ATSH lidh marrëveshje me “Agjencinë Anadolu”; Këshilli Turk i Medias raporton presionin e shtetit ndaj gazetarëve

Vizita e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Shqipëri më 17 janar 2022, përpos inaugurimit të shtëpive të ndërtuara në Laç, u mbyll edhe me nënshkrimin e 7 marrëveshjeve për fusha të ndryshme, si arsimi, kultura, emergjencat civile, arkivat, zbatimin e ligjit dhe median.

Në fushën e medias, dy shtetet nënshkruan bashkëpunim Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe Agjencisë Anadolu në Turqi.

Mirëpo si qëndron Turqia lidhur me lirinë e shprehjes dhe sferën mediatike në tërësi?

Sipas një raporti të publikuar nga Këshilli Turk i Medias për vitin 2021, situata e medias në Turqi nuk ka ndryshuar shumë nga sa më herët, ku 95% e medias kombëtare qoftë ajo  print apo online, qëndron në kontroll të plotë nga qeveria.

“Për të rrëzuar mediat “opozitare”, organet publike si Bordi i Lartë i Radios dhe Televizionit (RTÜK) dhe Agjencia e Reklamave të Shtypit (BIK), të dyja me zbatimin e tyre, detyruan kushte të vështira për mbijetesën e pavarur. Gazetat dhe kompanitë televizive, numri i të cilave ka rënë ndjeshëm në më pak se gishtat e dorës, si dhe për disa qindra homologë të tjerë më të vegjël rajonalë”,-thuhet në raportin e Këshillit Turk të Medias.

Çfarë është Këshilli Turk i Medias? 

Këshilli Turk i Medias u krijua zyrtarisht më 6 shkurt 1988. “Kontrata e Këshillit të medias” u nënshkrua nga 28 gazeta, 22 revista, 11 agjenci lajmesh, 6 transmetues dhe 6 organe shtypi. Që atëherë Këshilli ka funksionuar pandërprerë. Këshilli nuk është i organizuar si organizatë në kuptimin juridik. Është një OJQ pa personalitet ligjor të vetin dhe punon në baza vullnetare.

Sipas raportit, vitet e fundit numri i përgjithshëm i gazetave dhe kompanive televizive është përgjysmuar, ndërsa rreth 12 mijë punonjës të shtypit kanë mbetur pa punë.

Përfundimisht, parametrat e situatës në fund të të gjitha këtyre pengesave kanë ardhur deri në sa vijon:

  • Mbyllja e gazetave dhe kompanive televizive;

  • Një ushtri prej dymbëdhjetë mijë punëtorësh të papunë të shtypit;

  • Gazetarë të arrestuar, të burgosur dhe të dërguar pas hekurave;

  • Gazetarë të rrahur në rrugë nga bandat;

  • Forcat e policisë synojnë ashpër gazetarët;

  • Qasja në lajme ose mohohet ose bllokohet;

  • Kufizime më keq se kurrë për lirinë e shtypit dhe të shprehjes;

  • Lënia e publikut nga e drejta për t’u informuar dhe privimi i tij nga marrja e informacionit të vërtetë për faktet”,-shkruan raporti.

Rritje e sulmeve fizik ndaj gazetarëve

Sipas raportit, sulmi fizik ndaj gazetarëve është rritur, duke përfshirë këtu ndërhyrjet brutale gjatë dhënies drejtpërdrejt të lajmeve.

“Një nga shembujt ishin sulmet e një grupi të madh pikërisht në mes të transmetimit të drejtpërdrejtë, në përpjekje për të ndërhyrë dhe bllokuar transmetimin e lajmeve të rrjedhshme për zjarret në pyje në rajonin e Egjeut të vendit. Kjo ndodhi në muajt e verës”,-thuhet në raport.

Disa gazetarë janë përballur me sulm me thika dhe shkopinj gjatë raportimit të tyre në emisione të drejtpërdrejta, ndërsa pronari i një gazete në Bursa, ishte vetë objektivi i një sulmi me armë dhe u qëllua dhe u plagos. Dhe po ashtu, raporti citon se edhe shefi i Byrosë së Ankarasë të gazetës “Yeniçağ” u sulmua para shtëpisë së tij nga një grup i vogël dhe u plagos.

Referuar Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit që dokumenton lirinë e shtypit në 180 vende, për vitin 2021 Turqia u rendit në vendin e 153.