- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Argumentat e qeverisë për mungesë financash dhe përfitim nga PPP, dështojnë bashkë me koncensionin për Teatrin Kombëtar
Argumentat e qeverisë për mungesë financash dhe përfitim nga PPP, dështojnë bashkë me koncensionin për Teatrin Kombëtar
Qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës njoftuan sot tërheqjen nga plani i shumëdebatuar për ndërtimin e një godine të re të Teatrit Kombëtar përmes Partneritetit Publik Privat (PPP). Nëpërmjet një statusi në Facebook, Erion Veliaj njofton se Teatri Kombëtar do të ndërtohet nga vetë qeveria shqiptare dhe Bashkia.
Kjo bie ndesh me deklaratat e njëpasnjëshme të kryeministrit Rama, i cili është shprehur edhe më herët se ndërtimi i një godine të re është “operacion me kosto të lartë” dhe për këtë arsye i është besuar privatit.
“Është e thjeshtë, ne duam të ndërtojmë teatrin e ri, nuk e ndërtojmë dot me fondet tona, është operacion me kosto të lartë, është shumë herë, shumëfish se i gjithë buxheti për kulturën gjatë një viti. Atëherë fton privatin, që këtë herë koicidon “, u shpreh Rama në korrik të vitit 2019.
Në vijim të deklaratave pro-prishjes së godinës, në rrjetin social Facebook, Kryeministri në po atë muaj sqaroi se trualli i Teatrit nuk do të sfumohej nga privati, por Bashkia do i japë atij një pjesë toke matanë murit rrethues të godinës së Teatrit Kombëtar.
“Ndërsa po, është e vërtetë që matanë murit rrethues të teatrit ekzistues, ka një truall në pronë të bashkisë që do t’i jepet privatit, në këmbim të teatrit të ri që privati do të ndërtojë me kapitalin e tij, pa asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit!”, shkruan Rama në postimin e tij.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka shikuar tërheqjen nga plani fillestar si fitore të rezistencës së aktorëve dhe qytetarëve të cilët janë angazhuar prej shumë muajsh në mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
“Qeveria dhe Bashkia, me një deklaratë të mekur, pranuan dështimin për të çuar deri në fund projektin kriminal për të shembur Teatrin Kombëtar“, shkruajnë ata në profilin e tyre zyrtar në Facebook.
“Fitorja e parë e madhe është që prona publike i mbetet qytetarëve megjithëse është cenuar në një kohë të shkuar, dhe nuk do të tërhiqemi pa i rikthyer çdo centimetër të cenuar pronës së teatrit si pasurisë publike“, vijojnë më tej ata.
Në qershor të vitit 2019, u tentua heqja e materialeve të këtij teatri me qëllim zbrazjen godinës dhe më pas prishjen e saj. Punonjësit e Bashkisë janë hasur me rezistencën e aktorëve dhe aktivistëve, të cilët nuk kanë lejuar largimin e materialeve.
Në mëngjesin e 24 korrikut, Teatri Kombëtar u gdhi i rrethuar nga forca të shumta policore. Orët e mëvonshme u pasuan me përplasje me policinë dhe mbledhje të qytetarëve në mbrojtje të godinës. Pas shumë orësh qëndresë, forcat policore u larguan.
Fill pas kësaj ngjarje, artistët çelën siparin e sallës së Teatrit Komëbetar. Vepra e parë ë vënë në skenë një vit pasi qeveria vendosi ta mbyllë atë, ishte monodrama “Marr guximin” nga Mehdi Malka. Kjo shfaqje u pasua nga shumë të tjera, në kuadër të Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit.
Në mars të këtij viti, Teatri Kombëtar pritet të hyjë në listën “7 më të rrezikuarat”, një program i organizatës Europa Nostra identifikon objektet dhe peizazhet më të kërcënuara në Evropë dhe mobilizon aktorët publik dhe privat në gjetjen e një zgjidhje për ruajtjen e siteve të çmuara të trashëgimisë.
Përfaqësues të kësaj organizate i kanë dërguar në mënyrë të përsëritur letra qeverisë shqiptare, ku shfaqet kundërshti e fortë për planet e tjetërsimit të godinës.