Artan Fuga përballë Akademisë së (pa)reformuar të Shkencave

“Nuk kam asnjë interes personal dhe kam thënë që nëse unë do të konsideroj veten që nuk jam në përputhje me disa vendimmarrje, kam deklaruar se që nga ai moment jap edhe dorëheqjen nga Akademia e Shkencave, sepse nuk më intereson te jem në një vend ku parimet dhe ato vlera që unë konsideroj se nuk janë të miat, por janë të shoqërisë nuk respektohen “.

Kështu është shprehur akademiku Artan Fuga gjatë një seance dëgjimore që është mbajtur sot në Komisionin e Mediave dhe Edukimit, në të cilën  ka shprehur pikëpamjet dhe kritikat e tij në lidhje me reformimin e Akademisë së Shkencave dhe projektligjin që është paraqitur në kuvend për Akademinë.

Fuga ka deklaruar se ndodhet në atë sallë pas një censurimi 10 vjeçar nga një institucion i cili me vlerat e veta duhet të kishte respektin e mendimit ndryshe si dhe shpreson të degjohet nga deputetët e komisionit dhe të mos ndërpritet siç i ka ndodhur me dhjetëra raste.

Akademiku ka qenë një zë i fortë gjatë gjithë periudhës së diskutimit për projektligjin e Akademisë së Shkencave, duke kundërshtuar dhe quajtur të paligjshme edhe zgjedhjen në krye të Akademisë së Shkencave të kryetarit aktual Skënder Gjinushi.

“Për herë të dytë Akademia e Shkencave bën zgjedhje të cilat janë të paligjshme. Pse? Sepse kandidon dikush që është kryetar partie, që ligji në fuqi, neni 6, pika 1 e ndalon. Tani më thoni, do të vazhdojmë ne që të dëgjojmë një Akademi ku janë bërë zgjedhje të paligjshme,” – ka argumentuar më tej akademiku Fuga.

Sipas tij, projektligji për Akademinë e Shkencave, i cili ka ardhur nga grupi i deputetëve iniciatorë, fatkeqësisht nuk respekton vlerat e parlamentarizmit shqiptar, vlerat e respektit të komunitetit shkencor, vlerat të cilat janë në themel edhe te aspektit normativ dhe etik .

“Unë shikoj që defektet proceduriale janë të lidhura me faktin se projektligji që ju është paraqitur, i cili në përmbajtje nuk është i grupit të deputetëve iniciatorë, por është i dikujt tjetër, është një projektligj i deshtuar edhe si frymë, edhe si parim, edhe si mision.“

Përpos kësaj akademiku tha se duhet të lihet hapësirë për afrimin e platformave alternative, ndërkohë që nuk ngurroi të kërkonte edhe ngritjen e një grupi hetimor për mënyrën se si janë përdorur fondet publike nga Akademia e Shkencave.

“Në akademinë e shkencave ka abuzime financiare”.

Në vijim të kritikave të tij për projektligjin, Artan Fuga ka propozuar një sërë alternativash që sipas tij i shërbejnë reformimit të Akademisë.

Sa i përket përmbajtjes dhe formës së projektligjit për Akademinë e Shkecave, ai ka parashtruar disa propozime:

1.Unë mendoj se projektligji është i papjekur dhe bie në kundërshtim me kuadrin ligjor që është në fuqi.

2.Propozimi im është që me këtë çeshtje të rimerret Ministria e Arsimit. Unë besoj se Ministria e Arsimit ka tërë kapacitetet që ta çojë përpara këtë gjë.

3.Unë mendoj që duhet implikuar komuniteti universitar dhe shkencor në rinovimin e Akademisë sepse Akademia nuk kapërcen dot vetveten.

4.Unë do të propozoja që siç është censuruar deri më sot ajo platforma alternative, mundësisht të bëhet pjesë e diskutimeve në komunitetet ndofta edhe me zëra të tjerë të pavaruar.

Projektligji për Akademinë e Shkencave

Citizens Channel ka raportuar edhe më herët për projektligjin e paraqitur pranë Kuvendit të Shqipërisë, për reformimin e Akademisë së Shkencave.

Rreth 15 deputetë të Partisë Socialiste mes tyre Eglantina Gjermeni, Anastas Anxhel, Mimi Kodheli, Vilma Bello, Fate Velaj, Senida Mesi, Blerina Gjylameti,Elona Gjebrea, Besnik Baraj etj kanë dërguar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për reformimin e Akademisë së Shkencave.

Në relacionin shpjegues të këtij projektligji thuhet se ky projektligj ka si objektiva ndërtimin dhe funksionimin e Akademisë së Shkencave në përshtatje me nevojat e zhvillimit të vendit si dhe rritjen e cilësisë, dobisë shoqërore e praktike dhe integritetit të kërkimit shkencor.

Ky projektligj është konsideruar nga ministrja e arsimit Besa Shahini si një mënyrë për të modernizuar Akademinë.

Pikërisht fakti se Akademia e Shkencave është në proces reformimi, ngjalli debatet sa i përket zgjedhjeve për postin e drejtuesit tw Akademisë. Zgjedhja e Skënder Gjinushit ishte jo ligjore, pasi për këto zgjedhje është zbatuar ligji i vjetër në fuqi, ai i vitit 2006.

Nga ana tjetër akademikët mendojnë se Ministria nuk ka pranuar t’i dëgjoni zërat kundër saj dhe ka refuzuar të takojë akademikët që kanë dashur të paraqesin shqetësimet e mëdha për censurën e vendosur në akademi për zërin alternativ.

*Citizens Channel /E.K/