Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: “Pranimi i Teatrit në Europa Nostra hap rrugën për restaurim”

Në mars të vitit 2020, Teatri Kombëtar u përfshi zyrtarisht në listën e 7 vendndodhjeve më të rrezikuara në Evropë, nga organizata Europa Nostra.

Përfshirja në këtë listë erdhi si një iniciativë e aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të cilët prej dy vitesh protestojnë në mënyrë të vazhdueshme për vlerat kulturore të objektit dhe zonës përreth.

Kjo periudhë përkoi me përhapjen e virusit COVID-19 në Shqipëri, që ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën e jetesës të qytetarëve duke limituar disa liri themelore si lëvizja apo grumbullimet.

Sheshi i teatrit, i cili prej një viti ishte shndërruar në një odë ligjërimesh të përditshme për shqetësime të sferës publike, qytetare dhe kombëtare, është boshatisur për shkak të pandemisë, por nuk është lënë asnjëherë bosh.

Që ditën që u shpall pandemia në Shqipëri, ne riformatuam protestën tonë, duke vendosur një rregullore të brendshme, ku në teatër mund të rrinin një, maksimumi dy veta brenda ambienteve të mbyllura. Kemi vazhduar live-in si çdo natë, jo më me shumë folësa por vetëm me një folës. Jo vetëm për të folur për çështje që shqetësojnë Teatrin Kombëtar, por edhe për çështjet që shqetësojnë Shqipërinë dhe kohët e fundit gjatë pandemisë nuk është se kemi pasur pak probleme të mëdha, sidomos për sa i përket masave që mori Qeveria në lidhje me pandeminë, të cilat rezultuan që ishin masa totalisht propagandistike dhe aspak masa që i shërbenin shëndetit të njerëzve,”– tregon për Citizens Channel Robert Budina, një prej aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Robert Budina, aktivist Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Përpos grumbullimeve fizike në shesh, ajo çka e lidh këtë komunitet sipas aktivistit Gentian Gaba është ana shpirtërore e cila sipas tij nuk shuhet as në rast pandemie.

“Pjesa shpirtërore, e cila nuk shuhet edhe në kohë pandemie, sipas meje buron nga fakti që tashmë ka lindur një komunitet, i cili prej më shumë se dy vitesh lufton dhe sakrifikon për diçka që tejkalon interesat e secilit prej përbërësve të tij, dhe që tashmë ka një vetëdije të plotë për vlerën që ka kjo qëndresë. Jo vetëm në raport me mbrojtjen e godinës historike, por edhe për rolin dhe përgjegjësitë e qytetarit përballë një pushteti arbitrar”,– rrëfen Gentiani.

Për aktivistin Ervin Goci, gjatë këtyre dy muajve të pandemisë vihet re një tendencë e shtuar e shtetit për të hyrë në hapësira që u përkasin qytetarëve.

“Në asnjë moment për më shumë se dy vite me angazhimin tonë për mbrotjen e Teatrit Kombëtar nuk kemi cënuar sigurinë publike, përveçse jemi cënuar nga shteti për të ushtruar një të drejtë kushtetuese, siç është protesta.

Ervin Goci, aktivist Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Rezistenca për Teatrin nuk ka filluar këto ditë, por është një kauzë e ngritur në dy vite dhe në këto dy vite ka marrë shumë forma dhe kahje, sigurisht duke ruajtur fokusin te qëllimi themeltar – shpëtimi i Teatrit Kombëtar dhe atij Kombëtar Eksperimental nga shembja”,– shprehet aktivisti Goci.

Teatri Kombëtar tashmë me mbështetje ndërkombëtare

Më 29 prill të vitit 2020, Europa Nostra shpërndau një video ku Teatri Kombëtar prezantohej si një qendër mjaft të rëndësishme kulturore dhe sociale në Tiranë.

“Teatri Kombëtar i Shqipërisë është një nga 7 vendet më të rrezikuara në Evropë për vitin 2020. Ndërtesa moderniste e viteve ’30 është një qendër e rëndësishme kulturore dhe hapësirë sociale në Tiranë. Pavarësisht protestave të rregullta popullore dhe shqetësimeve të ekspertëve, autoritetet lokale janë të vendosur për ta prishur ndërtesën dhe për ta zëvendësuar më një të re”, –thuhet në përshkrimin e video-mesazhit.

Teatri Kombëtar, nga shembja tek restaurimi

Për aktivistin Budina, puna e kryer nga Alenca Për mbrojtjen e Teatrit ka qenë e jashtëzakonshme.

“Ju kujtojmë këtu se ne kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, dy vjeçare që në kthimin e ligjit para dy vjetësh, kemi sensibilizuar opozitën, kemi hartuar dokumenta pafund, kemi çuar kritikat tona në Bashkimin Evropian përsa i përket ligjit special që bëri Qeveria Shqiptare dhe deri sa mbërritëm që Teatri Kombëtar të përzgjidhej në 7 vendodhjet më të rrezikuara të Evropës”,-rrëfen ai më tej.

Sipas aktivistit Gentian Gaba vendimi për të shkatërruar një momument pas statusit të dhënë nga Europa Nostra, do të ishte aspak i lavdishëm.

“Të mos harrojmë se Europa Nostra mbështetet nga Komisioni dhe Parlamenti Europian, vepron në bashkëpunim me Institutin e Bankës Europiane të Investimeve, dhe nëpërmjet programit ‘Creative Europe’, do të jetë në gjendje të gjenerojnë fonde, lobim dhe mbështetje për restaurimin e Teatrit. Ekspertët e trashëgimisë dhe ata financiarë të EN dhe Institutit të Bankës Europiane të Investimeve do të mbërrijnë në Tiranë sapo COVID-19 të mos jetë një pengesë për udhëtimet.

Gentian Gaba, aktivist Aleanca për Mbrojten e Teatrit

Nga ai moment, qeveria nuk do të ketë përballë vetëm qytetarët që kërkojnë restaurimin e godinës, por edhe një dërgatë që vjen me bekimin dhe fondet e BE-së, për t’i dhënë një jetë të re Teatrit Kombëtar“,- tregon Gaba për Citizens Channel.

Pak ditë më parë edhe një tjetër zë i rëndësishëm evropian, Mariya Gabriel, Komisioneria Evropiane për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Edukimin dhe Rininë, u rreshtua pro kauzës së mbrojtjes së teatrit.

Me anë të një postimi në Twitter të fotos me 7 destinacionet kulturore më të rrezikuara në Evropë për vitin 2020, Gabriel shkruan:

“Trashëgimia jonë kulturore na ndihmon të kuptojmë historinë dhe vendin në botë. Në kohë të vështira si këto, ajo ç’ka është më e rëndësishme, është mbrojtja e tyre. Unë e mbështes plotësisht iniciativën #7vendetmëtërrezikuara, që vë në dukje vendet e trashëgimisë në rrezik”.

Our #culturalheritage helps us understand our history & place in the world. In difficult times like these more important than ever to preserve it! I fully support the #7MostEndangered initiative, highlighting heritage sites in peril. https://t.co/NjShMV1LKx#EuropeForCulture pic.twitter.com/mOhBYpdK9u

— Mariya Gabriel (@GabrielMariya) April 3, 2020

Mbështetja ndërkombëtare nuk “lëkund” qëndrimin e qeveritarëve shqiptarë

Në një intervistë për gazetën Shekulli, Komisioneria Gabriel, u shpreh se Teatri Kombëtar është pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe asaj evropiane.

“Teatri Kombëtar Shqiptar është një hapësirë ​​e rëndësishme sociale dhe publike për qytetarët e Tiranës. Pas teatrit, ka kulturë dhe histori. Jam në dijeni të protestave të rregullta të mbështetura nga ekspertë për të mbrojtur këtë pikë referimi historik. Siç e dini, Teatri Kombëtar Shqiptar u rendit këtë vit si një nga 7 vendet e trashëgimisë më të rrezikuar në Europë nga Europa Nostra, një iniciativë e mbështetur nga programi ynë European Creative. Tani, ekspertët, së bashku me organizatat nominuese dhe me partnerët e tjerë, do të vizitojnë të gjitha vendet e listuar dhe do të takohen me palët kryesore të interesit për të ofruar këshilla, për të identifikuar burimet e mundshme të financimit dhe për të ndihmuar në mobilizimin e një mbështetje të gjerë për të shpëtuar monumentet e trashëguara”.

Për aktivistin Gentian Gaba, reagimi i Komisioneres Mariya Gabriel dhe organizatës Europa Nostra përkthehet në një pikë përcaktuese të betejës për shpëtimin dhe restaurimin e godinës.

“Ne kemi mbajtur marrëdhënie të rregullta me përfaqësues diplomatik të vendeve të ndryshme të BE-së, dhe shumë prej takimeve, një pjesë të pa mediatizuara, janë organizuar me peripeci që mund të zilepsin edhe diplomatë të sprovuar. Pra ka qenë një punë e vazhdueshme, e kryer nga aktivistë të ndryshëm, nga fusha e jurisprudencës, arkitekturës, trashëgimisë dhe sigurisht e artistëve, e cila u shoqërua me një sensibilizim të mediave të vendeve të ndryshme të Europës, të cilat, me pasqyrimin e tyre të protestës, shërbyen për të prodhuar opinion dhe për të rrëzuar narrativën e ngritur nga propaganda e këtushme”– tha Gaba.

Për aktivistin Ervin Goci, këto janë pozicione të mirëfillta politike që në themel të tyre kanë lëshimin e sovranitetit për të prodhuar një të mirë të përbashkët.

“Dua të kujtoj për publikun, që qeveria shqiptarë aderon në disa institucione europiane, ka firmosur disa konventa, megjithëse është nga vendet më defiçitare për ratifikimin e tyre, ka një marrëveshje për stabilizim-asocimin në fuqi me BE, ku dhe trashëgimia ka një zë aty, tani pret zyrtarizimin e statusit të vendit kandidat, dhe pas kësaj detyrimet, standartet, kriteret për t`ju afruar Europës vetëm ashpërsohen – trashëgimia dhe prezervimi i saj ka një vend të veçantë në integrimin tonë në familjen europiane”,- shprehet Goci.

Kryebashkiaku i Tiranës: “Teatri i ri do të jetë një sukses”

Pavarësisht jehonës ndërkombëtare dhe mbështetjes që ka marrë Teatri Kombëtar, drejtuesi i Bashkisë së Tiranës ka ripërsëritur qëndrimin e tij për ta shembur atë.

Menjëherë pas qëndrimit të Komisioneres për Kulturën në Komisionin Evropian, Veliaj theksoi me anë të një statusi në rrjetin social Facebook se ashtu si sheshi Skënderbej, Pazari i Ri, edhe Teatri do të jetë një sukses.

“Sa shumë e luftuan dhe e shanë. Por Stadiumi Kombëtar e mori kupen e pare, shpallet fitues i Çmimit të Arkitekturës BIG SEE Awards për Evropën Juglindore! Do rikthehet loja sërish miq. Sa shumë e luftojnë Teatrin e ri. Por si Sheshi Skenderbej, Pazari i Ri dhe Stadumi, Teatri i ri do jetë një sukses”.

Qëndrimi i ndonjë aktori në Shqipëri për aktivistn Ervin Goci është i rrezikshëm për perspektivën evropiane.

Autoritetet tona, më saktë Kryetari i Bashkisë i pa zgjedhur, që nuk është se ka ndonjë gjë të madhe në dorë në fakt, demostron injorancë të thellë ndaj proceseve integruese, por dhe më keq kur tregon standarte të dyfishta, duke iu drejtuar Europës për interpretimin e procedurës së konkurimit në lidhje me projektin e ri të Teatrit Kombëtar, dhe duke e injoruar tërësisht kur nga e njëjta zyrë vjen qëndrimi që duhet ndjekur rruga e shënjuar nga Europa Nostra për restaurimin e Teatrit Kombëtar dhe atij Kombëtar Eksperimental”,-argumenton Goci.

Për Budinën, restaurimi i Teatrit, i cili do të mbështetet në pjesën më të madhe nga Europa Nostra, i kursen Shqipërisë para publike.

Kryetar i bashkisë që del dhe thotë që do ta restaurojmë me paratë e taksapaguesve shqiptarë, kur nëse bën një aplikim merr reth 80% të shumës. Pra shteti shqiptar nuk ka nevojë t’i harxhojë ato para, që kryetari i bashkisë me aq dëshirë na thotë ne se do të mund t’i investojë“,- sqaron Robert Budina.

Aktivisti Gaba sqaron se Teatri nuk është në pronësi të Bashkisë dhe si e tillë roli i saj është inekzistent.

“Kryetari i Bashkisë nuk ka më asnjë rol, pasi godina është në pronësi të Ministrisë së Kulturës, drejtuesja e së cilës prej muajsh nuk përmend më Teatrin. Kësodore, deri në këtë moment aventurat e Veliaj në këtë fushë ngjasojnë më shumë me përpjekje për të shpëtuar erzin e humbur në një betejë në të cilën doli në dritë natyra e tij e vërtetë”.

Aktivistët rrëfejnë se që prej 24 korrikut të vitit të shkuar janë organizuar rreth 70 shfaqje në Teatër, më së shumti evropiane duke i dhënë një dimension evropian njërit prej vendeve më të rrezikuara në Evropë.

“Nëse me parë, ne nuk kemi arritur të ndërhyjmë nëpërmjet politikës , të ndikojmë nëpërmjet politikës në politikën evropiane, tashmë nëpërmjet kulturës ne ia arritëm këtij qëllimi dhe detyruam auroritetet tona për herë të parë në gjithë këto vite, të dalin kundër Evropës, sepse gjithë kohët e fundit, gjithmonë kartën e Evropës, ata e kanë përdorur si një mjet për të mbajtur pushtetin e tyre”,- përfundon aktivisti Robert Budina.