaqje gjatë edicionit informativ të reklamave të fshehta, të cilat bien ndesh me kërkesat e ligjit nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në republikën e Shqipërisë”.
Televizioni Klan gjobitet me 120,000 lekë pasi në emisionin “Rudina” nuk janë respektuar kërkesat për reklamat dhe komunikimet tregtare.
Çfarë është reklama e fshehtë?
“Komunikim i fshehtë audioviziv me natyrë tregtare” është paraqitja me fjalë ose figurë e mallrave, shërbimeve, emërtimit, markës së prodhimit ose i veprimtarive të një prodhuesi mallrash ose ofruesi shërbimesh, në programe, kur një paraqitje e tillë, nga ofruesi i shërbimit të mediave, ka për qëllim të shërbejë si reklamë dhe mund të mashtrojë publikun mbi natyrën e tij. Një paraqitje e tillë konsiderohet se ka për qëllim të shërbejë si reklamë, kur bëhet kundrejt pagesës ose përfitimeve të tjera.
Bazuar në nenin 44, pika 1 të ligjit Për Mediat Audiovizive në Republiikën e Shqipërisë, nr. 97/2013, përcaktohet qartë se vendosja e produkteve gjatë programeve, si një mënyrë e fshehur dhe abuzive e komunikimit me natyrë tregtare, është e ndaluar, përveçse në filma, vepra kinematografike, seriale të prodhuara për shërbimet e transmetimit mediatik, programeve sportive dhe atyre me natyrë zbavitëse.
Ndërkaq AMA-s u tërheq vëmendjen televizioneve kobëtare për transmetimet për personat me nevoja të vecanta shqisore dhe marrjen e masave për transmetimet me bazë gjuhën e shenjave.
Vendimet e AMA-s vijnë si pasojë e kritikave të marra nga organizata që kanë vrojtuar transmetimet në televizione. Media Look në një publikim, raportoi se AMA-s është e pafuqishme ndaj TV-ve, duke lejuar reklamat e fshehta në edicionet e lajmeve dhe në emisione të ndryshme.
Trasmetimi i “Kronikave reklamë” në Televizionet Kombëtare
Nga vëzhgimi tremujor i kryer nga Media Look për 276 edicione informative të orës 19:00 dhe 19:30 në tre televizione kombëtare kanë rezultuar se ka një total prej 51 kronikash, nga këto 20 në TV Klan, 18 në Vision Plus dhe 13 në Top Channel. Koha totale kushtuar këtyre lajmeve është 35.59 minuta në Vizion plus, 35.19 minuta në TV Klan dhe 13 minuta në Top Channel.
Sipas Media Look, në lajmet e televizioneve shqiptare shfaqen kronika të njëanshme në përcjelljen e reklamës. Media Look evidenton dy tipologji të lajmeve:
Kronika lajmesh që raportojnë në favor të bizneseve të sektoreve të ndryshme, pjesë e të cilëve ndodhen edhe aksionarë të televizioneve publike.
Kronika lajmesh që raportojnë në favor të bizenseve të sektoreve të ndryshme kundrejt interesave ekonomikë ose jo, por pa lidhje të drejtpërdrejtë mes pronarëve të tyre.
Sa i përket tipologjisë së dytë të lajmeve vihet re se ka një rritje të kronikave reklamë në periudha festash, me qëllim rritje klientele falë ofertave të kompanive. Të kontaktuar nga Media Look, gazetarët nuk pranuan të komentojnë, por në bisedime jo formale ata shprehen se tekstet dhe videot për këto lajme vijnë të gatshme nga zyra e marketingut të kompanive duke mos u krijuar aspak hapësirë reporterëve të raportojnë në mënyrë profesionale.
Këto konstatime të shkeljeve audiovizive janë edhe prioritete të AMA-s për vitin 2019, sa i përket monitorimit dhe vlerësimit të përmbajtjeve duke përfshirë:
1.Mbrojtja e fëmijëve në transmetimet audiovizive
2.Reklamat e fshehura dhe komunikimet tregtare
3.Programet audiovizive me karakter informimi mbi shendetin dhe medikamentet.
*Citizens Channel /E.K/
The post Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA) gjobit televizionet për gjuhë urrejtjeje dhe reklamë te fshehur appeared first on Citizens.al.