- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Asambletë Universitare njoftojnë fillimin e grevës së pedagogëve
Asambletë Universitare njoftojnë fillimin e grevës së pedagogëve
Asambleja e Personelit Akademik të Fakultetit të Shkencave Sociale (FSHS) ka vendosur sot të nisë grevën e pedagogëve. Ky vendim vjen pas skadimit të afatit një javor vendosur qeverisë në mbledhjen e përbashkët të Asambleve të Universitetit të Tiranës në datën 25 janar.
Përfaqësues nga këto organe mbajtën sot një takim me Ministren e Arsimit Besa Shahini, nga ku dolën pa një marrëveshje për pesë pikat e vendosura në mbledhjen e përbashkët lidhur me mbështetjen e studentëve, kundërshtimin e ligjit të Arsimit të Lartë, rritjen e buxhetit për Arsimin dhe shfuqizimin e Vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe urdhërave të miratuara në dhjetor 2018.
Pak minuta pas këtij komunikimi nga ana e pedagogëve, Ministrja Shahini u shpreh në një njoftim për shtyp se “bojkotet dhe ultimatumet e vendosura janë të panevojshme në këtë situatë”.
Tre vendimet e Asamblesë së FSHS:
Të nisin grevën e pedagogëve
T’u bëjnë thirrje asambleve të të gjitha fakulteteve të UT që të mblidhen sa më parë për të koordinuar veprimet
T’u bëjmë thirrje të gjitha asambleve dhe pedagogëve të Universiteteve Publike që t’i bashkohen grevës së përgjithshme
Çfarë është Asambleja e Fakultetit.
Sipas Ligjit Nr. 80/2015 Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë, neni 36, organet dhe autoritetet drejtuese në institucionet e arsimit të lartë janë :
Organi më i lartë drejtues akademik është Senati Akademik. Organe të tjera akademike janë asambleja e personelit akademik dhe komisionet e përhershme.
Asambleja e personelit akademik përbëhet nga personeli akademik me kohë të plotë i njësive kryesore. Pra, Asambleja është organi që zgjedh çdo drejtues të fakulteteve. Asambleja e personelit akademik mund të ushtrojë edhe kompetenca të tjera, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë
Si funksionon Asambleja
Asambleja e personelit akademik të njësisë kryesore në institucionet e arsimit të lartë ka këto funksione:
a) zgjedh rektorin e institucionit në institucionet publike të arsimit të lartë.
b) zgjedh anëtarët e Senatit Akademik në institucionet publike të arsimit të lartë
c) zgjedh drejtuesin e njësisë kryesore në institucionet publike të arsimit të lartë;
ç) krijon dhe zgjedh anëtarët e komisioneve të përhershme të njësisë kryesore.
*Citizens Channel /l.k./
The post Asambletë Universitare njoftojnë fillimin e grevës së pedagogëve appeared first on Citizens.al.