- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Aktivistët i kujtojnë qeverisë premtimin e pambajtur për Urën e Zogut
Aktivistët i kujtojnë qeverisë premtimin e pambajtur për Urën e Zogut
Edhe pse kanë kaluar plot nëntë muaj që nga prezantimi i projektit për ndërhyrje emergjente në Urën e Matit, njohur ndryshe nga banorët si Ura e Zogut, ende nuk është ndërmarrë asnjë hap në konkretizimin e këtij projekti.
Rrënimi i Urës se Matit dhe mungesa e reagimit nga institucionet ka bere qe ketë të dielë aktivistet e shoqërisë civile që e kane ndjekur këtë kauzë prej afro 4 vitesh, të dalin në një reagim.
“Përgjatë këtyre muajve pritje i jemi drejtuar disa herë për kërkesa me informacion Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, të cilët vazhdimisht përgjigjen se janë në proces tenderimi, por asnjëherë nuk na kanë bërë me dije afatet e tenderimit dhe kur fillon ndërhyrja“, – tha Elsa Sula nga organizata “Sebastia“.
Sula thekson se me nisjen e sezonit të reshjeve ndërhyrja do të bëhet më e vështirë dhe Ura e Zogut është më e rrezikuar se kurrë.
“Sot jemi po me të njëjtat kërkesa. Kur mbyllen afatet e tenderimit dhe kur fillon puna për zbatimin e këtij projekti emergjentë? “ – ngriti pyetjen Sula.
Për aktivistët kjo është një kauzë që nuk cënon vetëm kurbinasit, por historinë, trashëgiminë dhe identitetin kombëtar.
“Nuk është një urë që po rrëzohet për shkak se ajo nuk mund të qëndrojë në këmbë, por është kjo urë që po rrëzohet për shkak të babëzisë dhe të papërgjegjësisë shtetërore, që lejon firmat të vazhdojnë e të gërryejnë edhe sot e kësaj dite në këto kohë me shi, të marrin inerte poshtë kësaj ure“, – analizon Elton Laska nga organizata “Sebastia“.
Aktivistët shprehen se nuk do ta ndërpresin betejën e tyre deri në shpëtimin e kësaj ure.
“Do te qëndrojmë te vendosur për ndjekjen e kësaj kauze e do te shkojmë deri në kallëzime penale për çdo drejtues institucioni qe ka nen përgjegjësi Urën e Matit“ – përfundon Elton Laska.
Rezistenca lokale dhe ndërkombëtare ndër vite
Të rinjtë dhe banorët e Kurbinit janë organizuar prej vitit 2021 në protesta për mbrojtjen e urës. Ata janë shprehur në vijimësi se janë harruar nga institucionet shtetërore, ndërsa kanë firmosur edhe një peticion për mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e saj.
Organizata “Europa Nostra” e listoi këtë monument si një ndër 7 sitet më të rrezikuara në Evropë dhe hartoi një plan emergjence për ta shpëtuar monumentin.
Listimi i këtij monumenti si një ndër shtatë veprat kulturore evropiane në rrezik nga “Europa Nostra” vjen në sajë të angazhimit komunitar të aktivistëve te “Sebastia” dhe banorëve të Kurbinit. Në janar të vitit 2021, 3700 qytetarë firmosën për veprim konkret.
Për të rritur ndërgjegjësimin dhe reagimin e instucioneve në këtë urë janë zhvilluar edhe aktivitete artistiko-kulturore si për shembull performanca e artistit Denis Bizhga.
Ura e Zogut është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë me vendimin të Këshilli i Ministrave, nr.313 të datës 08.07.1999.
The post Aktivistët i kujtojnë qeverisë premtimin e pambajtur për Urën e Zogut appeared first on Citizens.al.