- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Aktivistja Alida Karakushi: “Në një mjedis kaq të kapur duhet reaguar e duhet folur shkoqur!”
Aktivistja Alida Karakushi: “Në një mjedis kaq të kapur duhet reaguar e duhet folur shkoqur!”
Prej sa vitesh jeni aktiviste ne shoqërinë civile?
Mendoj se kam thuajse 12 vite si aktiviste e shoqërisë civile nëse e konsiderojmë aktivizmin si dalje përtej kornizës tënde individuale në mbrojtje të kauzave publike. Fillimisht si anëtare e “Korpusit të Vullnetarëve” ku shumë fundjava si studente i kaloja duke pastruar plazhet e Shqipërisë si një mënyre aktive për të denoncuar mungesën e vëmendjes ndaj mjedisit si shkak i papërgjegjshmërisë institucionale vendore e qendrore, por edhe ndaj apatisë sociale. Me tej u jam bashkuar dhe shumë herë edhe kam bërë thirrje për protesta në kauza te ndryshme sikurse mbrojtja ndaj dhunës që vuajnë gratë dhe vajzat në Shqipëri e që për më tepër stigmatizohen nga vetë familja e shoqëria. Kam denoncuar bashkë me shumë aktivistë të tjerë të pavarur korrupsionin politik dhe aleancat politike ku pushteti shihej si tortë për tu ndarë duke bërë thirrje për votën e ndëshkimit mbarë politik ne 2013 (vota e bardhë). Mbi të gjitha kam denoncuar institucionet publike ku korrupsioni është kulturë më vete e tanimë vetë krerët e institucioneve i quajnë ato pronë private.
Shembull, dëgjesa publike te organizuara nga Bashkia Tiranë por ku realisht e kupton se bëhet fjalë për dëgjesa konfidenciale. Kam denoncuar censurën mediatike ndaj shume kauzave civile duke shkruar në media ndërkombëtare. Kam protestuar për ndërtimet tek parku në 2016, kam shkruar artikuj në media të huaja për këtë kauzë por dhe e kemi ndjekur insitucionalisht me padi Bashkinë Tiranë. Tu them te drejtën, qenka e vështirë të flasësh për Unin kur mbron publiken. Sinqerisht nuk e mbaj mend në sa protesta kam marrë pjesë por ama jam e sigurt se ndjeshmëria shumë e larte ndaj publikes më ka bërë që ti bashkohem apo të bëj thirrje për çdo kauzë që është në mbrojtje të publikes, apo ajo që mund ta quajmë kauzë e të përbashkëtës.
Pse jeni larguar nga Shqipëria?
Disa herë jam larguar nga Shqipëria, edhe kësaj radhe jam larguar për t’u kthyer më e fortë e më pavarur. E kam vënë re se në një mjedis kaq të kapur ku ndjeshmëria jote është shumë e lartë, duhet reaguar e duhet folur shkoqur si ndaj ekonomisë së gllabëruar nga disa oligarkë që në masën më të madhe nuk janë prodhues por thjesht ndërtues që kanë hidrocentrale e media, apo importues që kanë hapur qendra komerciale por qe realisht nuk kane prodhuar asgjë përveçse të ndihmuar nga politika klienteliste kanë sfumuar dhe politikat e prodhimit vendas. Si ndaj medias se kapur, si ndaj OJF-ve qe me se shumti operojnë si burim zgjidhjesh për akte nënligjore në vend që të ishin ai zëri i fortë e kumbues që i tërheq veshin qeverise dhe emancipon shoqërinë. Si ndaj kastës politike që e ka minuar votuesin shqiptar ne një numër pa vlere duke e zhveshur nga qenia politike. Përtej këtyre faktorëve, formimi im si studiuese politike mund të gjente profesion në administrate, por unë kam refuzuar të aplikoj për punë në një administratë qe e ka kulturë korrupsionin.
Për OJF-të e brendshme por dhe ndërkombëtare, rrallë kam aplikuar duke parë se edhe për këto të fundit ka një kod të brendshëm që nuk të lejon të vijosh kritikat publike. Së fundmi, kam punuar si lektore në një institucion privat por edhe aty nuk m’u rinovua kontrata kur u pa qartë se nuk mund të vendosja nota me mik. Sa më e vogël një shoqëri e caktuar ku mbizotëron kultura e te fortit e cubit, po aq e pranishme është ajo e skllavit modern e aq me e vogël është hapësira e te të jetuarit me dinjitet. Unë kam zgjedhur gjithmonë anën e dinjitetit pavarësisht kostove qe mund të më dilnin më vonë. Kësisoj për shembull, kam kritikuar publikisht me një letër të hapur dhe vete universitetin ku kreva studimet Bachelor duke i bëre të qarta problematikat me rastin e një konference akademike ndërkombëtare që ata organizuan. Ne shqip fjala korrupsion si dhe ne teoritë politike si fenomen njihet si abuzim i pozicionit në pushtet për përfitimet personale. Ne anglisht fjala “corrupt” do të thotë i shtrembër/ i padrejtë- parë në ketë perspektive kur je natyrshëm kritike e së padrejtës atë e sheh që në sferën më të ngushtë dhe nuk harron të bësh kritiken konstruktive, atë e sheh dhe në lagjen tënde kur dikush për shembull krijon ndotje akustike, në punën tënde teksa sheh se një punëdhënës po abuzon me një koleg, ne shkollën/ universitetin ku studion nëse niveli i mësuesve apo pedagogeve gjatë aktit mësimor është i padenje.
Atë e sheh dhe tek i njeh të drejtat e tua si qytetar taksapagues dhe i kërkon llogari nëpunësit civil. Por shoqëria jonë, nëse i do reaguesit është vetëm në pjesët fragmentare te saj, në ato komunitete qe po përballen me dhunën korruptive të pushteti siç mund të jetë kauza e banorëve te Astirit, apo ato për HEC-et anembanë Shqipërisë. Teksa shoqëria mbetet e atomizuar dhe vijon të jetë mosbesuese veprimtare të pavarur si unë nga njëra anë, nuk janë te nxitur për të punuar në administrate, por automatikisht deri-diku bëhen dhe te papunësueshëm dhe në sektorin privat kur dihet organigrama klienteliste e tij.
A jeni kërcënuar vetëm pse jeni angazhuar ne kauza sociale në Shqipëri? Nëse po, çfarë ju është thënë?
Kërcënime direket nuk kam pasur, ne mënyre indirekte ama më kanë kaluar mesazhe force. Nga ana tjetër, po jam shoqëruar në polici teksa protestoja bashkë me dy veprimtarë të tjerë të pavarur ndaj zgjedhjes së I. Metës si president. Ishte i trishtë shoqërimi im në polici por të paktën video e tij u bë virale dhe shpresoj se shumë qytetarë e kanë parë sesi policët mbetën të pafjalë kur u kërkoja arsye për shoqërimi tim. Bile, më e rëndë fare është se vetë ata më kërkuan ndjesë në rajon e më thanë se ishin të detyruar ta kryenin atë veprim me urdhër nga lart.
A keni humbur dike apo diçka me vlere si pasoje e aktivizmit tënd?
Kam humbur miq apo ish kolege qe i cilësoja të tille teksa punësoheshin ne shtet, por nuk do e quaja se kam humbur diçka me vlere. Pasi ne momentin kur je një veprimtare për mbrojtjen e publikes, ti je me e vërtete dhe ti nxit mbrojtjen e vlerave.
A jeni penalizuar në gjetjen e një pune si pasojë e aktivizmit tënd?
Besoj se po. Por nuk mund të flas me siguri pasi dhe refuzimet tek ne nuk bëhen të argumentuara. Nga ana tjetër, sërish nga administrata publike aktorë politikë më kanë ofruar punë por e kam refuzuar atë sepse e shihja si një mjet për të më mbyllur gojën. Kisha shumë ëndrra teksa studioja në universitet për shkencat politike, kisha shumë shpresë sepse motivimi për këtë degë erdhi nga ideja për të ndikuar për mirë në këtë vend, jo për të gjetur një punë e bërë para por e shtyrë nga një dozë e madhe idealizmi. Pasi fitova bursën “Fulbright”, bëra studimet master për politikat publike (sepse më shtyu t’i bëj këto studime ajo që mendoja se vendi im ka nevojë për mua) por jo, për fat të keq këto diploma nuk vlejtën jo vetëm nga alergjia ime për të mos aplikuar kurrë në një administratë publike të korruptuar, por edhe sepse këto njohuri i përdora në funksion të aktivizmit civil totalisht të pafinancuar sepse gjithsesi edhe për organizatat ndërkombëtare në Shqipëri nëse do aplikoja do isha e futur në listën e zezë.
Kaq shumë e pashë se këto diploma për vendin tim nuk kanë vlerë sa dhe njësimin e diplomës master nuk e përfundova. Po, ka mbetur si hallkë dërgesa e transkripteve origjinale tek Ministria e Arsimit edhe pse universiteti në ShBA e konfirmoi si diplomën dhe transkriptet. Unë duhej thjeshtë të paguaja 15 dollarë të mi niste universiteti me postë transkriptet origjinale, dhe i thashë vetes në atë moment “Nuk ia vlen!” Sepse diploma ime bashkë me mua ishin futur tanimë në listën e zezë për kastën e vendit tim. E megjithatë nuk pendohem, këto njohuri kanë vlerë kur ke arritur që ato ti bësh me pasion e përtej atyre të kesh dhe të tjera që të bëjnë të pavarur në jetë. Teksa na shpaloset batërdia e përgjimeve dhe shohim çfarë mynxyre ka ky parlament e kupton qartë fare sesi kjo shoqëri është kaq e kapur, e kaq e mekur e sesi modeli i arritjes është servilizmi, sharlatanizmi dhe cubizmi. E megjithatë vendi im mbase ditë më të mira do të vijnë pasi kjo kastë qelbanikësh të pëlcasë siç e meriton.
Meqë dosjet e komunizmit nuk u hapën kur duhet, të paktën teknologjia po na dëshmon llumin ku është zhytur kjo kastë politike aktualisht, e mbase duke i parë me zë e figurë disa do pendohen si për votën e shitur nën presion, si për përrallat me tepsi që e bënë një kriminel të votohet me pasion nga një pjesë e madhe prej jush. Kohë të trishta po jetojmë të gjithë, dhe ne që nuk jetojmë më në Shqipëri teksa na dhëmb vendi ynë. Prapë se prapë besoj se si shoqëri duhet të jemi të hapur ta shohim batërdinë sa më dëlirët në mënyrë që të reflektohet ndaj saj. Sa do reflektohet nga vetë shoqëria atje nuk e di, e megjithatë shpresoj. E megjithatë të paktën për këto vite aktivizmi besoj se ndonëse nuk e kam mundur dot këtë kaste, e kam ciflosur keq atë si me anë të protestave si me anë të artikujve e mbi të gjitha si duke mos u blerë dhe nga ofertat e hedhura “si padashje” nga ata.
Në fakt kaq shumë ndihet e ciflosur nga artikujt në mediat ndërkombëtare, duke më shkruar se nuk duhet shkruar keq në anglisht për vendin tënd, saqë po mendoja për britanikët e amerikanët gjuhën e të cilëve e kuptojnë miliarda, jo vetëm amerikanë e britanikë. Vallë si ndihen këta të fundit ndërkohë që feudalët e epokës izoluese akoma i mëshojnë kësaj shprehjeje. Eh, edhe sa ofshama do ndjejmë për ty vendi ynë, pasi si shqiptarë edhe kur largohemi për në dhe të huaj diku përçojmë pluhur Shqipërie me identitetin tonë duke kontribuar edhe jashtë teje.
A ju janë shpërndare informata personale (fotografi/ te dhëna/ statuse) për t’ju linçuar publikisht?
Po, ne disa raste. Njëherë një akademike me demek qe nuk e pranon kritiken kishte bërë opinionet ndaj meje fakte. Kishte shkruar një post publik ku në imagjinatë ia kalonte edhe regjisoreve te Hollivud-it. Me akuza e pretendime te pabazuara. Rasti tjetër ishte vjet teksa një video e një shkëmbimi u postua ne YouTube e ku me demek një kundërshtar me kishte bërë fërtele sipas publikuesit.
Sa e vështire ka qenë për ju te jeni aktiviste në Shqipëri?
Shume e vështire, sepse ne aspektin personal, familjar, social, merr shume kosto. Ne aspektin personal te veshin tërë kohës me etiketa, tip kjo është e x partie opozitare prandaj e bën ketë. Duke qenë se diskursi publik u jepet si ekskluziv partive, edhe po nuk ishe e anëtarësuar në to, për të të vrarë argumentin, i veshin një mantel lajmësit. Në aspektin familjar, familja ime ka qenë gjithnjë e frikësuar me aktivizmin tim dhe pasojat, mbase fizike, që mund te kisha. Tanimë dhe të njohur nuk të flasin në rrugë, bile kanë frikë të dalin ne foto me ty ama nga ana tjetër, ke shumë që sapo të shohin të përqafojnë fort e të falënderojnë ndonëse ti nuk i njeh domosdoshmërish nga afër.
A janë kërcënuar te afërmit tuaj vetëm prej aktivizmit tuaj?
Në mënyre indirekte, po. Dikush në Shqipëri, sapo kisha organizuar protestën e para ne 2012, ishte futur duke bërë komente denigruese duke pretenduar se ishte një anëtar i familjes sime. Impersonifikim ky që shkaktoi shume dhimbje ne familjen time e ku për disa kohe edhe nuk shkrova shkrime.
Cili ka qenë rasti më i rënde me të cilin je përballur dhe jeni ndjerë e kërcënuar?
Ishte pikërisht vjet, teksa po mbanim një agora ne kuadër të mbrojtjes së Teatrit. Kësaj radhe tema ishte shitblerja e votës në Shqipëri e ku unë po ligjëroja studimin qe kisha kryer. Në fund mora sulme qe nuk i prisja. Sulme këto te padenja e me një gjuhë të dhunshme. Aktivizimi im vjen natyrshëm pa pritshmëri, por një sulm të tillë nuk e kisha imagjinuar.
A keni menduar të hiqni dorë?
Jo, asnjëherë, ndonëse shumë do të shpresonin te ishte kësisoj. Jemi të gjithë pjesë e një procesi edhe aktivizmi në Shqipëri është pjesë e një procesi i cili me kohën do të konsolidohet. Të gjithë kemi betejat tona përpara, është mirë të mos presim shpëtimtare por të bëhemi dëshmitare kumbues të tyre.
A ju kanë kërkuar njerëzit e afërm të mos flisni për tema te caktuara dhe si keni reaguar ju?
Po, ka pasur shumë raste, por më në fund e kuptuan se unë nuk mund të dorëzohem dot, ndaj se fundmi janë krenar me mua edhe pse janë më të qetë që nuk jam në Shqipëri. Por edhe nga larg unë vijoj të veproj pasi në botën postmoderniste mund te jesh fizikisht në një vend por mendërisht e emocionalisht mund të jesh serish e pranishme në vendin tënd. Për shembull, ishte pikërisht nga Brazili qe shkrova artikullin e fundit për Shqipërinë. Motoja ime është se një shoqëri që nuk reagon ndaj problemeve që ajo has, është si një trup i sëmurë që nuk do të diagnostikohet. Apatia si fenomen multifaktorial, sa historik, sa sociologjik, sa i nxitur nga partitë aktuale ekziston por dhe antitrupat, qytetarët e pavarur reagues janë gjithnjë e më të ndërgjegjshëm e bashkëveprues. Ndaj, pavarësisht faktit se shumë veprimtarë u detyruan të largohen, energjia që lamë pas si kapital social do të vijojë të konsolidohet.
*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj
The post Aktivistja Alida Karakushi: “Në një mjedis kaq të kapur duhet reaguar e duhet folur shkoqur!” appeared first on Citizens.al.