- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Aktivistët venë tellallin kundër plagjiaturës në Universitetin e Tiranës
Aktivistët venë tellallin kundër plagjiaturës në Universitetin e Tiranës
Aktivistë të Qëndresës Qytetare vendosën sot tellallin para Rektoratit të Universitetit të Tiranës, duke kërkuar shqyrtimin e plagjiaturës së rektorit Artan Hoxha dhe dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha.
“O profesorë, studentë, dëgjoni tellallin dhe mbani vesh. Universitetin tonë e kanë uzurpuar hajdutët. Rektori i universitetit është kapur me plagjiaturë. Dekani dhe kandidatët janë plagjiatorë! O anëtarë të Këshillit të Etikës! Ruani etikën dhe jo rektorin”,– thirri përmes megafonit Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare.
Sipas aktivistëve, Universiteti i Tiranës është në ditët më të vështira, pasi renditet i fundit në Evropë, ndërsa drejtuesit janë me plagjiaturë.
“Këshillit të Etikës i ka hyrë elefanti i korrupsionit në dhomë dhe bën sikur asgjë nuk ka ndodhur. Për këtë arsye ne jemi sot për të thyer heshtjen ndaj plagjiaturës. Për të thënë se plagjiatura është vjedhje”,- deklaroi Qiraxhi.
Lush Suaj, pedagog pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, ishte i vetmi nga radhët e pedagogëve i pranishëm në aksionin simbolik të sotëm. Ai u shpreh se plagjiatura nuk është vetëm problem ligjor, por edhe moral.
“Një njeri që ka probleme me plagjiaturën nuk duhet kurrë të kandidojë. Por edhe nëse nuk ka moral për të bërë hapa mbrapa, profesorët nuk duhet ta votojnë as për një mijë vjet. I bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore të veprojnë dhe te zbatojnë ligjin”,- deklaroi pedagogu Lush Susaj.
Aktivistët dhe njëkohësisht studentë, në fjalën e tyre u shprehën se ndjehen të zhgënjyer, për aq kohë sa universiteteve ju drejtohen për të marrë një model të mirë.
“Model, i cili jo vetëm që mungon, por në ditën kur drejtuesit e universitetit kapen me plagjiaturë, njerëzit që duhet ta zgjidhnin luajnë ping- pong me shqetësimin tonë. Këshilli i Etikës thotë duhet ta sjellë një pedagog denoncimin. Pedagogët thonë e ka Senati për detyrë, Senati thotë e ka ministrja. Ministrja thotë e ka presidenti, e presidenti pret që ta zgjidhin pedagogët”,- u shpreh Mateo Yskollari, student i inxhinierisë informatike pranë Universitetit Politeknik të Tiranës.
Sipas Yskollarit, mos reagimi ndaj këtij krimi akademik, tashmë të faktuar, dëmton zhvillimin akademik dhe rrezikon përparimin e vendit në sistemin arsimor.
“Mos reagimi i organeve kompetente, heshtja e pedagogëve nga frika e vendit të punës, mos organizimi i studentëve, të cilët janë drejtuar dhe edukuar nga një plagjiator, pra një hajdut, duhen thyer sa më parë”,-deklaroi Mateo Yskollari.
Të rinjtë, sollën në vëmendje edhe raste të tjera të denoncuara për plagjiaturë në punimet doktorale të pedagogëve, të cilët janë edhe duke kandiduar në këto zgjedhje.
“Në fakultete të ndryshme siç mund të përmendim rastin e Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha sot kandidon në zgjedhje pa garë për tu bërë dekane dhe nga po i njëjti skandal i bërë publik disa ditë më parë rezulton që edhe ajo ka kryer plagjiaturë. Së bashku me kandidatin për dekan në Fakultetin e Ekonomisë Z.Bernard Dosti, i cili po ashtu rezulton që ka kryer plagjiaturë. Sot institucionet që duhet ta frenojnë plagjiaturën dhe duhet të bëjnë sitjen e pedagogëve që kryejnë plagjiaturë nga ata që nuk kryejnë plagjiaturë, nuk e kanë bërë detyrën e tyre”,- u shpreh studenti dhe aktivisti Igli Llapaj.
Aktivistët, përpos shqyrtimit të plagjiaturave nga Këshilli i Etikës i kërkuan ministres Ogerta Manastirliu edhe pezullimin e rektorit të Tiranës, Artan Hoxha dhe të gjithë procesit zgjedhor, deri në shqyrtimin e plotë të denoncimit.
Ky reagim vjen pas denoncimeve të kryera nga studiuesi Taulant Muka pak ditë më parë, i cili akuzon për plagjiaturë në punimet e tyre doktorale rektorin Artan Hoxha dhe dekanen e Fakultetit të Drejtësisë Dorina Hoxhën.
Edhe pse denoncimet janë bërë publike dhe janë adresuar te institucionet akademike, asnjë veprim nuk është ndërmarrë deri më tani prej tyre për shqyrtim të denoncimit.
Zgjedhje me vetëm një kandidaturë
Më 21 qershor 2024 në sistemin universitar publik do të zhvillohen zgjedhjet për dekanë dhe rektor. Në këto zgjedhje, ajo çfarë vihet re është mungesa e garës, duke pasur vetëm një kandidat.
Sipas Qëndresës Qytetare, 90% e universiteteve në Tiranë dhe 50% e fakulteteve kanë vetëm një kandidat, duke mos pasur alternativa.
“Nga gjashtë universitetet të cilat zhvillojnë zgjedhje në universitetet e Tiranës, pesë janë me një kandidat. Është e jashtëzakonshme shtypja dhe mungesa e hapësirës për alternativë. Universitetet, të fundit në Evropë nuk kanë brenda tyre alternativa për të dalë. Profesorët dhe studentët do të shkojnë të votojnë, por nuk do të shkojnë të zgjedhin, sepse nuk kanë alternativë se kë të zgjedhin”,- u shpreh Migen Qiraxhi.
Edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës, gara është pa konkurrentë. Fatbardh Sallaku rikandidon për rektor.
“Në universitetin tim fatkeqësisht edhe aty votimi në këto zgjedhje janë me një kandidat. Nuk ka garë me një kandidat, sepse nuk pranuan të tjerë të venë kandidaturën. Ka një dorë të zezë që i ka uzurpu universitetet. Është duke i kthyer në organizata bazë të partisë. Nuk merret më këshilla mik i nderuar, koleg i nderuar, kandido se edhe rektori që kandidon do të ketë kandidat përballë”-u shpreh pedagogu Lush Susaj.
Sipas tij, mes pedagogëve ekziston frika për të folur ndryshe.
“Nuk ka masakër më të madhe që është bërë mbi profesorët reagues dhe mbi studentët që nga protesta e vitit 2018 edhe për këto fjalë që ju them. Na kanë masakruar fëmijë, familje, karrierë, s’kanë lenë gjë pa bërë dhe njerëzit kanë frikë. Kanë frikë sepse të heq bukën e gojës, të heq nga puna, të heq fëmijën nga puna, të heq gruan nga puna”-akuzoi pedagogu Susaj.
Pas katër vitesh në drejtim të Universitetit të Tiranës, rektorit Artan Hoxha rikandidon sërish, i vetëm në garë.
Në Fakultetin e Ekonomisë, dekani Dhori Kule largohet për shkak se ligji i arsimit të lartë nuk i lejon më rikandidimin, duke i hapur rrugë kandidimit të zëvendës rektorit Bernard Dosti. Edhe Dosti është i vetëm në garë.
Në Fakultetin e Drejtësisë gara është sërish me një kandidat, teksa dekania Dorina Hoxha kërkon mandatin e dytë. Në fakultetin e Gjuhëve të Huaja kandidon Esmeralda Kromidha, ndërsa në Fakultetin e Histori-Filologjikut gara ndahet mes Mark Markut dhe Dhimitër Dokës.
Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në garë është Eglantina Kalluçi dhe Endrit Xhina. Në Fakultetin e Shkencave Sociale gara zhvillohet mes Edvin Lames dhe Eliona Kullurit.
Në Universitetin e Arteve Kastriot Caushi largohet pas gati dy dekadash në rol drejtues, ndërsa gara do të zhvillohet mes dy kandidatëve Artan Peqinit dhe Erald Bakallit.
Në Universitetin e Mjekësisë, Arben Gjata nuk ka të drejtë rikandidimi, ndërsa është në masën e detyrimit të paraqitjes në SPAK për shkak të hetimit të koncensionit të sterilizimit. Kandidati i vetëm është Xheladin Draçini.
Në Fakultetin e Mjekësisë në garë janë Brikena Qirjanko dhe Margarita Gjata. Kjo e fundit bashkëshortja e rektorit Arben Gjata.
The post Aktivistët venë tellallin kundër plagjiaturës në Universitetin e Tiranës appeared first on Citizens.al.